Zgjedhjet parlamentare po afrohen, me këtë rast dhe gara mes partive politike ka filluar të bëhet e ashpër.
Së fundi, ka marrë vëmendje një sondazh i publikuar nga “UBO OMNIBUS”, ku partia e parë ka dal LVV me mbi 47 përqind, PDK me 19 për qind, LDK me 17 për qind, AAK-në me 6 përqind dhe partitë e tjera rreth 9 për qind.
Opozita filloi me reagime kundër këtij sondazhi, duke e cilësuar si të porositur nga LVV, ku këtij mendimi iu bashkuan edhe kundërshtarët e tjerë të kryeministrit Kurti.
Por, këto akuza a janë sinjal që partitë opozitare i ka kapluar frika, apo në realitet për qindjet janë më ndryshe?
Në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot” foli opinionisti Dedë Preqi.
Së pari, ai u shpreh se jo vetëm ky sondazh i publikuar nga UBO së fundi, por të gjitha analizat e vendosin LVV-në, si parti të parë.
Sipas tij, kjo nuk është vetëm një ‘utopi’.
“Jo vetëm kompania e UBO-Omnibus, por të gjitha analizat e shumë ekspertëve të hulumtimeve të tilla Lëvizjen Vetëvendosje, do ta nxjerrin të parën, padyshim se tablloja e nxjerrur në këtë mënyrë nuk është vetëm një «utopi» që parashihet vetëm me një parashikim të hershëm, por njeriu mund të kërkojë diçka që në një farë mënyre e zotëron paraprakisht.
Populli i Kosovës, deri dikund por edhe nuk ka fjetur i tëri në gjumë, që nuk i ka vërejtë gabimet dhe të metat e liderëve të vet, të cilët e kanë udhëheqë këtë vend prej çlirimit e deri këtu ku jemi, duke mbledhur pak nga pak shenja, shpresa, përpjekje, e vija zhvillimi të ndërprera nga gabimet e shumta, prej të cilave ka pësuar me të madhe qytetari i këtij vendi”.
Po ashtu, Preqi ua rikujtoi opozitës, që po e njëjta kompani, e kishte vendosur të parën LVV-në, edhe në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021.
"Secili do të thoshte se, sondazhi i fundit i angazhuar nga kompania UBO, dhe në prag të zgjedhjeve, do ta nxjerrte LVV, të parën, që sipas opozitës një kompani e tillë mundet të jetë e porositur në një mënyrë, por e njëjta kompani e ka bërë edhe më herët në zgjedhjet e vitit 2021, një sondazh të tillë, duke e nxjerrë të parën subjektin e njëjtë politik LVV.
Sipas këtij sodazhi të fundit të kësaj kompanie të Ubo-Omnibus, LVV, e nxjerr të parën me 47,5%, të dytën PDK, me 19,5%, të tretën LDK, me 17,5%, të katërtën AAK dhe NISMA, me 6% dhe të tjerat me minoritete 9%, duke paraqitë një pasqyrë të këtij hulumtimi, por më në fund populli është ai që do të vendos me 9 shkurt 2025”, theksoi ai.
Ndër të tjera, opinionisti potenoi se janë të natyrshme reagimet e opozitës, por edhe pak të çuditshme.
Për fund, parashikoi se LVV do e marrë sërish pushtetin me mbi 50 për qind të votave.
“Reagimet e opozitës janë të natyrshme si reagime që hasim në gjitha fushat e jetës normale, por këto janë pak sa të çuditshme, sepse këto hulumtime herë i quajnë të falsifikuara apo të fabrikuara, apo sipas këtij këndvështrimi të tyre u përkasin vetëm opinioneve vetiake, sikur secili do të ishte i lirë të bënte ç’të donte, atëherë gjithçka do të rregullohej sipas dëshirës dhe jo në bazë të rregullave dhe realitetit.
Sondazhet e fundit janë më të përafërta, që LVV, do ta nxjerrin të parën, duke marrë sërish pushtetin me 50%, nga vota e qytetarëve të saj, dhe ky do të ishte një element tjetër i tabllosë, pa e marrë si avanturë, siç po e thotë opozita, por më shumë duke qenë të vetëdijshëm se duhet të jemi më të vëmendshëm, sepse jemi më të ngarkuar dhe më të përgjegjshëm për të marrë detyrat e pushtetit të ri mbas 9 shkurtit të vitit 2025”, përmbylli Dedë Preqi për “Bota sot”.