Deklarata e fortë e presidentit italian për KFOR-in dhe Kosovën, ekspertët zbërthejnë mesazhin: Kjo është shqetësuese!

Politika

Deklarata e fortë e presidentit italian për KFOR-in dhe Kosovën, ekspertët zbërthejnë mesazhin: Kjo është shqetësuese!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 22 dhjetor 2024 Në ora: 18:11
Foto ilustrim

Tashmë dihet roli i madh që KFOR ka në ofrimin e paqes dhe sigurisë jo vetëm në Kosovë, por në gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Duke parë provokimet dhe politikat kërcënuese e nxitëse të Serbisë, prania e KFOR është më se e nevojshme.

E së fundi, presidenti i Italisë Sergio Mattarella deklaroi se integrimi i të gjithë rajonit të Ballkanit në BE kërkon qetësi dhe se prania e KFOR-it ka parandaluar shpërthime të dhunshme në Kosovë.

Mattarella diskutoi me misionin komandues të KFOR-it italian në Kosovë gjatë një ceremonie të urimeve për kontingjentet italiane që shërbejnë në misionet ndërkombëtare.

Presidenti Italian bëri një deklarë të fortë, ku ndër të tjera theksoi se rreziku i ndërhyrjeve nga jashtë Ballkanit është jashtëzakonisht i lartë dhe se pa KFOR-in “do të kishte pasur shpërthime të dhunshme që do të kishin shkatërruar vendin gjatë këtyre viteve.”

“KFOR-i për 25 vjet është i përkushtuar në këtë mision. Unë i kam kushtuar vëmendje të madhe dhe kam vënë re se klima lokale ndonjëherë nxehet qëllimisht, duke e bërë të vështirë dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Misioni juaj për ta mbajtur atë gjallë është kritik”, tha ai.

E në lidhje me rolin e KFOR dhe deklaratën e Mattarella-s, për “Bota sot” folën ekspertët e sigurisë.

Softa: Italia është e shqetësuar për zgjidhjen e konflikteve në Ballkan

Së pari, eksperti i çështjeve të sigurisë, Fatjon Softa potencoi se shqetësimi i të parit të Italisë, vjen pas akteve terroriste që po mbështeten nga shteti serb.

Image
Fation Softa

Hyrja e të gjithë rajonit të Ballkanit në BE kërkon qetësi. Janë fjalët e Presidentit Italian Sergio Mattarella, duke folur me misionin komandues të KFOR-it italian në Kosovë.

Ky shqetësim i Italisë, vjen pas situatave me akte terroriste nga forca të financuara dhe mbështetur nga Serbia”, nënvizoi ai.

Ai në një bashkëbisedim me “Bota sot” potencoi se deklarata e Mattarellas vjen nga informacionet që ka nga terreni i KFOR-it, derisa mesazhet e tij i cilësoi si shumë shqetësuese.

“Rreziku i ndërhyrjeve nga jashtë Ballkanit është shumë i lartë dhe këto mesazhe janë shqetësuese dhe inkurajuese që Italia është e shqetësuar për zgjidhjen e konflikteve në Ballkan. Njoftime që vijnë nga terreni nga KFOR, kjo për të rritur prezencën ushtarake në rajon”, përfundoi Fatjon Softa për “Bota sot”.

Elezi: Një mesazh shumë i drejtpërdrejtë, sepse flet për një nivel tejet të madh të përshkallëzimit të situatës sigurisë

Ndërsa, eksperti tjetër, Bedri Elezi tha se deklaratat e presidentit italian janë në sinkron me deklaratat e shteteve të fuqishme, SHBA-në, Britaninë e Gjermaninë.

Image
Bedri Elezi

Po ashtu, ai potencoi se siguria në Kosovë e rajon nuk është stabile, shkak i Rusisë dhe politikës së saj.

“Sa i përket deklaratave të Presidentit të Italisë, mendoj që janë deklarata në sinkron me deklaratat e shteteve të ndryshme, përfshi këtu Britaninë e Madhe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë zyrtare, si dhe deklaratat e vet të NATO-s, qofshin ato edhe përmes KFOR-it.

Jemi të sinqertë se situata e sigurisë në rajon është mjaft vështirë dhe krejt kjo për shkak të zhvillimeve që janë, e veçmas për shkak të përplasjeve më të fuqishme që kanë ndodhë ndonjëherë në mes Rusisë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për zonat e influencës.

Ne jemi të vetëdijshëm që tani Rusia po bën përpjekjet maksimale për të siguruar një klimë, apo për të prodhu një klimë të re të josigurisë, e cila do të ballafaqonte direkt Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo, ngase SHBA-ja e dini se ka marrë shumë aktivitete apo ka organizu shumë aktivitete për të garantuar siguri, paqe në Gadishullin Ballkanik, e posaçërisht janë dy burimet e krizave që konsiderohen që mund të shkaktojnë kriza. Në rastin e parë është Bosnja me Republikën Srpska dhe është Kosova me veriun, të cilat siç duket po dalin se janë burime të josigurisë”, deklaroi ai.

Sipas Elezit, Mattarella dha një mesazh direkt, duke nënkuptuar se ka rrezik për përshkallëzim të situatës së sigurisë.

“Prandaj, këto deklarata dhe sidomos pretendime në lidhje me atë se nëse nuk do të ishte KFOR-it do të kishim një situatë të shpërthimit, është një mesazh shumë i drejtpërdrejtë, sepse flet për një nivel tejet të madh të përshkallëzimit të situatës sigurisë. Mund të themi se fakti që përmenden përbrenda në këtë deklaratë, shpërthimet e dhunshme edhe shkatërrimi i Kosovës, nënkuptojmë që kemi të bëjmë me shqetësimet më të larta të mundshme edhe nga personi më i fuqishëm i Italisë, si një ndër aleatët më të rëndësishme të NATO-s”.

Ndër të tjera, tha se këtoi informacione në lidhje me situatën e sigurisë vijnë nga terreni, derisa kërkoi që të bëhet kujdes dhe Kosova t’i marrë seriozisht këto deklarata.

“Ne besojmë që këto informacione vijnë si rezultat i aktiviteteve të strukturave të sigurisë, përkatësisht agjencive të inteligjencës në rajone, e që janë kryesisht të bazuara në punën e KFOR-it, apo edhe aktivitete të tjera që janë të strukturave të sigurisë, përkatësisht agjensive intelegjencës, të cilat e kanë një lidhje të fuqishme me Italinë apo edhe me vendet tjera anëtare të NATO-s. Mendoj që duhet të kemi një kujdes dhe duhet t'i marrim në me seriozitet të lartë këto deklarata, duke e konsideru se është shumë e nevojshme që të kemi një organizim të ri të sigurisë në përgjithësi në Kosovë dhe Gadishullin Ballkanik, dhe duhet të kemi një koordinim të fuqishëm me NATO-n, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe shtetet anëtarët e NATO-s apo edhe një një bashkërendim të ngushtë me shtetet fqinje”, përmbylli Bedri Elezi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat