FBI heton sulmin e Ibër Lepencit, ekspertët tregojnë arsyet: Dyshohet se Serbia...

Politika

FBI heton sulmin e Ibër Lepencit, ekspertët tregojnë arsyet: Dyshohet se Serbia...

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 22 dhjetor 2024 Në ora: 20:38
Sulmi ne Zubin Potok

Ambasadori amerikan në Kosovë Jeff Hovenier, ka bërë të ditur se sulmin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit, po e heton FBI-ja. Ai ka thënë se Shtetet e Bashkuara kanë sjellë mbështetjen e FBI-së dhe se hetimet për këtë po vazhdojnë pandërprerë.

“Ne kemi ofruar dhe kemi sjellë mbështetjen e FBI-së këtu në Kosovë tani për të punuar drejtpërdrejt dhe me kohë të plotë me organet e zbatimit të ligjit të Kosovës për të ndihmuar në identifikimin e përgjegjësve dhe për të siguruar që ky hetim të jetë i besueshëm, i plotë dhe të çojë në përfundimet e duhura”.

“Kurrë nuk është ide e mirë që ambasadorët të flasin për hetimet e zbatimit të ligjit dhe hetimet po vazhdojnë pandërprerë. Kështu që gjithçka që mund të them në lidhje me të dhëna ose sugjerime ose se ku po shkon kjo është se qeveria e ShBA-së nuk është ende në gjendje të thotë që kemi nxjerrë përfundime ose e dimë se kush është përgjegjës për këtë sulm”, ka deklaruar ambasadori amerikan në një intervistë ekskluzive.

Ky lajm i ambasadorit amerikan konsiderohet si mjaft pozitiv për Kosovën, sepse tregon qartë mbështetjen që SHBA ka ndaj Kosovës dhe në anën tjetër punën serioze që po kryhet pwr hetimin e këtij sulmi.

Por, a mund të shpresohet se mund të ketë zbërthim të shpejt të prapaskenave të këtij sulmi terrorist?

Gecaj: Dyshimet tona zakonisht i kemi të orientuara ndaj palës serbe, e cila në çdo rast synon destabilizimin e Kosovës dhe të Ballkanit

Image
Hysen Gecaj

Lidhur me këtë çështje ka folur eksperti i sigurisë, Hysen Gecaj. Ai thotë se, një deklaratë e tillë nga ambasadori amerikan duhet parë si shqetësuese për opinionin e Kosovës, pasi kjo është një tregues i qartë se SHBA-ja nuk ka besim të plotë në organet hetimore të Republikës së Kosovës.

“Kjo ndodh edhe pse mekanizmat hetimor në Kosovë janë kryesisht të trajnuar nga amerikanët dhe konsiderohen mjaft profesionalë. Mosbesimi duket se e ka bazën në politikën e Qeverisë së Kosovës, e cila deri më tani nuk është treguar një partnere e denjë për qeverinë amerikane. Për këtë arsye, mendoj se ky mosbesim buron nga niveli politik dhe jo nga profesionalizmi i institucioneve të zbatimit të ligjit”, vlerëson Gecaj.

Sipas tij, angazhimi i FBI-së, duket se është edhe një tregues se amerikanët kanë dyshimet e tyre mbi pista të caktuara hetimore, për të cilat aktualisht nuk mund të flasim me saktësi.

“Kjo paraqet një shqetësim për ne, pasi këto dyshime mund të drejtohen ndaj kujtdo. Megjithatë, si Kosovë, dyshimet tona zakonisht i kemi të orientuara ndaj palës serbe, e cila në çdo rast synon destabilizimin e Kosovës dhe të Ballkanit”, thotë ai.

Qarri: Serbia vazhdon ta fajësojë Kosovën, se kinse ajo vet po e dëmton infrastrukturën e saj

Image
Gani Qarri

 Po ashtu, për këtë deklaratë të ambasadori amerikan, ka folur edhe analisti politik, Gani Qarri. Ai thotë se duke pasur parasysh se ka kohë të gjatë, qysh kur Serbia hegjemoniste, ndërhynë në vijimësi, jo vetëm politikisht, por edhe me aksione subversive dhe terroriste në vendin tonë, për çka duket se nuk i mungon përkrahja dhe mbështetja herë e hapur, e herë e heshtur, edhe nga një pjesë e faktorit ndërkombëtar, pas aktit terrorist të 29 nëntorit, ku u dëmtua rëndë kanali i Ibër Lepencit dhe kishte për qëllim lënien pa ujë, pa ngrohje dhe pa rrymë, në mes të dimrit, një pjesë mjaft të madhe të vendit tonë, dhe Serbia njëjtë si për vrasjet në Bosnje e Hercegovinë, vazhdon ta fajësojë Kosovën, se kinse ajo vet po e dëmton infrastrukturën e saj, duket se nuk ka ngelur rrugëdalje tjetër, përveçse të angazhohet edhe FBI, për ta sqaruar këtë rast deri në fund.

“Në fakt ndërhyrjet brutale të Serbisë hegjemoniste, në çështjet e brendshme të Kosovës, nuk janë të reja as të panjohura, madje ndërmarrja e akteve të organizuara terroriste nga ana e Serbisë, brenda territorit të vendit tonë, pothuajse nuk kanë të ndalur që nga 14 qershori i vitit 2023, kur njësitet e ashtuquajtura anti-terror të xhandarmërisë serbe, nga komuna e Rashkës u futen në veri të Kosovës dhe kryen aktin e kidnapimit klasik, të tre policëve të patrullës kufitare të Kosovës, brenda territorit të vendit tonë. Kurse pas më pak se 3 muaj e gjysmë, ndodhi akti terrorist serb i 24 shtatorit 2023, kur krye-terroristi Millan Radojçiq me paramilitar dhe arsenal të pashembullt armatimesh ushtarake, u futën nga Serbia dhe vranë në pritë policin tani hero të Kosovës rreshterin Afrim Bunjaku, me pretendimet për ta okupuar veriun e vendit tonë dhe sikur mos të mjaftonin të gjitha këto, me 29 nëntor 2024, pra pas vetëm rreth 14 muajsh nga agresioni terrorist në Banjskë, kriminelët serb të përgatitur dhe instruktuar nga Serbia, kryen aktin më të ri terrorist, në fshatin Varagë të Zubin Potokut, duke dëmtuar rëndë, me më se 20 kg. eksploziv ushtarak edhe infrastrukturën më kritike të Kosovës dhe kanalin e Ibër Lepencit, që furnizon një pjesë të madhe të vendit me ujë të pijshëm dhe përdoret për ftohjen e termocentraleve të Republikës së Kosovës”, vlerëson ai.

Sipas analistit Qarri, sikur mos të mjaftonte as akti i fundit terrorist serb i dëmtimit të kanalit Ibër-Lepenc, përkundër të gjitha veprimeve kriminale dhe akteve terroriste që Serbia, në vijimësi, ndërmerr dhe inskenon brenda territorit të Kosovës, për të gjitha këto, ajo fajëson Kosovën dhe jo vetëm që nuk ndëshkohet as sanksionohet nga faktori ndërkombëtar, si fajtore dhe autore e këtyre akteve terroriste dhe subverzive, por çuditërisht nën sanksione dhe nën kushtëzime të pandërprera, vazhdon të mbetet vetëm Kosova.

“Kështu që besoj fort, se Shtetet e Bashkuara kanë arsye të forta derisa kanë vendosur që me mbështetjen e FBI-së, ta bëjnë sqarimin e akteve terroriste serbe dhe siç deklaroi edhe vet ambasadori amerikan në Kosovë Jeff Hovenier, sulmin terrorist serb, në kanalin e Ibër-Lepencit, tanimë ka filluar ta hetojë FBI-ja, ndërsa përfshirja në hetime e FBI-së, hetimet e të cilës po vazhdojnë, është sinjal i mirë, nga e cila shpresohet se do të ketë zbërthim të shpejt të prapaskenave të këtij akti terrorist dhe akteve tjera terroriste serbe brenda territorit të Kosovës”, thotë ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat