Si jo rrallë herë, kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama ka bërë edhe njëherë thirrje kundër Gjykatës Speciale, gjykatë kjo e cila po merret edhe me gjykimin e vrasjeve të anëtarëve të LDK-së dhe mbështetëseve të Rugovës.
Rama tha se çuditet që askush në Kuvendin e Kosovës nuk ka nisur një rezolutë kundër Gjykatës Speciale, duke kërkuar që një gjë e tillë të bëhet, pasi sipas tij, ata do i bashkoheshin kësaj nisme
“Unë nuk rri dot pa ju thënë pa çudinë time, që në këtë sallë nuk është marrë asnjë nismë që të bëhet një rezolutë kundër asaj gjykate, Gjykatës Speciale. Nëse do ta nxjerr Kuvendi i Kosovës një rezolutë të tillë, Partia Socialiste rezolutën e nxjerrë në Kuvendin e Kosovës ta deponoj në Kuvendin e Shqipëri. Që ajo gjë [Gjykata Speciale] nëse është gjë ta bëj dëmin e saj deri në fund. Kuvendi i Kosovës ta marr një nismë kundër kësaj Gjykate”, tha Rama në mbledhjen e përbashkët mes dy kuvendeve, të Kosovës dhe Shqipërisë, më 20.12.2024.
Fajtor Edi Rama
E sipas profesor, doktor Enver Bytyçit, dëshmoi se është një lider arrogant dhe imponues.
"Në mbledhjen e përbashkët të dy parlamenteve të Republikës së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, kryeministri Edi Rama nuk i zhgënjeu sërishmi shqiptarët. Mbajti një fjalim euforik për arritjet e tij dhe plot këshilla në formën e urdhërores për Kosovën dhe institucionet e saj. U përpoq të ishte si një lloj lideri imponues e arrogant, madje duke mos rekomanduar asgjë, por duke e ndërtuar narrativen arrogante të urdhrit. Si nga forma dhe nga përmbajtja ai dëshmoi se sot ishte në këtë mbledhje të të dy parlamenteve për të transmetuar interesat serbe në Kosovë, madje deri në kërkesën arrogante të bojkotit nga ana e Kosovës të dialogut me Serbinë. Natyrisht forma e përzgjedhur duket “patriotike”, por me zellin e madh të rirehabilitojë Serbinë", shprehet Bytyçi.
Sipas tij, njëra nga temat e shprehjes arrogante të Edi Ramës ishte çështja e Gjykatës Speciale.
"Tha se ajo gjykatë i mban peng Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin. Në fakt Rama ka vetëm hallin e ish-presidentit Thaçi. Sepse Hashimi është në Hagë më shumë për shkak të implikimit të tij në idenë dhe përpjekjeve për ndryshimin e kufijve në Ballkan dhe ndarjen e Kosovës. Mund të arrestohej më vonë për krime lufte, akuzë me të cilën ai përballet. Por ndoshta rrethanat do të ishin më lehtësuese. Ndërkohë që në angazhimin e Thaçit për ndarjen e Kosovës dhe ndryshimin e kufijve Edi Rama është ndërmjetës. Që kur Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiq bënë marrëveshjen për atë që quhet „shkëmbim territoresh“, Rama mori përsipër rekrutimin e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Fillimisht Hashimi reagoi kundër paternalizmit të Tiranës zyrtare. Por kryeministri i Shqipërisë e kërcënoi se „po të mos pranonte opsionin e ndarjes së Kosovës, ai do të shkonte në Hagë“! Pastaj i ofroi postin e presidentit në një shtet që do të rikrijohej me Kosovën e ndarë dhe Shqipërinë. Thaçi edhe u tremb, edhe u josh. Ia hyri valles së Vuçiqit dhe të Ramës. Por nuk mundi ta çojë atë valle deri në fund, se ishte edhe Merkel që do të luante rolin e saj në parandalimin e kësaj aventure. U shpall akt-akuza dhe Thaçi e mori lajmin si Zhukovi për shkarkim në kohën e Hrushovit në vitin 1959, në avion", shpjegon Bytyçi.
Më tej profesor Bytyçi e sheh Edi Ramën si shkaktar të arrestimit të shpejtë të Hashim Thaçit.
"Tani të vijmë te kërkesa e Edi Ramës për Gjykatën Speciale. Ai tha se Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë nuk është e pavarur. Se procesi gjyqësor është i parregullt. Se gjyqtarët nuk zbatojnë standardet. Dhe në fund kërkoi që Kuvendi i Kosovës të miratojë një rezolutë kundër kësaj gjykate. Premtoi që atë rezolutë ta miratojë edhe ai në Parlamentin e Shqipërisë. Dhe propozoi që tua dërgojmë vendeve që sponsorizojnë Gjykatën Speciale të Kosovës. Unë këtë fjalim e shoh si hipokrizi për disa arsye: Së pari, sepse Rama përpiqet të kompensojë dëmin që ia shkaktoi Hashim Thaçit, duke përshpejtuar arrestimin, hetimin dhe gjykimin e tij. Tashmë Thaçi e di se Rama u bë shkaktari i arrestimit të tij. Së dyti, sepse është shumë vonë të kërkohet asgjësimi dhe shuarja e Gjykatës Speciale për Kosovën në Hagë. Është bërë vonë, sepse Thaçi dhe të tjerët në Hagë u vetdemaskuan kur thane në gjyq se “Nuk kanë qenë në frontin e luftës”, se “Shtabi I Përgjithshëm nuk ka qenë aktiv”, etj. Por është shumë vonë me ato që kanë ndodhur kohët e fundit në Hagë", deklaron Bytyçi për "Bota sot".
"Tre nga katër të akuzuarit për ndërhyrje dhe imponim të dëshmitarëve e pranuan fajin dhe kërkuan dënim të përshpejtuar. Pranimi i fajit nga këta tre të involvuar e porositur nga ana e Hashim Thaçi për të bërë presion te dëshmitarët e mbrojtur për ndryshimin e dëshmisë është prove direkt e fajësisë së ish-presidentit të Kosovës për pjesëmarrjen tij në krime lufte", shton Bytyçi.
Sipas tij, krimet e luftës për të cilat akuzohet Hashim Thaçi janë adresuar kundër shqiptarëve, të cilët madje kishin luftuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
"Ndër ta ishte dhe Shaban Manaj, Smajl Hajdaraj, Ukë Bytyçi. Por u plagos dhe sot ndodhet në karrocë ish-luftëtari I Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe bashkëpunëtor i Ibrahim Rugovës, Fetah Rudi. U vra Enver Maloku dhe Xhemail Mustafa. U vra më vonë Tahir Zemaj dhe iu bë atentat presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova. Madje ditën që shefi i BE-së për diplomaci e siguri, Havier Solana po vizitonte Prishtinën. Asnjë prej atentatorëve nuk është dënuar. As edhe urdhënësit. Haga duket se ka prova për këto vrasje. Është detyrë e saj t’i zbulojë ato", nënvizon Bytyçi.
Ngjarjet e fundit dhe ndikimi tek dëshmitarët, sipas Bytyçit dëshmojnë se Hashim Thaçi është fajtor.
"Por ama ngjarjet e fundit me këshilltarët e Hashim Thaçit të arrestuar si autorë të ushtrimit të presionit ndaj dëshmitarëve, nuk lënë më dilemë, nëse Thaçi është ose jo fajtor për këto vrasje. Edi Rama për këtë shkak është I revoltuar. Mesa duket ka menduar se miku e bashkëpunëtori I tij, Hashim Thaçi do t’ia hedhë paq në Hagë dhe tani ka kuptuar se nuk qenka aq e lehtë t’i shpëtosh përgjegjësisë. Të mos them se ka mundësi që të krijohet edhe një Gjykatë Speciale për Shqipërinë në Hagë a diku tjetër, e cila të hetojë, gjykojë e dënojë krimet e vetë Edi Ramës", përfundon profesor, doktor Enver Bytyçi.
Rama nxit shpërbërjen e Speciales
Kurse analisti Faton Mehmeti thotë se synimi i Edi Ramës është gjithmonë përçarja.
"Rama çdo herë që vjen vetëm nxit përçarje, nuk është hera e parë. Besoj se edhe ambasada e SHBA dhe të tjerat do të reagojnë pas kësaj deklarate të tij që realisht nxit zhbërjen e gjykatës", shprehet Mehmeti.
Sipas Mehmetit, Thaçi e Rama ishin bashkë në projektin për ndarjen e Kosovës.
"Rama ka qenë bashkë me Thaçin mbështetës të projektit serbo-rus për ndarje të Kosovës nga e cila Thaçi do përfitonte amnisti nga Gjykata Speciale. Pasi kjo dështoi, Edi Rama ndjehet përgjegjës pse nuk j zbatua ky projekt e që nuk arriti të shpëtonte vëllain e tij Hashim", deklaron Mehmeti.
"Edhe Hashimi në 2017 synonte ta zhbënte por ishte e kot, kjo nuk ndodh pavarësisht përpjekjeve të Edi Ramës dhe dikujt tjetër këtu. Dikush nga LDK është dashur t'i tregonte Ramës se intelektualët më të mirë të Kosovës sot mund të ishin në sallë, por janë në varre për vrasjet e të cilëve janë pjesë e aktakuzës ndaj atyre që janë në Hagë", përfundon Faton Mehmeti për "Bota sot".