Të premten u mbajt mbledhja e përbashkët ndërmjet Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës.
Deputetë e ministra nga Shqipëria erdhën në Prishtinë për mbledhjen e Kuvendit të përbashkët të dy parlamenteve dhe me fjalime frymëzuese folën për rëndësinë e të qenit të bashkuar.
Ditët si kjo na kujtojnë se politikanët janë të përkohshëm, ndërsa populli shqiptar është gjithmonë aty.
Andaj, edhe në këtë mbledhje që më shumë do të duhej të konsiderohej simbolike nuk munguan thumbimet e akuzat ndërmjet liderëve politikë të të dyja vendeve për njëri tjetrin.
Megjithëkëtë, publicisti Gani Qarri, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, mbledhjen e përbashkët të të dy qeverive e ka konsideruar si një hap shumë të rëndësishëm dhe të domosdoshëm historik.
“Me takimin e 20 dhjetorit 2024, Kuvendet e të dy vendeve tona, kanë ndërmarrë vërtetë një hap shumë të rëndësishëm dhe të domosdoshëm historik, ku pas shumë kohësh, u shpreh zëri unik i popullit shqiptar, një nismë e munguar e një populli vëlla, që nga 20 dhjetori duhet të kthehet në akt tradicional dhe mision mbarshqiptar, për bashkërendim të përhershëm të veprimeve, tani dhe në të ardhmen, deri në unitetin e plotë shtetëror e kombëtar të shqiptarëve, ashtu siç edhe jemi një popull me një gjuhë, traditë dhe kulturë! E duke qenë se Shqipëria është vendi amë i shqiptarëve, shtet anëtar i NATO-s dhe vend kandidat për anëtarësim në BE, Kosova ka nevojë për mbështetjen e Shqipërisë në rrugëtimin e integrimeve euroatlantike, anëtarësimin e saj në Këshillin e Evropës dhe organizatat tjera të rëndësishme ndërkombëtare”, ka thënë Qarri.
Edhe sa u takon zhvillimeve të brendshme, ai ka theksuar se megjithëse vendi ynë, ka shënuar progres të theksuar në luftimin e korrupsionit e krimit të organizuar dhe po ecë me hapa të sigurt përpara në konsolidimin e demokracisë.
“Kosova faktikisht, tash e sa vite ka probleme të theksuara dhe tejet të mundimshme për reformimin e sistemit të kalbur prokurorial e gjyqësor të cilat nga opozita e inkriminuar po përdoren si mjet politik, për luftimin e Qeverisë dhe po bëjnë që- shumë ligje të miratuara në interes të vendit dhe qytetarëve të Kosovës, si dhe arritjet që ka realizuar Qeveria e vendit, në këto katër vite, të bllokohen dhe mbeten të papërfunduara edhe nga vet Gjykata Kushtetuese. Madje, nga frika e konfiskimit të pasurive të paligjshme, duke pasur aktiv brenda saj, njerëzit e emëruar nga partia e tij, Abelard Tahiri, së fundi dërgoi hiq më pak se 16 ligje në Gjykatën Kushtetuese, përfshi edhe ligjin për konfiskimin e pasurive të kundërligjshme, me shpresën për bllokimin e këtij ligji nga Gjykata, akt që vërtetë përbënë precedent të padëgjuar, në rajon dhe më gjerë! Në këtë pikë, Kosova duhet të kërkoj mbështetjen e pakursyer të Shqipërisë për themelimin me urgjencë dhe sa më parë të një SPAK-u, edhe në Kosovë dhe krijimin e një baze të mirëfilltë ligjore e institucionale, për hetimin e papenguar të të gjithë të dyshuarve, pavarësimin e plotë të gjyqësorit dhe funksionimin e pavarur të rendit e të ligjit edhe në vendin tonë”, ka nënvizuar ai.
Në anën tjetër, Qarri ka thënë se derisa në shtetet përreth Kosovës, vazhdojnë të forcohen sistemet autokratike dhe avancojnë rritja e korrupsionit dhe krimit të organizuar, qeveria Rama nuk duhet të marrë shembull nga Vuçiqi dhe Serbia, për rritjen e autokracisë në vendin e tij, por të përvetësojë mësimet nga Qeveria e Kosovës- për mënyrën e luftimit me sukses të trafikut të drogave e lëndëve narkotike dhe çrrënjosjen e krimit të organizuar edhe në Shqipëri.
“Dhe duke qenë se jemi një popull, dhe kemi ndjeshmëri të veçantë për secilën pjesë të atdheut dhe autoktonisë tonë shqiptare, edhe përkrahja e ndërsjellë, e njohur historike, jo vetëm që nuk duhet të mungojë, por duhet të ruhet e forcohet sa më shumë dhe qohet përpara, duke ofruar pa kursim ndihmën për njëri tjetrin edhe në procesin e integrimit euroatlantik të Kosovës, pranimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe përshpejtimin e anëtarësimit të Kosovës në NATO e organizatat tjera të rëndësishme ndërkombëtare, deri te pranimi i shtetit të pavarur të Kosovës me të drejta të plota, në Organizatën e Kombeve të Bashkuara-OKB”, shprehet Qarri.
Andaj, sipas tij, nga kjo datë e shënuar historike, do të duhej që nga deputetët e të dy vendeve tona, të merrej në mënyrë unanime edhe vendimi historik, që nga 20 dhjetori i këtij viti, takimi i të dy kuvendeve shqiptare, të kthehej në mision dhe standard për veprimet e mëtejme dhe ndërmarrjen e veprimeve të përbashkëta në të ardhmen, si në politikën e jashtme edhe në avancimin e integrimeve euroatlantike dhe fushën e sigurisë së jashtme dhe të brendshme.
Më tej, Qarri ka komentuar edhe fjalimet që u mbajtën në Kuvend, e që sipas tij nuk përkonin me ngjarjen dhe simbolikën e saj.
“Hije mjaft të keqe, këtij takimi historik, fatkeqësisht i qitën dërdëllitjet e pa krip të zvarranikut politik Ramush Haradinaj, i cili në mënyrën më trashanike, u përpoq të fuste pyka të pagdhendura fshatareske, ndërmjet kryeministrave, duke u bërë qesharak, si një kalama i pa edukuar, para deputetëve të të dy vendeve, derisa deputetja e tij e famshme Kadrijaj, la pa mend të pranishmit në sallë dhe ata që i përcillnin këta dy tipa arkaik, përmes mediave vizive, duke cicëruar serbisht, edhe në këtë takim historik ndërshqiptar, derisa deputeti Bardhi të paktën këshilloi në mënyrë të kulturuar Edi Ramën, që vëllait, t’i jepen këshilla në mënyrë interne, gjë që ishte mënyrë shumë e natyrshme e komunikimit. Përndryshe, duke lënë anash dhe injoruar tërësisht, ashtu siç edhe u injoruan me përbuzje Haradinaj dhe Kadrijaj, takimi më 20 dhjetor i dy Kuvendeve, ishte një hap historik dhe nismë e domosdoshme e një populli vëlla, që nga 20 dhjetori duhet të kthehet në akt tradicional dhe mision mbarë shqiptar, për bashkërendim të përhershëm të qëndrimeve kombëtare dhe veprimeve politike, tani dhe në të ardhmen deri në unitet të plotë shtetëror e kombëtar të shqiptarëve, takim i cili u dominua me thirrjet për bashkëpunim e unitet dhe realizimin me përpjekje të përbashkëta të objektivave strategjike mbarë shqiptare, ku edhe të dy kryeministrat dhanë mesazhe uniteti me shembuj praktik, duke nënshkruar marrëveshjen për organizimin e përbashkët të Lojërave Mesdhetare që përbën ngjarjen më të madhe sportive në historinë e Kosovës dhe në kuadër të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030,sporti i lundrimit do të organizohet në Durrës të Shqipërisë”, potencoi ai.
Çka tha Rama?
Ajo që ra në sy kësaj radhe, sipas publicistit Qarri, ishte deklarata e Edi Ramës se barrën e fajit, për ngecjen e dialogut Kosovë Serbi e mbanë Serbia me destruktivitetin e saj, duke i bërë thirrje Kosovës, që dialogun me Serbinë, ta ngrij, pa afat dhe normalizimin ta kërkojë, në dialog me BE-në.
“Kjo deklaratë mund të ishte edhe një porosi e drejtpërdrejtë, e përcjellë enkas nga SHBA, Mbretëria e Bashkuar, apo të dyja bashkë, që përmes gojës së Edi Ramës ti bëhet e ditur faktorit ndërkombëtar dhe forcave të jashtme anti-Kosovë, të cilat, ka më tepër se një vit, që krejt padrejtësisht ju kanë vërsulur vendit tonë, me sanksione të njëanshme dhe bllokime të pakuptueshme e cinike, duke penguar edhe anëtarësimin e Kosovës në KE dhe organizatat tjera ndërkombëtare deri në UNESCO, INTERPOL etj”, u shpreh ai.
Me këtë rast, Qarri shfaqi shqetësimin se pavarësisht sulmeve terroriste nga Serbia, e ndëshkuara nga ndërkombëtarët mbetet Kosova.
“Prandaj pas këtij sinjali, derisa vazhdojnë kushtëzimet e papërballueshme vetëm për Kosovës, por jo edhe për Serbinë, si autore e 4 luftërave të përgjakshme, e dënuar edhe nga OKB për gjenocid në Srebrenicë, si dhe destabilizuese e përhershme e të paktën, 3 shteteve të dala nga ish federata jugosllave, që nga Bosnja e Mali i Zi, deri në Kosovë, e ndoshta edhe në FYROM, në periudhën kur, Serbia ndërmori, të paktën tri akte agresioni të hapura terroriste brenda vendit tonë, në një hark mjaft të shkurtër kohor, fillimisht më 14 qershor 2023, kur njësitet e ashtuquajtura anti-terror të xhandarmërisë serbe, nga komuna e Rashkës u futen në veri të Kosovës dhe kryen një akt të kidnapimit klasik, duke arrestuar tre polic të Kosovës, brenda territorit të vendit tonë, kurse pas më pak se 3 muaj e gjysmë, ndodhi akti tjetër terrorist serb, si ai i 24 shtatorit 2023, kur kryeterroristi Millan Radojçiq me paramilitar dhe arsenal të pashembullt armatimesh e municionesh ushtarake, u futën nga Serbia dhe vranë në pritë policin tani hero të Kosovës rreshterin Afrim Bunjaku, me pretendimet për ta okupuar veriun e vendit tonë, Kosova nuk mund të heshtë më. Sikur mos të mjaftonin të gjitha këto, me 29 nëntor 2024, apo pas vetëm rreth 14 muajsh nga agresioni terrorist serb i Banjskës, kriminelët serb të përgatitur dhe instruktuar nga Serbia, kryen aktin më të ri terrorist me mese 20 kg. eksploziv ushtarak, në fshatin Varagë të Zubin Potokut, duke dëmtuar rëndë edhe të infrastrukturën më kritike të Kosovës dhe kanalin e Ibër Lepencit, që furnizon një pjesë të madhe të vendit me ujë të pijshëm dhe përdoret për ftohjen e termocentraleve të Republikës së Kosovës, me qëllim që, përveç pa ujë, Kosova të ngelet edhe pa rrymë e ngrohje, në mes të dimrit dhe përkundër të gjitha veprimeve kriminale dhe akteve terroriste që Serbia, në vijimësi, ndërmerr dhe inskenon brenda territorit të Kosovës, nga faktori ndërkombëtar nuk ndëshkohet ajo si fajtore dhe autore e këtyre akteve, por çuditërisht nën sanksione dhe nën kushtëzime të pandërprera, vazhdon të mbetet serish vetëm Kosova”, shtoi ai.
Madje, nisur nga mbledhja e përbashkët e dy Kuvendeve, Qarri tha se është momenti vendimtar që kryeministri Kurti t’i dërgojë mesazh faktorit ndërkombëtarë, që nëse vazhdon trysnia e tyre vetëm kundër Kosovës dhe jo kundër Serbisë, atëherë Kosova duhet të orientohet drejt parimit të së drejtës për bashkim kombëtar me Shqipërinë.
“Kështu që mendojë se është momenti vendimtar dhe mundësia ideale, që kësaj radhe edhe kryeministri Kurti, përfundimisht ta përçojnë një mesazh të fort drejt faktori ndërkombëtar, dhe të gjithë elementët anti-Kosovë, veçanërisht atyre sllavofil brenda BE-së, se nëse vazhdon tirania e trysnive të pandërprera, si deri më tani, vetëm kundër Kosovës, pas mbajtjes së takimit të kuvendeve të dy shteteve tona me 20 dhjetor në Prishtinë, Republika e Kosovës e cila ka bërë një nga kompromiset më të mëdha kur ka pranuar ta shpallë pavarësinë e saj, vetëm në kufijtë aktual, mund të heq dorë, përfundimisht nga qëndrimet e deritanishme dhe njëjtë siç vepron Serbia, me përpjekjet për krijimin e të ashtuquajturës "botë serbe" apo "serbi të madhe, nga ky moment edhe Kosova bashkë me Shqipërinë dhe shqiptarët e trojeve tona etnike, do të orientohet në parimin e të drejtës për unitet e bashkim kombëtar dhe formimin e një federate apo konfederate ndërshqiptare, për të garantuar gjuhën, kulturën traditën e trashëgiminë tonë të përbashkët kombëtare dhe krijuar një të ardhme të denjë për të gjithë shqiptarët në Ballkan!”, përfundoi Qarri.