Eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka komentuar ndikimin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës, duke theksuar rëndësinë e masave emergjente për të parandaluar largimin e fuqisë punëtore nga vendi.
“Tashmë është bërë një vit që nga liberalizimi i vizave, një arritje e rëndësishme politike për Kosovën. Ky proces e ka lehtësuar shumë mundësinë që qytetarët të synojnë dhe të kontraktojnë punë në vendet e Bashkimit Evropian. Për shumë prej tyre, udhëtimet për qëllime turistike po kthehen në mundësi për të krijuar marrëdhënie pune”, tha Ternava.
Megjithatë, eksperti ka shprehur shqetësim mbi efektet afatgjate të kësaj lëvizjeje në tregun e punës dhe ekonominë e Kosovës.
“Kjo padyshim që do të ketë ndikimin e vet, mirëpo Qeveria dhe spektri më i gjerë politik duhet të mendojnë seriozisht për të parandaluar varfërimin e fuqisë punëtore. Duhet të veprohet shpejt për të krijuar kushte më të mira ekonomike dhe sociale, në mënyrë që qytetarët të mos ndihen të detyruar të kërkojnë një të ardhme jashtë vendit”.
Tërnava ka theksuar nevojën për politika konkrete dhe një strategji kombëtare për të mbajtur të rinjtë dhe të mesmit në vend.
“Është thelbësore që të ndërmerren masa të menjëhershme nga ana e institucioneve dhe bizneseve për të krijuar një klimë më të qëndrueshme dhe perspektivë për qytetarët. Përndryshe, rrezikojmë të përballemi me një zbrazje konstante të fuqisë punëtore, që është jetike për zhvillimin e vendit”.
Eksperti ka sugjeruar që kjo çështje të trajtohet si një prioritet kombëtar dhe të krijohet një strategji e qartë për të tërhequr investime, krijuar vende pune dhe përmirësuar kushtet ekonomike.
Vetëm kështu, sipas tij, Kosova mund të përfitojë nga liberalizimi i vizave pa dëmtuar potencialin e saj të brendshëm ekonomik dhe demografik.