“Besoj që ekzistojnë dëshmi të fuqishme për...”, Sheholli tregon cilat parti vijnë pas mos certifikimit të Listës Serbe

Politika

“Besoj që ekzistojnë dëshmi të fuqishme për...”, Sheholli tregon cilat parti vijnë pas mos certifikimit të Listës Serbe

Nga: N.E Më: 23 dhjetor 2024 Në ora: 22:30
Foto ilustrim

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e ka certifikuar Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhje.

Shkak për këtë janë marrë thirrjet e kryetarit të Listës Serbe në Kosovë, Zlatan Elek, të bëra gjatë prezantimit të listës zgjedhore, e që sipas anëtarëve të KQZ-së janë nacionaliste.

“Rroftë Bashkimi serb, rroftë uniteti serb, rroftë Lista Serbe, rroftë shteti i Serbisë”, ka thënë Elek, e audion e tij e lëshoi të hënën anëtari i VV-së në KQZ, Sami Kurteshi, në mbledhje.

Ai i akuzoi përfaqësuesit e kësaj liste për mbajtje të kontakteve me pushtetin e Aleksandar Vuçiqit në Serbi.

“Sipas mendimit tim, ky subjekt politik është strofull e njerëzve që kanë bërë dhe bëjnë vepra terroriste, e në ato ka qenë edhe nënkryetari që i ka pranuar dhe ende sot është i lirë, jeton i lirë dhe organizon ende akte terroriste kundër Kosovës. Të gjitha këto janë elemente që duhet të jenë në Kodin e Mirësjelljes të çdo partie që merr pjesë në zgjedhje”, ka thënë ai.

Kundër certifikimit të Listës Serbe doli edhe anëtari tjetër i VV-së, Alban Krasniqi, i cili kërkoi veprime nga Prokuroria e Shtetit.

E në këtë proces ka abstenuar anëtari i PDK-së, Arianit Elshani, i cili ka kujtuar se verifikimi i listave të kandidatëve ka kaluar nëpër disa institucione dhe asnjë prej tyre nuk ka dhënë ndonjë vërejtje.

“Në qoftë se ata anëtarë të Listës Serbe janë pjesë e këtyre akteve terroriste është mirë që MPB-ja ta marrë në trajtim, këtë dokumentacion e ka pasur në e-mail. Le të na thotë saktë për kandidatët, le të na thotë saktë për këtë subjekt politik”, ka thënë Elshani.

Drejtori për marrëdhënie ndër etnike, Fatmir Sheholli, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, thotë se ekzistojnë dëshmi të fuqishme për mos certifikimin e Listës Serbe.

“Besoj që ekzistojnë dëshmi të fuqishme për mos certifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet e 9 Shkurtit. Tash vijnë në shprehje partitë politike serbe të cilat dikur ishin aleate të shtetit të Kosovës”, shprehet Sheholli.

Reagimet për mos certifikimin e Listës Serbe kanë qenë të menjëhershme, fillimisht ka reaguar presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili ka thënë se Kurti po tenton ta eliminojë kundërshtarin e vetëm politik në Kosovë.

“Albin Kurti po përpiqet ta eliminojë kundërshtarin e vetëm politik në Kosovë, që është Lista Serbe. Kurti me ndihmën e aleatëve të tij dëshiron ta dëbojë popullin serb nga krahina jugore”, ka thënë ai.

Vuçiq për këtë çështje ka thënë se e ka njoftuar edhe Rusinë.

Pastaj ka reaguar edhe Ambasada amerikane në Kosovë, e cila është shprehur e shqetësuar lidhur me vendimin e KQZ-së.
Në reagimin e Ambasadës thuhet se vendimi është i ndikuar politikisht.

“Në i bëjmë thirrje çdo partie që ka probleme me proceset e KQZ-së që të shfrytëzojë mekanizmat institucionalë në dispozicion, përkatësisht PZAP-në. Të gjithë kandidatët e kualifikuar duhet të lejohen të konkurrojnë në zgjedhje të lira dhe të ndershme në përputhje me ligjin kosovar. Është esenciale që votuesit e jo trupat politike të vendosin kush i përfaqëson ata”, thuhet në reagim.

Një reagim të ngjashëm ka pasur edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.

Ai ka thënë se ndan shqetësimin e shprehur nga SHBA dhe BE.

Rohde shtoi se procesi i certifikimit nuk duhet të politizohet.

“Unë ndaj shqetësimet e BE-së dhe SHBA-së në lidhje me mos certifikimin e Listës Srpska.

Zbatimi i barabartë i ligjit për të gjithë është thelbësor. Procesi i certifikimit është një procedurë rreptësisht formale që nuk duhet të politizohet”, shkruan ambasadori në “X”.

Ndërsa, sipas Shehollit, faktori ndërkombëtar nuk duhet të reagojë nëse ka argumente Kosova.

“Reagimi ndërkombëtar do të duhej të ketë vetëm nëse ne si institucione të shtetit të Kosovës nuk kemi dëshmi të fuqishme për mos certifikim, përndryshe nëse ka argumente atëherë faktori ndërkombtar nuk duhet të reagojë”, pohon Sheholli

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat