Buxheti i Kosovës për vitin 2025 është miratuar pak javë më parë. Ndryshe, nga viti i kaluar, buxheti për vitin që po vjen është për një përqindje më të lartë. Pra nga 3.3 miliardë sa ishte vitin e kaluar, për vitin 2025 ky buxhet është ngritur në 3.6 miliardë euro.
Në ditën e miratimit në Qeveri, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se gjatë katër vjetëve të qeverisjes së partisë së tij, Lëvizjes Vetëvendosje, buxheti i Kosovës është rritur vit pas viti si asnjëherë më parë. Nga 3.6 miliardë euro sa parashihet të jetë buxheti i vitit të ardhshëm, pjesa më e madhe pritet të ndahet për kategorinë: Subvencione dhe transfere.
Pak ditë më parë, kryeministri Albin Kurti bëri të ditur se sërish për fundvit do të ndajë shtesat prej 100 euro për fëmijët deri në moshën 16 vjet dhe për pensionistët.
“Të dashur fëmijë të gjithë që jeni nga 0 deri në 16 vjeç dhe jeni pranues të shtesave për fëmijë, do të përfitoni edhe nga 100 euro secili. Kjo nuk është vetëm një dhuratë e fundvitit nga shteti juaj, por investim për mirëqenien tuaj. “Sikurse e kemi bërë traditë që sa herë që ka buxhet të mjaftueshëm, po ndajmë mbështetje shtesë në fund të viti nga 100 euro edhe për të gjithë pensionmarrësit”, ka thënë Kurti.
Ky veprim i kryeministrit Kurti, ndonëse është realizuar edhe vitin e kaluar, nga opozita është vlerësuar vetëm si pjesë e fushatës zgjedhore. Zyrtarë nga opozita kanë kritikuar Kurtin se po e bën këtë veprim vetëm në prag të fushatës zgjedhore.
Avdyli: Komentet e tyre politike kundër rritjes së mirëqenies së pleqëve, fëmijëve e familjes në përgjithsi po irriton ҫdo person në këtë vend
Mirëpo, kritikave të opozitës i është përgjigjur deputeti nga Lista Guxo, Haxhi Avdyli. Ai për gazetën "Bota sot" thekson se kjo ndihmë prej 100 euro ndihmon në mirëqenien e familjeve në Kosovë.
Ai thotë se ky lajm ka gëzuar shumë familje në Kosovë, “por jo edhe disa parti që do t’i lenin qytetarët në mizerie vetëm për të fituar pak pushtet”.
“Duke marrë parasysh që shumica e familjeve kosovare kanë fëmijë por edhe pleqtë, kjo ndihmë ndikon shumë në mirëqenien e familjeve kosovare. Ky lajm ka gëzuar çdo shtëpi në prag të festave, përveç disa parti politike e argat të tyre që më dëshirë do i lenin familjet kosovare në gjendje mizërie vetëm që të fitojnë pak pushtet”, thotë Avdyli për "Bota sot".
Ai thotë po ashtu se ‘ata flasin se këto po bëhen për arsye elektorale, derisa kjo qeveri ka nda para çdo vit’.
“Kurse komentet e tyre politike kundër rritjes së mirëqenies së pleqve, fëmijëve e familjes në përgjithësi po irriton çdo person në këtë vend. Kësaj opozite ju ka tha fyti, por me rëndësi qytetari ka arsye të feston festat me krenari” vlerëson ai.
Zefaj: . Shumë projekte kapitale në shumë komuna janë dëmtuar seriozisht me këtë buxhet
Nga ana tjetër, lidhur me buxhetin e Kosovës për vitin e ardhshëm dhe shtesat nga qeveria e Kosovës për fëmijët dhe pensionistët, ka folur edhe Engelbert Zefaj, profesor dhe njohës i ekonomisë. Ai për gazetën "Bota sot" vlerëson se, buxheti i vitit 2025 nuk është real, është buxhet që është mbushur me mjetet tepricë të pa shpenzuara në vitet e kaluara, pra janë bartur mjetet që nuk kanë arritur t'i shpenzojnë, kjo qeveri nuk ka krijuar mjaftueshëm të hyra të reja.
“Ky buxhet parashikon vetëm 94 milion euro apo vetëm 10% të buxhetit për projekte kapitale për projekte të reja zhvillimore. Mbi 90% e buxhetit është kryesisht i orientuar për përfundimin e projekteve të filluara nga qeveritë e kaluara. Për nivelin komunal, buxheti është ndarë me tendenca politike, kanë përfituar komunat që qeverisen nga Vetëvendosje dhe komunat ku kjo parti, edhe pse nuk ka fituar, ka dalur më mirë në zgjedhjet e kaluara komunale. Shumë projekte kapitale në shumë komuna janë dëmtuar seriozisht me këtë buxhet. E ta kujtojmë se, qytetari i Kosovës ka kontaktin dhe përfitimin direkt me investimet e komunës”, vlerëson ai.
Tutje profesori Zefaj thotë se, ky buxhet nuk ofron asnjë përmirësim të gjendjes ekonomike. Nuk ka të planifikuar asnjë projekt kapital i cili do të shërbente në të ardhmen për nxitjen e përdorimit të rezervave shtetërore për t'i kthyer ato në përfitime ekonomike për Kosovën.
“Nuk mund të quhet as buxhet i mbijetesës sepse rritjet e planifikuara nuk janë në nivelin e inflacionit që ka përjetuar Kosova në tri vitet e fundit. Buxheti planifikon rritje minimale të pagave apo pensioneve por që prap kjo rritje është shumë më e ulët se inflacioni që në këto vite ka shkuar mbi 30% për produktet e shportës familjare. Pra, nuk është i mjaftueshëm as për mbijetes”, thotë ai.
Sa i përket ndihmës prej 100 euro për dy kategori të qytetarëve, profesori thotë se, ndihma e qeverisë me 100 euro nuk është ndihmë por abuzim me paranë publike.
“Shuma 100 euro është një dhuratë e cila ja mundëson familjeve vetëm me prit vitin e ri me një sofër me ushqime dhe ëmbëlsira të domosdoshme, por këtu përfundon gjithçka. Në ditën e neserme jeta e tyre i kthehet varfërisë dhe mjerimit të zakonshëm. Nuk i ndihmon fëmijët që me pas shkolla më të mira, çerdhe më të lira, nuk sjell më shumë siguri për fëmijët në rrugë, nuk sjell shërbime shëndetësore më të lira. Edhe për pensionistët, kjo shumë do të shërbej për të paguar një pjesë të borxheve që ju janë akumuluar në të kaluarën për të blerë barnat e tyre. Nuk do të ndikojë aspak në përmirësimin e mirëqenies së tyre në asnjë aspekt”, vlerëson ai.
Ai thotë se vendimi i qeverisë është thjesht abuzues.
“Qeveria po thotë se me këtë vendim i ka ndihmuar fëmijët dhe pensionistët në nevojë, por në fakt me këtë vendim kanë përfituar me mijëra familje që nuk kanë kërkuar dhe as nuk kanë nevojë për këto dhurata. Do të përfitojnë edhe familje që nuk jetojnë fare në Kosovë. Këto pare do të shpërndahen dhe nuk do të kenë asnjë impakt as social e as ekonomik”, thekson ai.