“Organizatë terroriste e organizuar nga krimineli Vuçiq me qëllim që të...”, “zbulohen” shkaqet pse nuk u certifikua Lista Serbe

Politika

“Organizatë terroriste e organizuar nga krimineli Vuçiq me qëllim që të...”, “zbulohen” shkaqet pse nuk u certifikua Lista Serbe

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 24 dhjetor 2024 Në ora: 20:01
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë të hënën nuk ka certifikuar Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

Shkak për mos certifikim, sipas shumicës së anëtarëve të KQZ-së, janë thirrjet nacionaliste të kryetarit të Listës Serbe në Kosovë, Zlatan Elek, i cili i ka bërë gjatë prezantimit të listës zgjedhore.

“Rroftë Bashkimi serb, rroftë uniteti serb, rroftë Lista Serbe, rroftë shteti i Serbisë”, ka thënë Elek, e audion e tij e lëshoi të hënën anëtari i VV-së në KQZ, Sami Kurteshi, në mbledhje.

Ai i akuzoi përfaqësuesit e kësaj liste për mbajtje të kontakteve me pushtetin e Aleksandar Vuçiqit në Serbi.

“Sipas mendimit tim, ky subjekt politik është strofull e njerëzve që kanë bërë dhe bëjnë vepra terroriste, e në ato ka qenë edhe nënkryetari që i ka pranuar dhe ende sot është i lirë, jeton i lirë dhe organizon ende akte terroriste kundër Kosovës. Të gjitha këto janë elemente që duhet të jenë në Kodin e Mirësjelljes të çdo partie që merr pjesë në zgjedhje”, ka thënë ai.

Kundër certifikimit të Listës Serbe doli edhe anëtari tjetër i VV-së, Alban Krasniqi, i cili kërkoi veprime nga Prokuroria e Shtetit.

E në këtë proces ka abstenuar anëtari i PDK-së, Arianit Elshani, i cili ka kujtuar se verifikimi i listave të kandidatëve ka kaluar nëpër disa institucione dhe asnjë prej tyre nuk ka dhënë ndonjë vërejtje.

“Në qoftë se ata anëtarë të Listës Serbe janë pjesë e këtyre akteve terroriste është mirë që MPB-ja ta marrë në trajtim, këtë dokumentacion e ka pasur në email. Le të na thotë saktë për kandidatët, le të na thotë saktë për këtë subjekt politik”, ka thënë Elshani.

Ndaj moscertifikimit të Listës Serbe ka reaguar menjëherë presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, por nuk kanë nguruar as reagimet e ndërkombëtarëve, të cilët kanë kërkuar që mos të politizohen zgjedhjet dhe ata t’i drejtohen PZAP-së për ankesë.

“Kurrë nuk e pranoi Lista Serbe shtetin e Kosovës”

Analisti politik Muhamet Kelmendi, thotë se Lista Serbe është organizatë nacional- terroriste dhe ka ideologji tipike raciste.

Sipas tij, qëllimi i tyre është ripushtimi i Kosovës ose ndarja dhe copëtimi i saj.

“Lista Serbe është organizatë terroriste, KQZ është organ i pavarur. Me kushtetutën e Republikës së Kosovës vepron dhe vendose KQZ vetëm në bazë të ligjit. Shikuar këtej Lista Serbe del se është organizatë nacional-terroriste dhe ka ideologji tipike raciste. Qëllimi është ripushtimi i Kosovës ose ndarja dhe copëtimi i Republikës. Lista Serbe përbëhet dhe udhëhiqet nga kriminelët e emëruar nga Serbia. Mbi këtë subjekt bien demonstratat dhe dhuna e bërë ndaj 90 ushtarëve të KFOR-it. Nën udhëheqjen e Listës Serbe u bënë sulmet ndaj Kosovës në Banjske nga grupi terrorist i Radoiciqit. Ky ishte edhe udhëheqes i Listës Serbe. Edhe sulmi i tashëm ndaj kanalit Ibër-Lepenc shkon në llogari të këtij subjekti kriminal dhe të shtetit serb. Ndaj aksioneve të tilla reagoi Lista Serbe me përkrahje të veprimeve kriminale, duke i cilësuar ato në aksione "çlirimtare". Në emër të luftës për të drejta u përkrahen dhe u mbajtën ditë zie në Kosovë dhe në Serbi. Lista Serbe mbajti tre ditë zie. U vlerësuan aktet terroriste në veprimtari dhe në atdhetari të popullit serb”, shprehet Kelmendi.

Image
Analisti politik Muhamet Kelmendi

Lista Serbe tërë aktivitetin e saj politikë e juridik e kombinon me dhunë, thotë Kelmendi, gjersa shton se KQZ ka vepruar me ligj dhe vendimet e saj janë kushtetuese.

“Lista Serbe nuk u distancua as nga plagosjet dhe lëndimet e 90 ushtarëve të KFOR-it në Zveçan të vitit 2023. Po kështu mbeti pasiv dhe në heshtje e përkrahën edhe aktin terrorist në kanalin Ibër-Lepenc. Tërë aktivitetin e vet politikë e juridik e kombinon me dhunë. Po nga kjo Listë u organizuan edhe bllokimet e rrugëve në veri të Kosovës. Kurrë nuk e pranoi Lista Serbe shtetin e Kosovës. Tërë aktivitetin e drejtoi kundër shtetit dhe integritetit të vendit. E lanë Kuvendin deputetët e Listës Serbe dhe vetëm për të ardhura nënshkroheshin një herë në gjashtë muaj në Kuvend. Deklaratat e Ambasadës së SHBA-së është shqetësuese. Nuk dihen shkaqet pse Ambasada u shpreh kundër vendimit të KQZ. Nga shteti serb nuk pritet qëndrim përkrahës i vendimit të KQZ-së. Lista Serbe është e organizuar nga krimineli Vuçiq. Këtej është edhe përkrahja e Listës Serbe dhe sulmet ndaj shtetit të Kosovës. Këto qëndrime nuk duhen të shqetësojnë KQZ-në. KQZ ka vepruar me ligj dhe vendimet e saj janë kushtetuese. Nuk u morë qëndrim mbi bazën e urrejtjes nacionale a raciste. Nuk ka veprim antiligjor. Qëndrimi është ligjor. Këtë duhet të përkrahi SHBA. Nuk përkrahen subjektet kriminale dhe terroriste. Nuk ka vend në botën demokratike për kriminelë dhe terroristë”, shton analisti.

Për mos certifikimin e Listës Serbe, ka folur të martën kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka thënë se ajo ka qenë fort problematike, edhe para se të ndodhte sulmi në Banjskë.

“Mos të harrojmë se edhe para sulmit terrorist në Banjskë, Lista Serbe ka qenë fort problematike, përshkallëzimi i situatës vjen kur ata me urdhër nga Beogradi dhanë dorëheqje në Prokurori, Gjyqësi, në komuna atje, dhe nga Parlamenti i Kosovës më 5 nëntor 2020. E kur kësaj ia shtojmë edhe sulmin terrorist në Banjskë i cili është kryer nga nënkryetari i Listës Serbe Milan Radojiçiq, i cili vazhdon edhe sot të jetë defacto shefi i Listës Serbe, sepse eksponentët e Listës Serbe, takohen me Radojiçin në Serbi, marrin urdhra prej tij, është e qartë qëndrimi ynë si Lëvizje Vetëvendosje që kemi përfaqësuesit në KQZ nuk ka mundur të jetë ndryshe”, deklaroi Kurti.

“Vendimi për listën nuk duhej të konsiderohet i kundërligjshëm”

Ndërsa, analisti politik Ali Heritca, thotë se Lista Serbe çdoherë ka qenë kundër shtetit dhe ligjeve si dhe kundër njohjes së shtetit dhe simboleve.

Sipas tij, subjekti i tyre përmban nacionalizëm dhe shovenizëm.

“Akti i partive politike është një projekt-ligj që do të bashkojë rregullat ekzistuese për partitë politike. Në kushtetutën është përcaktimi i rregullave, që të synon të garantojë të drejtat themelore, si liria e organizimit dhe ushtrimi i lirë i të drejtave aktive dhe pasive të votimit. Të gjitha subjektet politike janë të obliguara që të zbatojnë në përpikëshmëri zbatimin e ligjit kushtetues dhe ligjor që janë të përcaktuara me ligj, që çdo subjekt që shkel rregullat është e sanksionuar, por edhe mundet të mos certifikohet kur cenon rendin kushtetues dhe atë shtetëror siç është Lista Serbe ku çdo herë është kundër shteti dhe ligjeve dhe mos njohjes së shtetit dhe simboleve shtetërore. Një subjekt politikë që në vete përmban nacionalizëm dhe shovenizëm dhe atë kriminal duhet t’i ndalohet apo ndërpritet aktiviteti politik, sepse është faktor destabilizimi në shoqërinë demokratik siç është Lista serbe të prit nga kriminelet. Përfaqësues të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), kanë dalë kundër certifikimit të kësaj partie – e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar duke përmendur që kjo parti nuk e njeh shtetin e Kosovës, dhe atij nuk i referohet me emrin zyrtar, por si “Kosova dhe Metohia që ky term është anti kushtetues dhe ligjor bile të gjitha partive duhet t’u ndalohet me ligj ky term urrejtës dhe nxitës siç është “Kosova i Metohia” që mos të përmendet në tempullin e demokracisë Kuvendi i Republikës”, thekson Hertica.

Image
Ali Heritca

Sipas tij, vendimi për Listën Serbe nuk duhej të konsiderohet i kundërligjshëm.

Çdo subjekt politik që është kundër Republikës dhe kushtetutës, ku nuk e njeh shtetin, himnin dhe flamurin, sipas Herticës, duhet të pezullohet nga gara.

“Anëtarët e tjerë në mbledhjen e KQZ-së kanë thënë se Lista Serbe ka zbatuar në përpikëshmëri rregullat dhe ligjet e dalë nga kushtetuta e Republikës për të marrë pjesë në zgjedhje parlamentare dhe ato lokale. Ankesat kanë të drejtë të ankohen ndaj një vendimi të tillë, pasi Zyra për Regjistrimin e Partive Politike tashmë ka konfirmuar se kjo listë i plotëson të gjitha kriteret. Procesi zgjedhor duhet të jetë transparent, i besueshëm dhe pa ndërhyrje politike. Ne jemi të shqetësuar nga përfshirja e kësaj strukture kriminale që është e motivuara politikisht në operimin kësaj kundër shtetit dhe demokracisë sepse asnjë shtet nuk do të toleronte një parti kriminale të jetë pjesë e parlamentit dhe të shpërblejë nga buxheti dhe taksa e qytetarit që ajo të merret me terrorizëm dhe të ketë procesin e certifikimit të kandidatëve në KQZ. Veprime të tilla dëmtojnë parimet themelore të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, duke i hapur derën ndikimit subjektiv politik mbi procesin zgjedh do të ishim në rregull me ligj, edhe duke respektuar me rregull zyrën për certifikim. Vendimi për listën nuk duhej të konsiderohet i kundërligjshëm edhe pse ka paralajmëruar se kryetari i partisë këtë, mirëpo do ishte parimore që të japë më shumë hollësi në raportin e listës për anëtarët të cilit janë pjesëmarrës në aktet kriminale dhe terroriste dhe jo të marrë si kundër ligjshëm aktivitetin e saj politikë dhe mos lejimin e pjesëmarrjes në gara zgjedhore çdo subjekti politik që është kundër Republikë dhe kushtetutës ku nuk e njeh shtetin, himnin dhe flamurin duhet të pezullohet nga garat dhe të hetohet ligjërisht nga shteti për mos certifikim të Listës Serbe është që ajo parti nuk e ka dënuar asnjëherë sulmin në Banjskë, dhe që nuk është distancuar asnjëherë nga "aktet terroriste që kanë ndodhur në Kosovë””, përfundon analisti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat