"Shërbyes të Serbisë": Zbërthehet qëllimi i deklaratës së Ambasadorit Hill për sulmin në “Ibër Lepenc”: Ambasadat e një shteti..

Politika

"Shërbyes të Serbisë": Zbërthehet qëllimi i deklaratës së Ambasadorit Hill për sulmin në “Ibër Lepenc”: Ambasadat e një shteti..

Armirë Shaqiri Nga Armirë Shaqiri Më 25 dhjetor 2024 Në ora: 08:24
Dëmet pas sulmit në Ibër Lepenc

Më 29 nëntor ndodhi sulmi terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit në Zveçan.

Autoritetet në Kosovë kanë thënë se pas këtij sulmi qëndron Serbia. Madje i kanë bërë thirrje diplomacisë perëndimore të mbajë përgjegjëse Serbinë për sulmin e 29 nëntorit në kanalin e furnizimit me ujë nga liqeni i Ujmanit në veri të Kosovës, duke theksuar se sulme të tilla janë kërcënim për paqen dhe sigurinë në rajon dhe në Evropë.

Por, të hënën që kaloi, Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, dha një deklaratë që u konsiderua si jo fort të mirë për Kosovën.

Ai tha se nuk sheh prova që Beogradi është përfshirë në sulmin e 29 nëntorit në kanalin e furnizimit me ujë nga liqeni i Ujmanit në veri të Kosovës, për të cilin autoritetet në Kosovë akuzuan Serbinë.

"Ne sigurisht nuk shohim prova që do të çonin në Beograd, por dikush e bëri atë dhe duhet të kryhet një hetim i plotë. Mendoj se është mirë që ne po i ofrojmë mbështetje atij hetimi përmes FBI-së (Byroja Federale e Hetimeve) dhe mendoj se është e rëndësishme. Por, e tëra flet për faktin se ka mungesë besimi dhe tendencë për të akuzuar njëri-tjetrin”, tha ai, sipas një përkthimi të televizionit shtetëror serb.

Nga ana tjetër, mbrëmë, në një konferencë për media, Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Millan Radoiçiq ka dhënë urdhrin për kryerjen e sulmit në kanalin e Ibër-Lepencit më 29 nëntor, ndërsa shteti i Serbisë ka përgjegjësi për financim, planifikim dhe logjistikën e sulmit, që ka pasur synim rrezikimin e sigurisë kombëtare.

Arifi: Policia e Kosovës do ta ndriçojë rastin

Image
Avni Arifi

Njohësi i politikës dhe ish-ambasadori, Avni Arifi, në një prononcim për “Bota sot”, thotë se kushdo që të jenë kryerësit e krimit, ata janë shërbyes të Serbisë.

“Pavarësisht deklaratave të kujtdo, unë besoj në policinë e Kosovës dhe ekipet që po merren me ndriçimin e rastit. Besoj në aftësinë e tyre se do ta ndriçojnë rastin. E vërteta është, pavarësisht se kush do të jenë kryerësit e krimit, ata janë shërbyes të Serbisë”, deklaron Arifi.

Maraj: Hill nuk thotë që nuk duhet të hetohet lidhja e Beogradit me këtë sulm

Analisti Milazim Maraj thotë për "Bota sot" se deklarata e Ambasadorit Hillit bëri bujë shumë të madhe, kur dihet se sulmi në Ibër-Lepenc ishte i organizuar dhe ishte akt terrorist.

Image
Milazim Maraj

“Ambasadori i SHBA në Beograd u prononcua për shpërthimin në Kanalin Ibër-Lepenc që ndodhi më 29 nëntor 2024 në fshatin Vërragë (Varragë) në veri të Mitrovicës, që ishte akt terrorist. Për deklaratën e tij u fol dhe përfol shumë. Nga ajo që deri tani dihet për organizimet dhe sulmet e pandërprera agresore të Serbisë ndaj Kosovës, është shumë normale të dyshohet në sulm nga forcat ushtarake dhe paramilitare serbe. Ky akt u dënua nga SHBA dhe të gjitha shtetet demokratike të BE. Për këtë janë arrestuar disa qytetarë të nacionalitetit serb dhe janë bërë shumë bastisje. Nga intervistat që i kanë bërë organet e hetuesisë, janë ndaluar vetëm dy prej tyre. Ndërsa gjatë bastisjeve janë gjetur dhe konfiskuar shumë armë, emblema, veshje ushtarake dhe antiplumb, maska mbrojtëse nga gazrat helmuese etj. Kjo tregon se Serbia po përgatit dhe armatos serbët në veri që i ka, për t’i sakrifikuar për interesa të Serbisë së Madhe, që në fakt është Bota ruse”, shprehet ai.

Derisa, deklaratën e Hill-it ai shprehet se e ka parë ndryshe.

Kështu, Maraj ka potencuar se ambasadori ka lënë të kuptohet se nuk ka prova të mjaftueshme, e jo që nuk duhet të hetohet lidhja e Beogradit me këtë sulm.

Për deklaratën e Ambasadorit Hill në ambasadën e SHBA në Beograd u përfol shumë, u bënë shumë prononcime dhe analiza. Disa nga këto deklarata e Ambasadorit e shohin si të njëanshme, madje si shfajësim të Serbisë. Hetimet ende po vazhdojnë, është e çartë që nga gjithë ajo që dihet deri sot autorët janë serbë dhe mund të jenë bashkë me rusë nga Qendra ‘Humanitetit’ në Nish.

Në deklaratën e Hill thuhet që SHBA ende nuk sheh prova që e lidhin Beogradin me sulmin në Ibër-Lepenc. Kjo deklaratë nuk thotë që nuk duhet të hetohet lidhja e Beogradit për këtë sulm, por që nuk ka prova të mjaftueshme për ta akuzuar Serbinë. SHBA ka dërguar ekspertët e vet hetues nga FBI për të hetuar këtë akt.

Nuk e kuptoj që Ambasadori Hill ka thënë të orientohemi dikah tjetër, por të mos jepen vlerësime pa u mbyllur hetimet, pasi këto vlerësime janë të paargumentuara dhe si të tilla të pabesueshme. Kështu mendoj që duhet të kuptohet kjo deklaratë. Pas lajmit për aktin terrorist, ambasada e SHBA në Prishtinë ndër të tjera u deklarua hapur: ‘Kosovën e ka në mbrojtje SHBA’. Ambasadat e një shteti nuk kanë qëndrime të ndryshme për të njëjtën gjë. Hetimet do të tregojnë nëse plani dhe terroristët kanë lidhje me Serbinë, Rusinë, apo Republikën Serbe në Bosnje etj”, vlerëson ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat