Këshilli i Bashkimit Evropian pritet të deklarojë ditët/javët në vijimë se do t’i heqë gradualisht masat ndëshkuese ndaj Kosovës, por paralelisht me hapat tjerë që duhet të ndërmarrë Kosova për t’i ulur tensionet në veri.
Kjo porosi do të duhej të ishte pjesë edhe e konkluzioneve të ministrave të vendeve anëtare, në të ashtuquajturin Këshill i Çështjeve të Përgjithshme të Bashkimit Evropian.
Por, edhe në këtë pikë ka dallime në qëndrime mes vendeve anëtare.
E në lidhje me këto mospajtime brenda BE-së për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës, në një prononcim për “Bota sot” foli profesori Eshref Ymeri.
Së pari, ai u shpreh se duket hapur se ka dallime ndaj Kosovës, pasi dihet se disa shtete të BE-së kanë qenë edhe kundër bombardimit të Serbisë në vitin 1999.
“Sigurisht që ka dallime në radhët e Bashkimit Evropian në qëndrimin ndaj Republikës së Dardanisë. Sepse edhe gjatë pranverës së vitit 1999, disa shtete me peshë nuk kanë qenë dakord për bombardimin e Serbisë fashiste. Midis atyre shteteve, mund të përmendim Francën, pilotët e së cilës njoftonin paraprakisht trupat fashiste serbe se ku do të bëheshim bombardime. Kundër bombardimeve ka qenë edhe Britania. Për kuriozitetin tuaj:
Kur ministri i punëve të jashtme të Britanisë, Robin Kuk, i pati thënë Sekretares së Departamentit të Shtetit, Zonjës Ollbrajt, se juristët e tij asnjëherë nuk do ta aprovonin ultimatumin që i qe bërë Beogradit dhe nuk do ta përkrahnin planin e bombardimeve, Zonja Ollbrajt i pati thënë në një mënyrë të prerë: “Pajtoni në punë jurist të tjerë!” Me rastin e 10-vjetorit të bombardimeve, ish-këshilltari i de Golit, Pjer Galua, pati dërguar në Beograd një videoregjistrim të fjalimit të vet, në të cilin kishte zbuluar disa sekrete të NATO-s” – shpejgoi ai.
Madje, profesori kritikoi ashpër BE-në dhe politikat e saj ndaj kombit shqiptar, ku konsideroi se sanksionet dëshmojnë për një qëndrim të turpshëm ndaj Kosovës.
Në këtë pikë, potencoi edhe faktin se nuk ishin të pakta ato shtete që morën anën e Serbisë fashiste dhe puna arriti deri te vendosja e sanksioneve ndaj shtetit tonë.
“Domosdo që në Bashkimin Evropian do të ketë mospajtime, sepse Bashkimi në fjalë është trashëgimtar i asaj Evrope, e cila, tradicionalisht, në qëndrimin ndaj kombit shqiptar, ka pasë manifestuar vetëm amoralitet politik. Pesëshja evropiane që nuk e njeh pavarësinë e Republikës së Dardanisë, nuk është bërë kurrë objekt diskutimi në Bruksel. Pse? Sepse pas përfundimit të luftës, nuk ishin të pakta ato shtete që morën anën e Serbisë fashiste dhe puna arriti deri te vendosja e sanksioneve Republikës së Dardanisë. Ato sanksione dëshmojnë për një qëndrim të turpshëm të Brukselit ndaj vendit-viktimë.
Republika e Dardanisë duhet të mbështetet fuqimisht në forcat e veta, duke përballuar burrërisht tradhtinë e opozitës thaçiste dhe kryetradhtinë e Ramës, agjentit të Vuçiçit”, përfundoi Eshref Ymeri për “Bota sot”.