Ish-eprori i lartë i UÇK-së dhe ish-agjenti i SHIK-ut, Naim Miftari, ka bërë akuza të rënda ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe bashkëpunëtorëve të tij, duke pretenduar se ata kanë lobuar për ndarjen e Kosovës dhe kanë bashkëpunuar me shërbimet sekrete serbe.
Në një deklaratë, Miftari ka përmendur emra si Vlora Çitaku, ish-ambasadore e Kosovës në SHBA, duke e cilësuar atë si "sekretare private" të Thaçit dhe duke pretenduar se ajo ka punuar për ndarjen e Kosovës.
Miftari gjithashtu ka akuzuar Thaçin dhe Kadri Veselin për lidhje me shërbimin sekret francez DGSE gjatë luftës, duke sugjeruar se ata kanë bashkëpunuar me interesa të huaja që synonin ndarjen e Kosovës.
Sipas Miftarit, këto veprime kanë pasur për qëllim eliminimin e kundërshtarëve politikë dhe ushtarakë, si dhe ndarjen e Kosovës, por kanë përfunduar me arrestimin e vetë Thaçit dhe bashkëpunëtorëve të tij nga Gjykata Speciale në Hagë.
Këto akuza janë pjesë e një serie deklaratash të Miftarit, i cili ka qenë kritik i ashpër i udhëheqësve politikë të Kosovës dhe ka ngritur shpesh çështje që lidhen me integritetin dhe veprimet e tyre gjatë dhe pas luftës.
“Sekretarja private e Hashim Thaçit, e pranon më në fund se gabuan për themelimin e Gjykatës Speciale. Ajo tha se gabuan pasi kanë menduar se vet nuk do të përfundojnë në burg, por qëllimi ishte i mirë se në burg do të dërgonin Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin, Sami Lushtakun, Daut Haradinajn, Sokol Bashotën, Agim Qekun, Shukri Bujën, Sokol Dobrunën, komandantët e Zonave..., prandaj sipas saj, i gënjyen dhe përfunduan edhe vet në burg, pa mundur të ndajnë Kosovës e të ia kthenin tokat e Rankoviçit Serbisë”, përfundon Naim Miftari.