Gjatë ditës së sotme, presidenti serb, Aleksandër Vuçiq ka thënë se Serbia nuk do ta njohë me asnjë çmim pavarësinë e Kosovës dhe do të vazhdojë të udhëheqë një politikë të pavarur, në përputhje me interesat e saj kombëtare.
“Së pari, ata po përpiqen që sa më shpejt të përfundojnë gjithçka për Kosovën dhe shohin që derisa jam unë kryetar i kësaj qeverie, ne nuk do ta njohim pavarësinë e Kosovës me asnjë çmim”, ka thënë presidenti serb.
Pas kësaj deklarate të Vuҫiq ka reaguar profesori universitar që vepron në Amerikë, Prof.Dr. Binak Maxharraj. Ai në një prononcim për ‘Bota sot’ ka thënë se Kosova nuk ka nevojë për njohjen e Serbisë.
“Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq e paska përsëritë sot për të satën herë se: Derisa jam unë kryetar i kësaj qeverie, ne nuk do ta njohim pavarësinë e Kosovës me asnjë çmim”. Punë e madhe qe shteti gjenocidal i Serbisë nuk e njeh Kosoven si shtet i pavarur dhe demokratik. Kosova as që ka nevojë të kërkojë nga Serbia te na njohë si shtet”, thotë ai.
Maxharraj thotë poashtu se Kosova as që duhet të kërkojë njohjen e Kosovës si shtet, kur dihet që Serbia tash e më shumë se 100 vjet ushtron terror mbi kombin shqiptar që asnjëherë historikisht nuk e ka njohur si komb, por gjithherë është munduar t'i asgjësojë, t’i zhdukë, duke i përndjekur nga trojet e veta etnike.
“Se fundmi Kosova as që duhet të mbajë dert, e lëre më te kërkojë njohjen e Kosovës nga Serbia, prandaj presidenti Vuçiq le të llomotitë sa te dojë se nuk do ta njohin Kosovën si shtet. Vuçiq e di fort mirë se Kosova edhe pa njohjen e Serbisë është e njohur nga mbi 117 shtete te botës dhe se nuk ka nevojë edhe për njohjen nga Serbia”, vlerëson profesor Maxharraj.