Kosova është në fushatë elektorale për zgjedhjet e përgjithshme. Më 9 shkurt të 2025 zhvillohen votimet. Ka mbetur diku te gjashtë javë. Fushata elektorale ka hyrë në fazën e saj vendimtare.
Alternativat që partitë politike kanë shpalosur janë të ndryshme. Opozita po bën më shumë premtime elektorale, madje prej shumë javësh, sesa mazhoranca.
Kështu shprehet profesori Enver Bytyçi, i cili thotë se, fushatën po e bëjnë edhe për vendime, të cilat nuk varen nga politika ose institucionet e shtetit të Kosovës.
“P.sh Ramushi thotë se “për katër vjet do ta pranoj Kosvën në NATO“! Se çfarë roli ka Ramushi ose ndonjë tjetër në këtë, nuk e di. Se çfarë formule do të ndiqet për ta realizuar këtë, së paku kreu i AAK-së nuk e ka shpjeguar”.
“LDK thotë se do të bëjë mrekullinë ekonomike. Ndërkohë Luta del e thotë se „duhet t’i japim diçka Serbisë, p.sh 17 fshatrat e Leposaviqit, që të marrim njohjen prej saj”! Nuk e di se cila është alternativa e saktë e Lidhjes Demokratike. Ajo që thotë Abdixhiku, apo ajo që shpreh yëvendësi i tij. Ndërsa te PDK fushatën e bën Bedri Hamza vetëm. Edhe kur dikush i del në prononcime, si Vlora Çitaku, PDK bën autogol. Sepse flasin politikanë të saj të implikuar keq në aferat e së shkuarës deri me territore. Flet psh një këshilltar e ministrë i PDK, Çollaku, i cili në janar 2018 lajmëroi shqiptarët e Kosovës e gjithandej se „në dialogun Kosovë-Serbi do të ketë kompromise të dhumbshme“! Ai ishte i pari që solli në publik idenë e Serbisë për ndarjen e Kosovës. Megjithatë qytetarët e Kosovës janë „të dënuar“ ta dëgjojnë edhe sot. Ka shumë prej këtyre!”, thotë ai.
Ai shton se Kurti ka bërë fushatë dhjetë fish më tepër jashtë Koasovës sesa në Kosovë.
“Nuk e di nëse ka frikë se mos ia merr votuesit e diasporës opozita apo jo! Por e di se vota e diasporës është shumë e vlefshme për të. Në Kosovë Albin Kurti sapo ka nis fushatën elektorale. Dhe në nisje të saj ka kërkuar që 500 mijë shqiptarë e nga pakicat ta votojnë atë. Këtë objektiv ka përcaktuar ai. Eshtë një pikëmbërritje e vështirë. Sepse gara nuk është dhe aq e lehtë. Opozitarët e tij nuk janë bashkuar formalisht kundër Kurtit. Por praktikisht ata duket se koordinohen për ta sulmuar atë. Eshtë ndërtuar një projekt informimi e dez-informimi. Shoh se mediet opozitare arrijnë disa herë që dietat deri në 1000 euro të ndonjë delegacioni t’i shndërrojnë në opinion si akt korrupsioni, kur Ramushi dhe ish-presidenti vetëm për verë dhe gosti kanë harxhuar qindra mijë e madje miliona euro. Me këtë dua të them se Albin Kurti është nën një sulm të paparë”, shton ai.
Profesori thotë se ka përshtypjen se sulmet kundër Albinit në Kosovë i dirigjon Tirana zyrtare.
“Fjalimi i Ramush Haradinajt në parlament ishte absolutisht së paku përpjekje e tij për të kënaqur apetitet e Edi Ramës, në mos miratimi i këtij të fundit. Kryeministri i Shqipërisë është në kontakt çdo ditë me krerët e opozitës në Kosovë dhe jep udhëzime se si e ku ta godasin kryeministrin e Kosovës. Ndërkohë ju e keni vënë re se Baton Haxhiu këto kohë më shumë po qëndron në Kosovë sesa në Shqipëri. Ai është transmetues i udhëzimeve të Edi Ramës te eksponentët e opozitës në Kosovë. Por shoh se Ramushi është më besnik edhe se Memli Krasniqi ndaj tij. Pra, dua të them se gjithë kjo propagandë dhe hiperbolizim e gjërave të vogla synon ta dobësojë pozitën elektorale të Albin Kurtit. Mos harrojmë dhe provokimet propagandistike të Beogradit e deri të Moskës”, potencon ai.
Sipas tij, në këto kushte kryeministri Kurti duhet të ndërtojë një strategji të përgënjeshtrimit të akuzave pabazë, bazuar në të qenit i sinqertë dhe i vërtetë, për të pranuar se çfarë ka bërë gabim në këto katër vite.
“Në këtë mënyrë ai jep besim te qytetarët. Zoti Kurti, për mendimin tim, duhet të argumentojë se sovraniteti në veri është me rëndësi jetike për ekzistencën e shtetit të Kosovës dhe se zhdukja e ekzistencës së këtij shteti dhe më pas e vetë shqiptarëve ka qenë është dhe do të jetë politikë shtetërore e më gjerë e Serbisë. Duhet të dëshmojë se si do ta rikthejë plotësisht sivranitetin e shtetit në veri dhe prej kur banorët e veriut e të Kosovës do të ndjehen të qetë e të sigurt në shtëpitë e në pronën e tyre!”
“Nuk e di, por besoj se ai ka nevojë të shpjegojë në këto kohë të fushatës elektorale edhe programin ekonomik, krahas atij të mbrojtjes dhe sigurisë, si dhe të bindë votuesit se ka një strategji për të arrit shtetësinë e plotë të Kosovës bashkë me ndërkombëtarët. Ka njerëz, të cilët nuk e kuptojnë dhe nuk e pranojnë konfliktin me aleatët ndërkombëtarë. Ata duan të shohin një zgjidhje, një perspektive ndryshe në të ardhmen. Kurti e ka për detyrë ta shpjegojë këtë”, thekson ai.
Profesori pohon se, me veprat që ka kryer dhe nëse Kurti i realizon, ai ka mundësi t’i marrë 500 mijë vota dhe të garantojë një qeverisje vetëm me Lëvizjen Guxo, pa patur nevojë për paterica, të cilat mund ta lënë në rrugë.
“Për një gjë jam i bindur: - Albin Kurti ose duhet t’i fitojë edhe në këtë mandat më shumë se 50 përqind të vendeve në parlament, ose duhet të shkojë në opozitë me premtimin se kurrë nuk do të lejojë asnjë mazhorancë tjetër të luajë me interesin e Kosovës, me kufijtë e saj, me territorin dhe aspekte të tjera që e cënojnë shtetësinë e saj. Fushata duhet të zhvillohet në front. Kryefjalë e saj duhet të jetë shtetësia!”, përfundon profesori Enver Bytyçi.