A po mbështetet Lista serbe nga ndërkombëtarët?, ja si përgjigjet analisti serb

Politika

A po mbështetet Lista serbe nga ndërkombëtarët?, ja si përgjigjet analisti serb

Nga: N.E Më: 26 dhjetor 2024 Në ora: 14:31
Lista serbe

Partia më e madhe serbe në Kosovë, Lista Serbe, është në pritje të certifikimit të saj për zgjedhjet e 9 shkurtit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po pret që të përfundojnë procedurat ligjore në mënyrë që të vendosë më pas për futjen në rend dite të çështjes së certifikimit të Listës Serbe për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

Më 25 dhjetor, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) anuloi vendimin e KQZ-së për moscertifikimin e Listës Serbe dhe e urdhëroi atë që ta certifikojë këtë parti.

“Në vendimin e PZAP-it ka këshillë juridike, sipas së cilës lejohet ankesa kundër tij në Gjykatën Supreme, brenda 48 orëve nga momenti i marrjes së vendimit. Andaj, KQZ, para caktimit të kësaj çështje për në rend dite, do të presë përfundimin e procedurave ligjore”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Më 23 dhjetor, përfaqësuesit e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, votuan kundër certifikimit të Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit.

Ndërkaq, përfaqësuesit e partive të tjera abstenuan.

Lista Serbe, që e cilësoi këtë veprim të kundërligjshëm, e mirëpriti vendimin e PZAP-it dhe tha se vendimi i 23 dhjetorit ishte përpjekje “për eliminimin e Listës Serbe” nga procesi zgjedhor.

Në vendimin e tij, PZAP-i tha se Zyra për regjistrim, certifikim dhe kontroll financiar të subjekteve politike kishte rekomanduar që Lista Serbe të certifikohej pasi kishte dorëzuar dokumentacionin në përputhje me Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme dhe me rregullat e tjera të KQZ-së.

Pra, sipas PZAP-it, Lista Serbe ka plotësuar kriteret pasi ka dorëzuar “deklaratën politike”, listën e kandidatëve dhe aplikimin për secilin kandidatë dhe për këtë parti Zyra për regjistrim dhe certifikim ka marrë informacionet nga institucionet përgjegjëse për verifikimin e partive, ashtu siç kërkohet me Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme.

Paneli i gjyqtarëve, i përbërë nga gjyqtarët Arsim Hamzaj kryesues, Kujtim Pasuli, Hidajete Gashi-Alaj dhe Bujar Muzaqi tha se sipas Ligjit për zgjedhje, “KQZ-ja e certifikon subjektin politik me të drejtë pjesëmarrjeje nëse i njëjti e dorëzon aplikimin e dorëzuar në formën e përshkruar dhe në datën e vendosur nga rregullat e KQZ-së”.

Fillimisht për mos certifikimin e Listës Serbe, kanë reaguar ndërkombëtarët të cilët kërkonin që çështja të mos politizohet dhe madje ata kanë sugjeruar që kjo parti t’i drejtohet PZAP-së

Analisti serb Ognjen Gogic, ka komentuar vendimin e KQZ-së fillimisht dhe pastaj të PZAP-së për Listën Serbe.

“ Vendimi për refuzimin e certifikimit të Listës Serbe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duket se i ka munguar një bazë solide ligjore dhe mund të konsiderohet i paligjshëm. Nuk ka arsye të qarta për të justifikuar këtë veprim dhe prandaj është bërë anulimi i tij. Është shqetësuese të shihet sesi procedurat ligjore po anashkalohen nga manovrat politike. Ky vendim duket të jetë një lëvizje e motivuar politikisht nga Vetëvendosja, e cila ka të ngjarë të synohet si një strategji fushate për të nxitur bazën e tyre mbështetëse”, shprehet Ognjen Gogic.

Ai thotë se reagimi ndërkombëtar më shumë pasqyron një çështje parimore sesa mbështetje apo miratim.

Sipas tij, vendimet e certifikimit duhet të bazohen në kriteret ligjore dhe jo në preferenca politike.

“Reagimi ndërkombëtar më shumë pasqyron një çështje parimore sesa mbështetje apo miratim për Listën Serbe. Dënimi nxjerr në pah një shqetësim më të gjerë në lidhje me ligjshmërinë e procesit të certifikimit. Vendimet e certifikimit duhet të bazohen në kritere ligjore, jo në preferenca politike. Sigurimi i një procesi të drejtë dhe transparent është thelbësor për ruajtjen e besimit në institucionet demokratike dhe mbrojtjen e të drejtave të të gjitha subjekteve politike”, përfundon Gogic.

Kujtojmë, se Lista Serbe ka njoftuar se do të marrë pjesë në zgjedhjet e 9 shkurtit pas një periudhe të bojkotimit të proceseve politike në Kosovë.Më 2022, pjesëtarë të kësaj partie patën dhënë dorëheqje në mënyrë kolektive nga institucionet e Kosovës, si shenjë kundërshtimi ndaj vendimeve të autoriteteve të Kosovës për shtrirje të autoritetit në gjithë territorin e vendit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat