Kërkohet përjashtimi i Listës Serbe, analisti tregon argumentet e forta

Politika

Kërkohet përjashtimi i Listës Serbe, analisti tregon argumentet e forta

Nga: P.R. Më: 26 dhjetor 2024 Në ora: 19:04
Foto ilustrim

Edhe pse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve fillimisht nuk e certifikoi për të garuar në zgjdhjet e 9 shkurtit, Lista Serbe do të jetë pjesë e garës.

Kjo vjen pasi Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka anuluar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe e ka urdhëruar atë që ta certifikojë partinë politike, Lista Serbe, për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

Por ndalimin e Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet e 9 shkurtit po e kërkon analisti politik, Gani Qarri.

“Nisur nga vet fushëveprimtaria e saj tërësisht e dyshimtë e konspirative dhe anti-Kosovë, e ashtuquajtura "listë serbe", ishte momenti i fundit, jo vetëm të mos certifikohej, por pas ndalimit të organizatave terroriste serbe , të ashtuquajturave "mbrojtja civile" dhe e ashtuquajtura "brigadë e veriut", kjo e fundit, organizatë paramilitare terroriste serbe, udhëheqës i të cilës, ishte pikërisht nënkryetari zyrtar dhe kryetari faktik i "listës serbe" kryeterroristi Millan Radojçiq, përveç moscertifikimit do duhej ndaluar urgjentisht edhe veprimtaria e saj në Kosovë. Ndaj pas të gjitha këtyre argumenteve, është shumë e rëndë të shohësh se si nuk votohet edhe nga opozita, mos certifikimi i një segmenti kaq të dyshimtë agjenturor serb, si e ashtuquajtura "listë serbe", madje nga ndonjëri të shkohet deri në ekstreme, me deklarata të llojit më antikombëtar, se para kryeministrit Kurti, do të votonte për “listën serbe”, pjesëtarët e dyshuar e të cilës, për aktet e kryera kriminale dhe pjesëmarrjen në aktet terroriste, janë në kërkim dhe hetohen nga policia e Kosovës, gjë që është dëshmuar edhe me fakte autentike se janë përgjegjës për shkeljen e rendit kushtetues e juridik, si dhe rrezikojnë publikisht integritetin territorial dhe rendin kushtetues e juridik të Republikës së Kosovës”, shprehet Qarri.

 Qarri thotë se Lista Serbe e ka dëshmuar në vazhdimësi që është nën urdhrat e Aleksandër Vuçiqit dhe kundër rendit kushtetues të Kosovës.

Image
Gani Qarri.

“Për ata ekstremist dhe parti agjenturore serbe, që punojnë për Serbinë, kundër vendit tonë, e quajnë vendin tonë edhe me termat fyese të Aleksandër Vuçiqit, nga koha e okupacionit serb, për përuljen e shtetit të pavarur të Kosovës, përveç moscertifikimit, pjesëtarët e dyshuar të saj, për akte kriminale dhe terroriste, duhet të thirren në përgjegjësi për shkeljen e rendit kushtetues e juridik si dhe të pezullohet automatikisht, edhe vendimi për 10 vende të rezervuara deputetësh të Kuvendit të Kosovës, për një minoritet të pa integruar dhe segment konspirativ si e ashtuquajtura "listë serbe" që nga krijimi punon në vijimësi vetëm për Serbinë dhe Aleksandër Vuçiqit, ekspozohet hapur kundër shtetit të Kosovës dhe deklarohet publikisht se nuk "njeh" shtetin në të cilin edhe vet si segment konspirativ jeton”, thekson Qarri.

“Për aq më tepër, e ashtuquajtura "listë serbe", edhe ashtu, ka mbi dy vite që ka përjashtuar vetveten nga zgjedhjet dhe çdo pjesëmarrje në jetën politike komunale dhe qendrore e publike të Republikës së Kosovës, madje ajo me urdhra të Vuçiqit është larguar, në mënyrë të vullnetshme dhe deklarativisht me "vetdëshirë" nga të gjitha institucionet e Kosovës, nuk ka marrë pjesë në zgjedhjet lokale dhe ka penguar një pjesë të pakicës serbe në veri që të marrin pjesë edhe në regjistrimin e popullsisë, që është mbajtur po këtë vit në Kosovë. Që në vitin 2022, pjesëtarët e kësaj partie, me thirrjen e Aleksandër Vuçiqit, janë vetdorëhequr në mënyrë kolektive nga institucionet e Kosovës, në shenjë kundërshtimi të shtrirjes së rendit juridiko-kushtetues dhe autoritetit shtetëror në veri të vendit tonë, që deshi apo jo, krijesa hibride dhe e dyshimtë serbe, është dhe mbetet pjesë e patjetërsueshme e territorit të Republikës së Kosovës”, shpjegon analisti Qarri.

Më tej, ai thotë se është ë paktupueshme që Listës Serbe t’i lejohet pjesëmarrja në zgjedhje, kur dihet aktiviteti i saj gjithnjë kundërshtues ndaj Kosovës.

“Madje përkundër të gjitha thirrjeve që të ashtuquajturës "listë serbe", disa herë i janë bërë jo nga institucionet e Kosovës, por edhe nga SHBA e BE, për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale dhe jetën politike të Kosovës, ajo vet ka refuzuar pjesëmarrjen, duke e konsideruar për kryetar të saj Aleksandër Vuçiqin, konceptuar veten si subjekt në shërbim të Serbisë, duke quajtur Kosovën me terma të kundërligjshëm dhe fyes të Aleksandër Vuçiqit dhe mos njohur, deklarativisht as shtetin e Kosovës, andaj nuk e kuptojë arsyen, se pse ashtuquajtura "listë serbe", kësaj radhe dashka të marrë pjesë në zgjedhjet e Kosovës. Derisa këto zgjedhje janë të Kosovës, mbahen në Kosovë dhe votuesit janë shtetas dhe banorë të Kosovës, votat e kujt do ti kërkojë kësaj radhe, këndë do ta përfaqësoj, në cilat institucione do ta japë betimin, integrohet dhe angazhohet pas zgjedhjeve, ky subjekt konspirativ politik i mbushur me persona të dyshimtë e kundërvajtës, pjesëmarrës në krime dhe akte terroriste, që janë në ndjekje nga shteti ynë, subjekt i dyshimtë, vepron kundërligjshëm dhe thotë se nuk e njeh shtetin as institucionet e Republikës së Kosovës?!”, shton Qarri.

Sipas tij, Lista Serbe është e involvuar nga akte terroriste kundër shtetit të Kosovës, ku kryetari i saj, Milan Radojeçiq ishte ai që organizoi sulmin terrorist në veri të Kosovës.

“Duke qenë se e ashtuquajtura "listë serbe" është kthyer totalisht në marionetë të Aleksandër Vuçiqit dhe pjesëtarët e saj, janë gjetur të involvuar në të gjitha aktet e kundërligjshme deri te pjesëmarrja fizike në sulmet më të rënda terroriste në Kosovë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk kishte se si ta certifikonte Listën Serbe, për pjesëmarrje në zgjedhjet e reja parlamentare të Kosovës, të cilën ajo deklaron se nuk e njeh për shtet të vetin, vendim i patejkalueshëm dhe në momentin më të duhur me të cilin po i jepet një goditje edhe kriminelit Vuçiq, kur dihet se kjo "listë" meleze, punon për të dhe nën urdhrat e tij”.

“Ndaj para se e ashtuquajtura "listë serbe" t’u drejtohet mekanizmave adekuatë, si Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), apo edhe Gjykatës Supreme, fillimisht duhet të dëshmoi në vepër, se është parti e Kosovës, njeh Kryeministrin e Presidenten si dhe shtetin e pavarur të Republikës së Kosovës, si shtet të vetin, respekton ligjet dhe kushtetutën e saj dhe distancohet publikisht nga veprimet terroriste të kryeterroristit Millan Radojçiq e bashkëkriminelve dhe terroristëve tjerë serb,  anëtarët e të cilës, ishin edhe pjesëtarë aktiv të të dy organizatave të ndaluara terroriste serbe, në veri dhe është dëshmuar pjesëmarrja e tyre e drejtpërdrejtë në aktet më të rënda terroriste, që nga bllokim i rrugëve, sulmet ndaj KFOR-it dhe policisë së Kosovës, agresioni terrorist në Banjë të Zveçanit, akti terrorist dhe subversiv në kanalin Ibër-Lepenc etj, të gjitha këto të kryera në Kosovë”, shpjegon Qarri.

Më tej, Qarri shton se Lista Serbe është produkt i dyshes Thaçi-Vuçiq.

“Në fakt, e ashtuquajtura "listë serbe" jo vetëm që është produkt hibrid shqiptaro-serb i dyshes kontroverse Thaçi-Vuçiq, por ajo mbetet një grupim i rrezikshëm konspirativ, që nuk e pranon Kosovën për shtet të vetin, vepron si parti e Serbisë në vendin tonë, nuk e njeh shtetin e Kosovës, përdor termat përulëse të Vuçiqit, që nga koha e okupacionit serb të vendit tonë, për emërtimin sa më fyes të mundshëm të Republikës së Kosovës, segment agjenturor dhe i krijuar në mënyrë të dyshimtë, me agjendë të paqartë dhe tërësisht konspirative të dyshes së musketarëve Thaçit & Vuçiq”.

“Një segment konspirativ dhe agjenturor ultranacionalist serb, që deri para një viti, mbante në krye të saj, figurën më të urryer dhe kryesore terroriste si Millan Radojçiq, e cila ka edhe sot në mesin e vet, figurat më kriminale e pse jo edhe terroriste serbe, nga të cilët kërcënohet publikisht rendi kushtetues e juridik, integriteti territorial dhe ligji e kushtetutshmëria në pjesën veriore të Republikës së Kosovës, ndaj pas ndalimit të organizatave terroriste serbe, të ashtuquajturës "mbrojtje civile" dhe kobëzezës tjetër, të ashtuquajturë "brigadë e veriut" duhet ndaluar medoemos edhe krahu i saj politik, e ashtuquajtura "listë serbe", duke u përjashtuar përfundimisht dhe përjetësisht edhe nga lista zgjedhore dhe njëjtë si simotrave të saj, ti ndalohet urgjentisht edhe veprimtaria në Kosovë!”, përfundon analisti Gani Qarri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat