Nuk kanë mbetur shumë ditë nga zgjedhjet e reja parlamentare, derisa edhe fushatat e partive politike janë më intensive dhe më të ashpra karshi njëra-tjetrës.
Megjithatë, kryeministri Albin Kurti, njëherësh kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje është i bindur në një fitore masive, derisa edhe ka potencuar se ‘pragu’ për partinë e tij është 50 për qind, jo 5 për qind si për partitë e tjera.
E në lidhje me këto zhvillime politikë në prag të zgjedhjeve të reja, për “Bota sot” ka folu veprimtari nga Gjermania, Idriz Zeqiraj.
Së pari, ai përmendi një mesazh të shkrimtarit Gorki, e që sipas tij do ishte shumë e përshtatshme për opozitën e sotme, në veçanti për partitë e PAN-it.
“Shkrimtari Maksim Gorki jepte një porosi të artë: "Mos u mundohuni të mohoni gjithçka tek tjetri, sepse rrezikoni të mos u besojë askush për asgjë". Kjo porosi e autorit të njohur të romanit "Nëna", është fort adekuate, për opozitën e sotme, në veçanti, për ate PAN-iste. Si llavë e ujqërve të uritur, në bjeshkët borë-shumë, janë tufëzuar analistë e banalistë, fytyra rrast të kriminalizuara, sorollatën nga njëri televizon tek tjetri, pothuaj se, të gjithë në pronësi të partive-banda të PAN-it kriminal”.
Po ashtu, Zeqiraj përmendi arsyet që e dërguan LVV në fitore bindëse me 14 shkurt 2021, derisa elaboroi edhe shkaqet se pse partia në pushtet do të fitojë përsëri.
Në këtë pikë, ai ‘goditi’ partitë që synonin ta themelonin Asocaicionin, e që sipas tij janë bërë ‘palë me shtetin serb’.
“Nëse zgjedhjet e shkurtit 2021, Vetëvendosje i fitoi, pasi populli u bind se "komandantët", mashtrues e gënjeshtarë, pretendonin se e bënë luftën, pa asnjë betejë ballore, asnjë fitore dhe ia mohonin gjithçka Ibrahim Rugovës, si dhe këta "biçim komandantësh, arrestuan, maltretuan dhe vranë ushtarakët luftëbërës të FARK-ut dhe kundërshtarët politikë, kuadro e veprimtarë të LDK-së, të cilët e bënë paqen dhe luftën; kishin vjedhur zyrtarisht, duke abuzuar me pushtetin, duke degraduar Sistemin e Drejtësisë; Arsimin, me doktorata të blera dhe punësime në Universitete e Gjimnaze; Shëndetësinë të lënë pa pajisje mjekësore bashkëkorohore dhe pa përgaditur personelë mjekësor të specializuar dhe shkatërruar gjithçka tjetër në Kosovë.
Tani Vetëvendosje do të fitojë, sërishmi, për mohimin e gjithçkaje që ka bërë në mandatin e saj 4-vjeçar Qeveria Kurti, përfshi edhe shtrirjen faktike të sovranitetit në veriun e Kosovës. Pamëdyshje, se ky sovranitet është i bishtë, por edhe më të brishtë po e bëjnë partitë-banda të koalicionuara në PAN-in kriminal, të cilat, që nga humbja e pushtetit, në zgjedhjet e shkuara, janë bërë palë me Serbinë, në sulmin e vrazhdët kundër Vetëvendosjes, me aleatët e saj "Alternativa dhe "Guxo". Gadishmëria e PAN-it, për ta bërë Asociacionin, edhe pse kryeshefi i tyre, Hashim Thaçi, nënshkrues i tij, e quan - kancer të Kosovës -. Për sanksione akuzon Kurtin dhe Vetëvendosjen e tij dhe jo Serbinë dhe BE-në; të gjitha veprimet sovraniste në veri, i quan fushatë për vota. Policinë e Kosovës, e krahason me atë të Millosheviçit. 1 (një) miliard euro, 1/3 e buxhetit të shtetit, të shpërndara për skamnorët e Kosovës, i quan "vitra" e "sadaka". Pushtetin me demokracinë më të zhvilluar në rajon e më gjerë, i vlerësuar edhe nga ndërkombëtarët, e quan diktaturë!” – shpjegoi ai.
Në vazhdim, veprimtari nga Gjermania përmendi edhe bllokimin e Vettingut, ligjit për konfiskim të pasurisë së paligjshme, si dhe frikën për ritkthim të kriminelëve në pushtet, si faktorë që shqiptarët do e votojnë sërish Kurtin dhe LVV.
E përveç kësaj, ai shpreson që mund të ketë edhe koalicion LVV-LDK.
“Pikërisht, për këto mohime dhe shpifje groteske, të propagandës lehaqene të PAN-it, për të nxirë gjithçka të pozitës aktuale, në stilin e filosllavit Enver Hoxha; bllokimin e VETTING-ut, të ligjit për sekuestrimin e pasurisë të pa mbuluar, të pa justifikuar nga PAN-istët, dhe frika e kthimit në pushtet të krimit dhe të kriminelëve, me ndihmën e drejtëpërdrejtë të Beogradit zyrtar; të kryeministrit Edvin Rama me bandën e tij komuniste; të pjesës absolute të mediave, kryesisht, televizioneve, me portalet e tyre, shqiptarët do të votojnë përsëri Vetëvendosjen, me shpresën e një koalicioni me një partner të pranueshëm, të pa inkriminuar, siç është Lidhja Demokrtike e reformuar.
Armiqtë e jashtëm të Kosovës, duket se janë koordinuar me kundërshtarët e mërdhezur, (si fytyra e Halil Matoshit), të Kurtit dhe të Vetëvendosjes së tij, për t`i kthyer në pushtet bashkëpunëtorët e tyre, njerëzit e shantazhuar, me dosje të hershme krimesh faktike. Sepse ata janë të dëgjueshëm, pazarët bëhen lehtësisht dhe të leverdishme për armiqtë, siç ka ndodhur me dialoguesit e mëparshëm, "po bëjmë vetëm dialog teknik dhe jo politik", por "doli dardhë me bisht!" Me keqardhje, në mos e tmerrshme, edhe disa nga radhët e miqëve tanë, miq, siç thotë populli, -për kokë-, preferojnë zgjidhje të shpejta. Dhe, të shantazhuarit janë gjithmonë të dëgjueshëm, të gatshëm edhe për kompromise të dëmshme për vendin, në këmbim të përfitimeve personale. Përballja me armiqtë, është më e lehtë, se sa përballja me miqtë. Prandaj, të keqen, në mundësi, duhet parandaluar”, shpjegoi Zeqiraj,
Tutje, ai vlerëson se koalicioni LVV-LDK, ka qenë më i pranueshmi për shqiptarët, duke e përmend edhe ndikimin që kishin Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi, për prishjen e koalicionit në vitin 2020.
“Është shansi që Albin Kurti me shokë, t`i bëjë një shërbim të madh Vetëvendosjes, e parasegjithash Kosovës. Dihet, madje botërisht, se koalicioni LVV-LDK, ka qenë më i pranueshmi për shqiptarët vendor dhe ata të përbotshëm, sepse ishte i pari koalicion me partner të pa kriminalizuar. Se kush e prishi atë koalicion, e ka thënë kreu i deputetëve të LDK-së dhe vet ish-kreu i partisë, Isa Mustafa:"Unë e prisha koalicionin me LVV", sepse ashtu e urdhëroi njeriu që e kishte katapultuar në krye të LDK-së, pra, Hashim Thaçi me SHIK-un e tij. Andaj, hedhja e idesë të një koalicioni pas zgjedhor, LVV-LDK, pavarësisht kuotës të votave, rezultatit zgjedhor. do të ishte i mirëqenë për të dy subjektet. Çështjet ideologjike janë hiç, në krahasim me parësoren kombëtare. Është koha për punë të mençura dhe zgjidhje të pranueshme”.
Gjithashtu, ai kishte edhe disa fjalë për kritikët e Kurtit dhe LVV-së, me specifikisht për partitë e PAN-it.
“Për çudë, sa më shumë ulurima e lehje, aq më shumë po refuzohen nga shqiptarët, të cilët i akuzojnë për sabotimin e luftës; për vrasjen e shtarakëve luftëbërës të FARK-ut të Ibrahim Rugovës dhe politikë; haraçin masiv; uzurpimet dhe tenderimet kriminale; për rrënimin e sistemit të Drejtësisë, të Arsimit dhe të Shëndetësisë dhe të gjithë katalogun e pisllëqeve tjera. Me paturpësinë më të madhe, me një barrë krimesh faktike, sërishmi kërkojnë votën nga populli, kërkojnë kthimin në pushtetin e përgjakur të djeshëm!
Në këto rretzhana, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, me cinizëm e përtallë opozitën, se "pragu për partitë e tjera është 5 për qindshi, ndërsa për VV - 50 për qind"”, përfundoi Idriz Zeqiraj për “Bota sot”.