Dhjetëra mijëra veta u mblodhën të dielën në një shesh qendror në Beograd duke protestuar kundër presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiç dhe qeverisë së tij.
Protesta e organizuar nga studentët dhe sindikatat e fermerëve, është pjesë e një lëvizjeje më të gjerë që kërkon përgjegjësi për shembjen e çatisë së stacioni hekurudhor në qytetin verior të Novi Sadit, që ka pas vetes 15 të vdekur me një nëntor.
Shumë në Serbi fajësojnë për fatkeqësinë korrupsionin e përhapur dhe punimet e dobëta në ndërtesën e stacionit hekurudhor, që u rinovua dy herë në vitet e fundit si pjesë e projekteve të dyshimta që përfshijnë kompanitë shtetërore kineze. Protestuesit kërkojnë që Presidenti Vuçiç dhe përgjegjësit për shembjen e çatisë, të përballen me drejtësinë.
Mirëpo, ka parashikime se “karriga e pushtetit” është duke iu lëkundur Vuçiqit, derisa thuhet se mund të marrë ndonjë veprim të jashtëm siç është veriu i Kosovës, për të tërheq vëmendjen nga problemet e brendshme.
Në lidhje me këto protesta dhe ndikimin e tyre te e ardhmja politike e presidentit serb, në një prononcim për “Bota sot” foli ish-ambasadori holandez, Robert Bosch.
Sipas tij, pushteti i Vuçiqit nuk është në rrezik, për shkak të disa arsyjeve.
Në këtë pikë, përmendi marrëveshjen për litiumin dhe mbështetjen që e merr tërthorazi nga ambsadori amerikan, Christopher Hill.
“Mendoj se për momentin pozita e Vuçiqit nuk është në rrezik, kjo pasi si autocrat, ai është një ‘mjet’ i dobishëm në duart e shumë prej të fuqishmëve.
Marrëveshja e litiumit me BE-në e tregoi këtë dhe deklaratat mbështetëse nga Hill shpesh e tregojnë këtë qartë!”, u shpreh Bosch, përcjell “Bota sot”.
Kujtojmë se, amabsadori Hill ditë më parë i tha televizionit shtetëror serb se Shtetet e Bashkuara janë të kënaqura që Serbia e mbështet procesin e dialogut.