Serbia refuzon vizitat e ministrave të Kosovës në Preshevë, eksperti i sigurisë tregon veprimin e shpejtë që duhet ndërmarrë Kosova

Politika

Serbia refuzon vizitat e ministrave të Kosovës në Preshevë, eksperti i sigurisë tregon veprimin e shpejtë që duhet ndërmarrë Kosova

Nga: H.O. Më: 26 dhjetor 2024 Në ora: 22:47
Qeveria e Kosovës

Qeveria e Serbisë ka refuzuar vizitat e paralajmëruara të disa ministrave të Republikës së Kosovës në Luginën e Preshevës, Medvegjë dhe Bujanoc, pavarësisht se të gjitha kërkesat kanë qenë në përputhje të plotë me procedurat e Marrëveshjes së Brukselit për vizita zyrtare.

Kështu ka deklaruar, Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi.

’Këto veprime janë pjesë e një strategjie të qëllimshme për të mbajtur tensionet në shkallë të lartë, për të minuar përpjekjet për normalizim dhe për të destabilizuar rajonin. Provokimet e vazhdueshme të Serbisë, përfshirë aktet terroriste në Banjska dhe Ibër-Lepenc, dëshmojnë synimin e saj për përshkallëzim konfliktesh, duke penguar paqen dhe marrëdhëniet fqinjësore’’, ka deklaruar ajo.

Mirëpo, si duhet vepruar institucionet e Kosovës në këtë rast? Ku duhet ankuar për këtë veprim të Serbisë?

Lidhur me këtë ҫështje në një prononcim për ‘Bota sot’, eksperti i sigurisë, Hysen Gecaj thotë se, kjo gjë sidomos këtyre ditëve edhe pritej përgjigje e këtillë pas rritjes së tensioneve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Image
Hysen Gecaj

“Refuzimi i vizitave të ministrave të Kosovës në Luginën e Preshevës nga ana e Serbisë, përkundër respektimit të Marrëveshjes së Brukselit, është një shkelje e hapur e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe një tregues i qasjes obstruktive të Serbisë ndaj dialogut dhe normalizimit të marrëdhënieve”, thekson ai.

Sipas tij, institucionet e Kosovës mund të ndërmarrin këto hapa.

“Ngritja e çështjes në Bashkimin Evropian (BE): Kosova duhet t’i drejtohet menjëherë Bashkimit Evropian, si ndërmjetësues i dialogut Kosovë-Serbi, duke kërkuar një reagim të qartë ndaj Serbisë për shkeljen e Marrëveshjes së Brukselit. Përmes ekipeve diplomatike, Kosova duhet të theksojë se veprime të tilla dëmtojnë procesin e dialogut dhe besimin ndërmjet palëve. Paraqitja në Këshillin e Evropës dhe OKB: Kosova mund të raportojë këtë incident në forumet ndërkombëtare, si Këshilli i Evropës dhe Kombet e Bashkuara, për të rritur ndërgjegjësimin mbi pengesat e vazhdueshme të Serbisë ndaj normalizimit dhe të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Angazhimi i partnerëve strategjikë: SHBA dhe vendet e tjera mbështetëse të Kosovës duhet të informohen për këtë shkelje, duke kërkuar nga ta të bëjnë presion mbi Serbinë për respektimin e marrëveshjeve dhe të drejtave ndërkombëtare. Përfshirja e Avokatit të Popullit dhe organizatave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut: Për të dokumentuar dhe kundërshtuar kufizimin e vizitave zyrtare, Kosova mund të kërkojë përfshirjen e organizatave për të drejtat e njeriut për të dënuar këtë praktikë të Serbisë. Përdorimi i diplomacisë publike: Kosova duhet të angazhohet për të informuar opinionin ndërkombëtar dhe mediat globale për këtë veprim të Serbisë, duke theksuar natyrën diskriminuese dhe kundër marrëveshjeve ndërkombëtare të refuzimit. Përcjellja e një mesazhi të qartë për reciprocitet: Qeveria e Kosovës duhet të shqyrtojë opsionin e masave reciproke në rast se Serbia vazhdon të pengojë aktivitetet e zyrtarëve të Kosovës në mënyrë të njëanshme dhe pa arsye të bazuar”, vlerëson Gecaj.

Ai thotë se, këto hapa janë të nevojshëm jo vetëm për të adresuar rastin konkret, por edhe për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe për të ruajtur kredibilitetin e Kosovës në skenën ndërkombëtare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat