“Është ‘Kali i Trojës’”, kërkohet urgjent përjashtimi i Listës Serbe: I shërben agjendave kriminale të…!

Politika

“Është ‘Kali i Trojës’”, kërkohet urgjent përjashtimi i Listës Serbe: I shërben agjendave kriminale të…!

Nga: A.M. Më: 27 dhjetor 2024 Në ora: 09:57
Foto ilustrim

Më 23 dhjetor, përfaqësuesit e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, votuan kundër certifikimit të Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit.

Lista Serbe e kishte cilësuar këtë vendim si të kundërligjshëm dhe kishte njoftuar se do t'i drejtohej PZAP-it.

Më 25 dhjetor, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) anuloi vendimin e KQZ-së për moscertifikimin e Listës Serbe dhe e urdhëroi atë që ta certifikojë këtë parti.

E në lidhje me pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, ka folur opinionisti Skënder Kapiti.

Ai në një prononcim për “Bota sot” tha se Lista Serbe nuk e meriton të jetë e regjistruar si parti politikë në Kosovë, madje kërkoi përjashtimin e saj nga zgjedhjet.

Image
Skender Kapiti

Në këtë pikë, ai përmendi lidhjet e LS me Begoradin, duke e cilësuar si “kali politik i Trojës” në Kuvendin e Kosovës.

“Lista Serbe jo vetëm të përjashtohet nga zgjedhjet, por ajo duhet të nxirret jashtë ligjit. Gjithcka që sillet e vepron kundër ligjit, që nuk përputhet dhe që bie ndesh me të, është e jashtëligjshme.

Prandaj, Lista Serbe, në të vërtetë nuk e meriton që të jetë e regjistruar as si parti politike në Kosovë, ajo duhet të nxirret jashtë ligjit për veprimtarinë e saj subversive dhe diversioniste, e që dirigjohet nga Beogradi, sepse ajo është kali politik i Trojës në Parlamentin e Kosovës. Asaj i duhet ndaluar që të marrë pjesë në zgjedhjet politike në Kosovë, përderisa ajo sillet sikur të ishte parti politike antishqiptare e shtetit të Serbisë. Edhe të veprosh kundër shtetit të Kosovës, edhe të kërkosh që të marrësh pagën nga taksapaguesit kosovarë kjo nuk shkon, pasi kështu janë mësuar serbët në Kosovë, i shërbejnë Serbisë dhe nuk paguajnë as taksa dhe as rrymen elektrike”, nënvizoi opinionisti.

Po ashtu, ai tha se asnjë parti politikë nuk duhet t’u shërbejë agjendave kriminale të Beogradit, kësisoj tha se përjashtimi i LS do ishte më se i merituar dhe për këtë nuk do duhej të kishte reagime dhe as shqetësime nga ana e bashkësisë ndërkombëtare.

“Një parti politike që regjistrohet në Kosovë, ajo duhet të bindet dhe të veprojë sipas ligjit dhe Kushtetutës së Kosovës, dhe jo të veprojë e t’u shërbejë agjendave kriminale dhe urdhrave të Beogradit me qëllim të destabilizimit të shtetit.

Përjashtimi i Listës Serbe nga zgjedhjet është i merituar në kuadrin e mbrojtjes të legjitimitetit shtetëror të Kosovës, të asaj të veprimit sipas ligjit të të gjitha institucioneve demokratike të saj, duke përfshirë edhe atë të partive politike në shtetin e Kosovës.

Dhe mos të shqetësohet ndokush dhe as mos të shqetësohen në Perëndim sikur po shkelen parimet demokratike në Kosovë pse përjashtohet Lista Serbe. Nuk shkelet parimi i zgjedhjeve të lira, kur një organizatë politike përjashtohet nga zgjedhjet pse ajo sillet si bandë terroriste kundër rendit kushteues të shtetit të Kosovës”, përmbylli Skënder Kapiti për “Bota sot”.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat