Tahiri tregon “arritjen e Serbisë” në veri të Kosovës: Ne do të përkushtohemi që…

Politika

Tahiri tregon “arritjen e Serbisë” në veri të Kosovës: Ne do të përkushtohemi që…

Nga: N.E Më: 27 dhjetor 2024 Në ora: 11:49
Besnik Tahiri

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se mund të ndodhin ende sulme të reja nga Serbia, dhe grupet që ajo i financon.

Në një konferencë për media të enjten, ai ka thënë se sulme të tilla mund të ndodhin edhe para dhe pas Vitit të Ri.

“Sulme të tjera terroriste dhe sabotazhe ndaj strukturës kritike dhe objektitave të tjera të rëndësishme në Kosovë, sidomos në veri. Janë paralajmëruar nga organizatat terroristë që po strehohen në Serbi duke përmendur festat e fundvitit dhe Krishtlindjen ortodokse. Sulmet mund të synohen të realizohen varësisht nga interesat politike të kreut të shtetit serb, posaçërisht tensionet e brendshme në Serbi, protestat e vazhdueshme opozitare atje”.

“Kësi metodash të sfidimit të sigurisë në Republikën e Kosovës, të cilat për pasojë kanë jo vetëm cenimin e dëmtimin e infrastrukturës vitale, shkaktimin e incidenteve ndëretnike të cilat Serbia i nxitë fort, pastaj shkaktimin e panikut në mesin e qytetarëve, e krejt në fund, edhe krijimin e një imazhi të një vendi jostabil, pritet të ndodhin edhe në të ardhmen e afërt dhe veçmas para dhe pas Vitit të Ri”

“Mirëpo, jemi të përkushtuar që edhe këtë metodë të mbetur të Serbisë ta neutralizojmë maksimalisht, përkundër se sulme të tilla, janë sfiduese edhe për shtete të fuqishme. Veçmas nëse këto shtete e kanë mbështetjen dhe sponzorimin e një shteti tjetër, në këtë rast si Serbia”, ka thënë Kurti.

Gjersa, situate në veri vazhdon të jetë e brishtë, tashmë partitë politike janë në garë për zgjedhje të reja dhe bëjnë deklarime të ndryshme për gjendjen atje.

Lidhur me hapat se çfarë do t’i ndërmerrte AAK-ja në raport me gjendjen në Mitrovicën e veriut, ka folur për “Bota sot”, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.

Ai thotë se problemet në atë pjesë të Kosovës, më shumë se të sigurisë janë politike dhe ndërhyrjet e Serbisë sim jet për ta penguar Kosovën të ecë përpara.

“ Aleanca, çdo pjesë të Kosovës, e sheh si pjesë integrale të Kosovës, ashtu siç beson se shtetësia bashkë me të gjitha atributet e saj, është e pa kthyeshme. Por që punon fort në konsolidimin e saj të brendshëm, e afirmimin e saj ndërkombëtar. Kosova, ka ndërtuar institucione të qëndrueshme të sigurisë, kjo është vijimësia e vlerave mbi të cilat është ndërtuar liria, por edhe mbështetja që kemi marrë nga bota demokratike. Ne, angazhohemi të garantojmë të gjitha të drejtat për komunitetin në ato komuna, e të sigurojmë integrim të plotë në institucione. Problemet në atë pjesë të Kosovës, më shumë se të sigurisë janë politike, ndërhyrje e mjet i Serbisë, për ta penguar Kosovën të ecë përpara”, shprehet Tahiri.

Sipas tij, ata do të përkushtohen në partneritet, e rikthim të besimit të ndërkombëtarëve në Kosovë.

Krijimi i mos besimit mes Kosovës dhe aleatëve, sipas Tahirit, është arritje e Serbisë.

“Ashtu si liria, shtete-ndërtimi edhe konsolidimi i plotë dhe anëtarësimi është projekti i përbashkët mes nesh dhe aleatëve. Ne i përkushtohemi këtij partneriteti, e rikthimit të besimit në Kosovën, në mënyrë që tendencave për destabilizim në atë pjesë, e përpjekjeve për ta kthyer prapa Kosovën, ti përgjigjemi me bindjen në vlerat e shtetit, frymës Kushtetuese, e partneritetit të fortë me ShBA-të dhe aleatëve të dëshmuar. Krijimi i mos besimit, mes Kosovës dhe aleatëve, është arritje e Serbisë e kujdestarëve të saj, për ta prezantuar Kosovën në narracionin e vjetër, duke sfiduar vetë lirinë, e shpallur shtet të dështuar. Kjo, narrativë, është ndalur, në të gjitha rrethanat, duke konsoliduar shtetin, përfshirë edhe krijimin e Ushtrisë”, përfundon Tahiri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat