Më 25 dhjetor, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) anuloi vendimin e KQZ-së për moscertifikimin e Listës Serbe dhe e urdhëroi atë që ta certifikojë këtë parti.
Mirëpo, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po pret që të përfundojnë procedurat ligjore në mënyrë që të vendosë më pas për futjen në rend dite të çështjes së certifikimit të Listës Serbe për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
“Në vendimin e PZAP-it ka këshillë juridike, sipas së cilës lejohet ankesa kundër tij në Gjykatën Supreme, brenda 48 orëve nga momenti i marrjes së vendimit. Andaj, KQZ, para caktimit të kësaj çështje për në rend dite, do të presë përfundimin e procedurave ligjore”, ka thënë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Më 23 dhjetor, përfaqësuesit e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, votuan kundër certifikimit të Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit. Ndërkaq, përfaqësuesit e partive të tjera abstenuan.
Lidhur me këtë vendim të KQZ-së, ka folur në një prononcim për ‘Bota sot’, profesori i juridikut, Blerim Burjani. Ai thotë se, vendimi i KQZ-së është jo i bazuar në ligj, është i qartë me ligj për zgjedhjet e përgjithshme, në cilat raste nuk certifikohen subjektet politike.
“Është vendim i motivuar politikisht. Të gjithë e dimë kush është Lista Serbe dhe ҫfarë bën, por të ndodhë jo certifikimi është dashtë të shpallet subjekt politik i padëshiruar dhe i rrezikshëm me akte që ka ndërmarrë, por natyrisht për të shpallë subjekt politik të rrezikshëm duhet pasur fakte”, thekson Burjani.
Ai thotë se pas kësaj, duhet të zhvillohet procedura, por këtu nuk ka pas procedurë për të shpallë një subjekt politik të rrezikshëm për qytetarët dhe shtetin e Kosovës, kjo nuk ka ndodhë.
“Kjo nënkupton se nuk ka pas procedurë paraprake ku shkruhet një raport nga MPB e Kosovës dhe i dërgohet prokurorisë dhe pastaj procedura shkon në gjykatë për trajtim. Pra, kjo është lojë politike, ku topi shkon të PZAP, që e kanë dit që ky institucion e rrëzon vendimin e KQZ-së dhe e detyron certifikimin. Pra ka qenë lojë e sinqertë me publikun dhe lojë për përfitime politike në zgjedhje. Largimi i Listes Serbe nuk mund të ndodhë kështu si e kanë filluar, andaj KQZ nuk ka ҫka ankohet në Gjykatë Supreme, se rasti është i humbur”, tha ai.
Profesor Burjani përmend një rast kur ka mundësi të realizohet ky vendim i KQZ-së.
“Ndikim ka nëse serbët e veriut bojkotojnë zgjedhjet e përgjithshme”, thotë Burjani për ‘Bota sot’.