Zgjedhjet parlamentare, analistët flasin për ndikimin e “votës së diasporës” – cila parti pritet të përfitojë më shumë?

Politika

Zgjedhjet parlamentare, analistët flasin për ndikimin e “votës së diasporës” – cila parti pritet të përfitojë më shumë?

Arife Morina Nga Arife Morina Më 28 dhjetor 2024 Në ora: 10:00
Foto ilustrim

 

Data e zgjedhjeve të reja parlamentare po afrohet.

E një ndikim të madh në këto zgjedhje pritet të ketë edhe vota e diasporës.

Periudha 120 ditore për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës ka përfunduar me 26 dhjetor.

Sipas të dhënave preliminare, numri i shtetasve të Kosovës që janë regjistruar si votues jashtë Kosovës në periudhën 29 gusht-26 dhjetor 2024, është 90,860.

Shqyrtimi i këtyre aplikimeve do të vazhdojë edhe ditët në vijim sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi,

“Gjatë periudhës së aplikimit (29 gusht – 26 dhjetor 2024) për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës për të votuar në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025, numri i shtetasve që janë regjistruar është 90,860, ndërkaq në momentin e përfundimit të periudhës në pritje për shqyrtim ishin 18,244 kërkesa, proces i cili është duke vazhduar. KQZ është brenda afateve të përcaktuara dhe pasi të përmbyllet shqyrtimi i çdo aplikimi të pranuar, do të kemi një raport përfundimtar për numrin e shtetasve të regjistruar për të votuar nga jashtë Kosovës, të ndarë sipas mënyrës së votimit dhe sipas shteteve”, tha Elezi.

Sipas të dhënave të KQZ-së, gjatë periudhës së aplikimit (13 janar – 21 janar 2021) për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës për të votuar në Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat janë mbajtur më 14 shkurt 2021, numri i aplikacioneve që janë pranuar dhe proceduar nga KQZ ka qenë 130 mijë e 168 aplikacione.

E në lidhje me ndikimin e votës së diasporës në zgjedhjet e 9 shkurtit, folën analistët politikë.

Xani: Pjesëmarrja e diasporës është e rëndësishme për proces demokratik

Image
Visar Xani

Së pari, në një prononcim për “Bota sot” foli analisti politik, Visar Xani, i cili u shpreh se të gjitha partitë politike kanë bërë fushata të mëdha në diasporë.

Ai tha se votat e diasporës, përbëjnë 7 deri ne 10 për qind të votave totale.

“Vota e diasporës mund të jetë interesante për shkak që të gjitha partitë politike kanë pasur një fushatë jashtëzakonisht të madhe në diasporë. Edhe nëse llogariten, praktikisht nga pjesëmarrja e kaluar që ka ndodh dhe e krahasojmë me të tashmen, mund të jetë diku në shtatë deri në dhjetë përqind e votave të përqindjes totale, që mund të ketë një parti, ose të gjitha partitë politike”.

Më tej, Xani foli edhe për efektin që mund të ketë vota e diasporës në rezultatin e këtyre zgjedhjeve.

“Pra, është një numër i madh i votave në diasporë, prandaj edhe efekti i tyre mund të jetë interesant, por që edhe rezultati i diasporës, përafërsisht mund të jetë pothuajse rezultati i i këtyre zgjedhjeve ose zgjedhjeve që ndodhin veç në Kosovë, përjashtimisht mbase një përqindje të vogël mund të ketë ndonjë efekt. Unë këtë e them për shkak se të gjitha partitë politike kanë pasur angazhim dhe nuk besoj që do të ketë ndonjë ndryshim të madh në këtë aspekt”.

Ndër të tjera, analisti tregoi rëndësinë që ka pjesëmarrja e diasporës në zgjedhje për një proces demokratik.

“Gjithsesi, pjesëmarrja e diasporës është e rëndësishme për proces demokratik dhe nga ky aspekt mund të themi që është i rëndësishëm, por që jo që do të pritet të ketë ndryshime të rezultateve të votës së diasporës, për shkak që nuk besoj që do të ketë edhe ndryshime të mëdha. Përjashtimisht, pra nga zgjedhjet e kaluara që Vetëvendosje ka pasur një angazhim të madh, kurse në këto zgjedhje e kemi pa edhe LDK-në, edhe PDK-në që kanë pasur angazhim të madh dhe këtu mund të balancojnë pra rezultatin e diasporës”, përfundoi Visar Xani për “Bota sot”.

Mehmeti: Përcaktuese për fitoren e VV do të jetë diaspora

Image
Faton Mehmeti

Kurse, analisti politik, Faton Mehmeti beson se diaspora me votat e saj do jetë përcaktuese e zgjedhjeve të reja parlamentare.

Ai në një bashkëbisedim me “Bota sot” potencoi se pikërisht mërgata do t’ia japë Kurtin mandatin e tretë.

Diaspora do të jetë përcaktuese për fatin e zgjedhjeve të 9 shkurtit. Rritja e numrit të të regjistruave për votim dhe një numër shumë i madh që pritet të vijnë enkas për zgjedhje, do i japin Kurtit mandatin e tretë. Duke ditur këtë, opozita ka bërë përpjekje për të frenuar mërgatën të marr pjesë, ndonëse këtë nuk e arriti”, nënvizoi ai.

Po ashtu, analisti tregoi edhe disa shifra që beson se do jenë numrat e votave të mërgimtarëve, të cilat do jenë përcaktuese për fitoren e Kurtit.

“Përcaktuese për fitoren e VV do të jetë diaspora, të cilët të vetëdijshëm se Kurtit i duhet te kalojë 50 %, janë regjistruar në shifra kaq të mëdha. Besoj dhe pres që me 9 shkurt të ketë afërsisht 200 mijë vota nga diaspora duke përfshirë edhe ato të atyre që do të vijnë veçanërisht në ditën e zgjedhjeve dhe të atyre që do të votojnë në ambasada”, përmbylli Faton Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat