Protestat masive në Serbi, a do të dorëhiqet Aleksandër Vuçiq?, analisti serb ‘befason’ me përgjigje

Politika

Protestat masive në Serbi, a do të dorëhiqet Aleksandër Vuçiq?, analisti serb ‘befason’ me përgjigje

Nga: N.E Më: 28 dhjetor 2024 Në ora: 10:08
Aleksander Vuciq

Studentë e qytetarë janë duke janë duke protestuar tash e disa ditë kundër Aleksandër Vuçiqit dhe qeverisë së tij.

Të dielën e kaluar kanë protestuar mbi 100.000 njerëz, duke e bërë kështu protestën më të madhe që nga 5 tetori i vitit 2000 kur u rrëzua Millosheviqi nga pushteti.

Thirrjes së studentëve që po bllokojnë fakultetet iu përgjigj një numër i madh i qytetarëve, të cilëve në protestë iu bashkuan edhe fermerët. Masiviteti i protestave është elementi që bie më shumë në sy, ndërkohë që shpresa kryesore e autoriteteve ishte shuarja graduale e protestave studentore, që filluan para disa javësh.

”Presim që institucionet të reagojnë dhe të fillojnë të bëjnë punën e tyre”, thotë një studente. Ndërsa një student tjetër shton se “është e rëndësishme që kryeprokurorja të shohë që ne kemi letra për të dhe të kryejë detyrën që nuk e ka kryer vitet e kaluara”.

Të premten para Prokurorisë, studentët ngritën qindra letra në ajër dhe lanë një grumbull në hyrje, duke kërkuar që prokurorja të reagojë. Ata kërkojnë ndjekjen penale të përgjegjësve, publikimin e dokumentacionit për rindërtimin e stacionit hekurudhor në Novi Sad dhe nisjen e procedurave kundër sulmuesve të protestuesve. Përmbajtja e letrës u lexua dhe u dorëzua zyrtarisht.

Kryeprokurorja Dollovac i ftoi studentët ta formojnë një delegacion për bisedime, por ata do të vendosin më vonë për këtë.

Na është thënë të formojmë një delegacion dhe t’i njoftojmë. Do ta shqyrtojmë këtë dhe do t’u njoftojmë”, tha Boris Stanishiq, student i Fakultetit Juridik.

Në protestë ishin edhe profesorë.

“Në Serbi, për fat të keq, mbretëron diktati, institucionet janë pothuajse inekzistente dhe ato përbëhen nga ndjekës që e zbatojnë atë diktat nga frika dhe përfitimet personale”, ka thënë Bojan Spajiq, profesor i Fakultetit Juridik.

Autoritetet akuzojnë studentët për protesta me motive politike të drejtuara kundër presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Studentët e mohojnë këtë, duke theksuar se kërkesat e tyre synojnë që institucionet kompetente ta bëjnë punën e tyre. Bllokadat e fakulteteve, siç thonë ata, do të vazhdojnë derisa të plotësohen të gjitha kërkesat.

Mirëpo, a po e mendon dorëheqjen Aleksandër Vuçiq?, për këtë ka folur analisti politik serb, Ognjen Gogic.

Sipas tij, Vuçiq nuk po e shqyrton dorëheqjen për momentin.

Ai thotë se qeveria po bën përpjekje për t’i mbuluar protestat.

“Presidenti Vuçiq nuk po e shqyrton dorëheqjen për momentin. Protestat aktuale, të ndezura nga pakënaqësia në brezin e ri pas tragjedisë në Novi Sad në nëntor dhe përpjekjet e perceptuara të qeverisë për ta mbuluar atë dhe për të shtypur mospajtimin, përfaqësojnë demonstratat më të mëdha gjatë mandatit të tij”, shprehet Gogic për "Bota sot".

Image
Ognjen Gogic

Tutje, ai konsideron se Vuçiq mbetet figura politike më e njohur në Serbi.

“Megjithatë, Vuçiq mbetet figura politike më e njohur në Serbi dhe nuk ka asnjë arsye politike bindëse që ai të largohet. Fokusi i tij duket të jetë në menaxhimin e krizës dhe gjetjen e mënyrave për të mbështetur udhëheqjen e tij”, pohon analisti.

Ndryshe, Vuçiq kishte përsëritur qëndrimin e tij se "nuk do t'ia dorëzojë askujt pushtetin pa zgjedhje, nuk ka bir nëne që do ta marrë pa zgjedhje sa të jem gjallë. Ju mund të më vrisni, por pa zgjedhje nuk do të merrni pushtetin”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat