“Po i shembet çatia”, protestat masive e sulmet terroriste kundër Kosovës – ja pikat e dobëta të Vuçiqit!

Politika

“Po i shembet çatia”, protestat masive e sulmet terroriste kundër Kosovës – ja pikat e dobëta të Vuçiqit!

Nga: A.M. Më: 28 dhjetor 2024 Në ora: 16:44
Protestat e mëdha kundër Vuçiqit në Beograd

Ndryshime të mëdha po priten në politikën serbe, pas protestave masive të mbajtura në Beograd.

Marrë parasysh, se qeveria serbe ka dështuar të implementojë politikat të mirëfillta, si në çështjet e brendshme, të jashtme, e po ashtu edhe ato në raport me Kosovën, duket se Vuçiq nuk e ka të sigurt pushtetin e tij.

Në një prononcim për “Bota sot” në lidhje me këtë temë foli opinionisti Dedë Preqi.

Si fillim, ai tha se politikat e Vuçiqit nuk janë befasuese dhe nuk dallojnë asgjë nga ato të paraardhësit të tij, Millosheviq.

Sipas tij, janë disa akterë që i kanë mundësuar Serbisë të bëjë lëvizje politike skandaloze kundër Kosovës.

“Vuçiqi dhe politika e Beogradit, nuk duhej të na befasonte shumë, sepse asgjë nuk ka ndryshuar pas pushtetit të Millosheviqit në Serbi, dhe ky njeri po luan rolin edhe më perfid se i pari, duke e mbajtë Putinin dhe Rusinë afër, dhe në anën tjetër po i rri karshi Evropës e SHBA-së, dhe politika e akterëve të tillë, paraqitet si e shkathtë në një mënyrë, me ç’rast po e pëson në veçanti Kosova.

Atëherë, kush duhet të fajësohet që Kosova dhe Serbia, nuk kanë përmirësim të marrëdhënieve, apo një marrëveshje përfundimtare, e cila po zvarritet një kohë të gjatë. Dhe, ku mbetet ndërmjetësimi i BE- dhe SHBA-ve, me që, mungon mundësia e kompetencave vendore, kuptimi i së cilës nuk mund të shprehet me anën e koncepteve politikave rebeluese të lidershipit vendor, që del në pah marrëveshja e fshehtë e Hashim Thaçit me Edi Ramën dhe Vuçiqin, duke bërë pazare me tokën e Kosovës (veriun e këtij vendi).

Edhe prej këtij këndvështrimi, Serbia e rritë mundësinë e veprimeve të saj skandaloze karshi Kosovës, sepse e shfrytëzoi këtë kuadër të dobët politik të lidershipit në Kosovë, dhe kështu Serbia, fiton kohë dhe merr optimizmin e saj për të depërtuar me konceptet dhe planet e veta të mitit serb mbi Kosovën, edhe pse e di fare mirë se është në rrugën e gabuar, prap se prapë ajo nuk ndalet me përdorimin e gjitha dredhive të veta, me qëllim të destabilizimit dhe pengimin e këtij vendi që të integrohet dhe të njihet si vend demokratik dhe nga shumë vende të botës”.

Në këtë pikë, Preqi përmendi edhe disa nga sulmet e fundit teroriste që ndodhën në veri të Kosovës, e të cilat erdhën si pasojë e urdhrave të presidentit serb.

Image
Dedë Preqi.

“Padyshim se tensionet dhe përkeqësimet e situatës ndëretnike ishin prezente menjëherë pas luftës, por kohën e fundit Kosova, po përballet në mënyrë të vazhdueshme me situata dhe ngjarje të rënda e terroriste, që i krijojnë grupet kriminale serbe në veri të vendit përmes planeve dhe urdhërave të Vuçiqit, siç ishte sulmi terrorist në Banjska të Zveçanit, ku humbi jetën rreshteri i policisë së Kosovës, z.Afrim Bunjaku dhe plagosen disa të tjerë.

Dhe tani, nga këto grupe kriminale pritej diçka tjetër, sepse nga mos ndëshkimi i tyre për sulmin në Banjska, do organizohet një plan ndryshe i sulmit, me një koncept puro-terrorist, duke e shpërthyer Kanalin e ujit Ibër-Lepenc, prej nga furnizohen me ujë disa qytete të këtij vendi, po ashtu furnizohet edhe KEK-u, për ftohjen e termoelektranës në prodhimin e energjisë”, shpjegoi ai.

Më tej, ai parashikoi edhe fundin e pushtetit të Vuçiqi, kjo duke marrë parasysh zhvillimet e fundit në Beograd dhe protestat masive që po mbahen atje.

“Do të ishte vështirë që të thuash se, cilat janë mundësitë e reja që i hapen këtij njerëzimi për një marrëveshje dhe përmirësim të marrëdhënieve, kur deri më tani autorët e krimit mbetën të lirë dhe të pa ndëshkuar, as nga Serbia dhe as nga BE-ja, dhe kryekrimineli dhe nënkryetari i Listës serbe, Milan Radoiçiq, bashkë me grupin terrorist në vend që të ndëshkohen në të kundërtën mund të gradohen nga udhërrëfyesi i tyre Aleksandër Vuçiq.

A thua, sikur po i vjen fundi Vuçiqit, dhe po i shembet çatia e tij e ndërtuar nga krimi dhe korrupsioni, dhe për shkak të politikave të tilla kontraverse në rajon dhe pushtetit autokrat në Serbi, sot sheshet e shumë qyteteve dhe qendrat e kryeqytetit të këtij vendi janë të stërmbushura me protestues nga anët e ndryshme të këtij vendi nga pa kënaqësia e qytetarëve kundër regjimit të presidentit Vuçiq”, potencoi Preqi.

Ndër të tjera, opinionisti vlerësoi se tani i kanë mbaruar intrigat dhe pushteti i diktatit, kësisoj Vuçiq është në një pozicion të vështirë.

Madje, shtoi se Novisadi dhe Vojvodina, janëë pikat më të dobëta të presidentit serb.

“Një pjesë e madhe e kësaj lëvizje, që përbëhët nga studentët e pa kënaqur me investimet e dobëta ndaj tyre nga qeveria e Vuçiqit, dhe shumë fermerë, punëtorë si dhe qytetarë tjerë të rëndomtë të këtij vendi, kërkojnë përgjegjësi për gjendjen e pakënaqur të kësaj popullate, që ka krijuar udhëheqja e Vuçiqit me kupolën e tij në Serbi, njëherazi kërkojnë përgjegjësi për shembjen e çatisë në stacionin e Novisadit, ku e humbën jetën mbi 15 përsona.

Vuçiqi, sikur nuk do të dorëzohej në një mënyrë dhe qëndrimin e tij në pushtet ia ka zgjatur Kosova, përmes politikave denigruese, propaganduese e antishqiptare që ka përpiluar ndaj këtij vendi dhe populli, por tani sikur iu kanë sosur intrigat dhe pushteti i diktatit, kur edhe popullata e vet është lodhur me mashtrimet dhe propagandat e tij, duke e ditur se Novisadi dhe Vojvodina, janë pikat më të dobëta të tij, të cilat shumë shpejt si stuhi të mëdha do ta përfshijnë Serbinë e Vuçiqit, për t’u ndarë nga kjo diktatur shekullore, që nuk i mungon elementi i një nisme të tillë, që do ta fundoste pushtetin autokrat të diktuar dhe të ndikuar nga pasardhësi i kriminelit Millosheviq”, përfundoi Dedë Preqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat