Dialogu Kosovë-Serbi tash e një kohë është një nga temat më të diskutuara.
Së fundi, ish-drejtori i çështjeve evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Charles Kupchan, paralajmëroi se presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, do të angazhohet për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Madje, ai u shpreh se Trump e ka emëruar Grenellin si të dërguar për misione të veçanta pikërisht për zgjidhjen e këtyre problemeve.
Avokati shqiptar, Spartak Ngjela në një prononcim për “Bota sot” foli mbi procesin e dialogut Kosovë-Serbi, ndikimin e SHBA-së në këtë proces, të cilin e cilëson si të kot.
Ai kërkoi nga Kurti dhe Kuvendi i Kosovës, që të mos bëjnë lëshime, sidomos në aspektin territorial.
“Shteti i Kosovës është i sigurt. Kurse, dialogu me Vuçiç është i kot, se ai nuk do ta njohë Kosovën.
Kurse kryeministri dhe parlamenti i Kosovën nuk duhet të bëjnë asnjë lëshim. Territori aktual i Kosovës, sot, është shenjtëria e Arbërisë modern”, u shpreh avokati.
Sipas tij, nuk ka çfarë të bisedohet me Serbinë, megjithatë shtoi se mbetet të shihet nëse Trump do e detyrojë Vuçiqin ta njohë Kosovën.
“Kosova nuk ka se çfarë të bisedojë me Serbinë, prandaj, pyetja është kjo: forca e presidentit Trump a do ta detyrojë Serbinë të njohë Kosovën?
Dhe kjo është çështja.
Megjithatë, të shohim kur të fillojë presidenca Trump!” – përmbylli Spartak Ngjela për “Bota sot”.