Ish-drejtori për çështjet evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Charles Kupchan, ka deklaruar për një nga televizionet shqiptare se presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, do të angazhohet për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Sipas Kupchan, Trump ka emëruar Richard Grenell si të dërguar për misione të veçanta pikërisht për t’u fokusuar në zgjidhjen e këtyre çështjeve.
Këtë deklaratë e ka komentuar për gazetën "Bota Sot" ish-ushtaraku Muharrem Maralusha. Ai shprehet se Trump dhe Grenell kanë për qëllim të mbajnë premtimin që i kanë dhënë presidentit serb Aleksandar Vuçiq në vitin 2020.
“Trump dhe Grenell do ta përmbushin premtimin e dhënë Vuçiqit, për dorëzimin e veriut të Kosovës Serbisë, në këmbim të 10% të aksioneve të Trepçës,” thotë Maralusha. Megjithatë, ai beson se kryeministri Albin Kurti dhe populli i Kosovës nuk do ta lejojnë këtë skenar.
Në kritikën e tij ndaj opozitës kosovare, Maralusha shprehet: “Opozita, si gjithmonë, do të vazhdojë me retorikën e zakonshme: ‘Amerika kurrë nuk na lë në baltë’. Esat Pashë Toptani, Ahmet Zogu, Enver Hoxha, Edi Rama e kryen punën e tyre, dhe tani këta janë të gatshëm për të ndjekur të njëjtën rrugë.”
Ai mbyll komentet e tij me bindjen se populli i Kosovës, nën udhëheqjen e Kurtit, do të mbrojë integritetin territorial të vendit: “Jam mëse i sigurt që Albini dhe populli nuk do ta lejojnë shitjen e veriut, edhe pse opozita është e gatshme ta bëjë këtë hap.”