Grenell, Trump dhe shpresat për një zgjidhje të dialogut Kosovë-Serbi/ Paralajmërohet shtim i presionit nga administrata e re e SHBA-së

Politika

Grenell, Trump dhe shpresat për një zgjidhje të dialogut Kosovë-Serbi/ Paralajmërohet shtim i presionit nga administrata e re e SHBA-së

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 29 dhjetor 2024 Në ora: 17:05
Donald Trump dhe Richard Grenell

Kosova ka qenë prej më shumë se një dekade në dialog me Serbinë, në kërkim të një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve dhe fqinjësi të mirë mes dy vendeve.

Megjithatë, duket se një zgjidhje përfundimtare ende është larg.

Në këtë periudhë të tensioneve dhe përpjekjeve diplomatike, SHBA ka luajtur një rol të rëndësishëm në përpjekjet për të arritur një marrëveshje, dhe me ardhjen në pushtet të presidentit Donald Trump, ka pasur aludime se çështja mes Kosovës dhe Serbisë mund të marrë një drejtim të ri.

Për herë të parë, Richard Grenell, ish-diplomati amerikan i angazhuar për Ballkanin Perëndimor, mund të emërohet sërish për të luajtur një rol kyç në normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, pas disa përpjekjeve të mëparshme të dështuara.

Siç thekson ish-drejtori i çështjeve evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Charles Kupchan, Trump ka shprehur gatishmërinë për të vazhduar përpjekjet për një marrëveshje të mundshme.

“Presidenti i zgjedhur Trump do të vazhdojë përpjekjet që ai filloi gjatë mandatit të tij të parë për ta çuar topin përpara mes Serbisë dhe Kosovës. Atij i interesojnë vetëm marrëveshjet që i sjellin fitore. Ai dëshiron të tregojë se mund të bëjë marrëveshje që e bëjnë botën më të sigurt. Fakti që ai e ka emëruar Richard Grenellin si të dërguar për misione të veçanta nënkupton që ai mund të përfshihet sërish në çështjet mes Kosovës dhe Serbisë”, thotë ai.

Tahiraj: SHBA-të kanë pasur një interesim dhe angazhim konstant ndaj Kosovës

Image
Veprimtari Saim Tahiraj

Veprimtari Saim Tahiraj thotë se interesimi i SHBA-së për Kosovën ka qenë gjithmonë konstant, madje ai shton se edhe me ardhjen e Trump-it në pushtet mbështetja amerikane do të jetë e njëjtë për Kosovën.

Po ta shikojmë rrjedhën e ngjarjeve në Kosovë, që nga vitet e 90-ta e gjerë më sot, do e shohim se SHBA-të kanë pasur një interesim dhe angazhim konstant ndaj Kosovës. Ky interesim ka qenë i njëjtë pavarësisht se cila parti politike e ka drejtuar shtetin amerikan, por intensiteti i veprimit ka qenë në varshmëri me kohën dhe rrjedhën e ngjarjeve ndërkombëtare. Mendoj se edhe me ndryshimin e administratës amerikane, nën drejtimin e presidentit Trump, do vazhdojë njëjtë interesimi për Kosovën. Mund të jetë më aktiv dhe me një presion të shtuar për shkak të zhvillimeve ndërkombëtare” thekson ai.

 Tutje, Tahiraj thotë se pas 9 shkurtit, pavarësisht se kush do t’i fitojë zgjedhjet qasja ndaj SHBA duhet të jetë e besueshme nga Kosova.

Ai përmend ish-presidentin historik Ibrahim Rugova për të cilin thotë se ishte model për marrëdhënie të shëndosha me Amerikën.

“Problemi është te ne, te udhëheqja e Kosovës e cila nuk ka qenë koperative dhe e besueshme me SHBA-të. Kjo qasje e udhëheqjes së Kosovës duhet të ndryshoj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, pavarësisht se kush do fitojë zgjedhjet. Nuk e kemi luksin të lozim me akrobacione të tilla ndaj një superfuqie botërore që na ka bërë shtet dhe është garantuesja kryesore e shtetit të Kosovës. Duhet të jemi shumë serioz dhe shumë të matur në sjelljet tona në raport me SHBA, shembulli më i mirë është modeli i presidentit Rugova.

Uroj që në këto zgjedhje të fitoj ajo parti që tradicionalisht ka ndërtuar marrëdhënie të shëndosha, të besueshme me SHBA-të dhe pikërisht ajo parti t’i drejtoj edhe bisedime me angazhimin e fuqishëm të SHBA-së”, thotë ai për “Bota sot”.

Duhanaj: Grenelli e Kurti, nuk janë kombinim i mirë

Analisti Leon Duhanaj thekson se emërimi i Grenellit, është pikërisht për të sjellë marrëveshje.

Image
Analisti Leon Duhanaj

“Ndryshimi në Shtëpinë e Bardhë me ardhjen e Presidentit Trump do të sjellë ndryshime të shumta edhe në qasjen e SHBA-së në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Politika amerikane tashmë do të jetë me e drejtpërdrejtë dhe e orientuar drejtë epilogut në zgjidhjen e çështjeve të hapura.

Emërimi i z. Grenell si emisar i veçantë për çështje të hapura në të cilat padyshim nën pjesë edhe Kosova dhe kur e dimë se ndërprerja e mandatit të tij është pikërisht në përpjekjet e tij për të sjellë marrëveshje, është më se e ditur se do të vazhdojë me ketë temë.

Për Kosovën natyrisht që çdo përfshirje e drejtpërdrejtë amerikane është një lajm i mirë, megjithatë duhet të kemi kujdes se çfarë pozicioni përfaqësojmë ne në proces dhe si do ta pranojnë amerikanët pozicionin tonë”, deklaron ai.

Sipas tij, Grenelli dhe në rast të fitores së Kurtit, nuk do të jetë një kombinim i mirë dhe nuk nënkupton lajme të mira për Kosovën.

“Qytetarët e Kosovës duhet ta dinë se Kryeministri Kurti dhe Qeveria e tij, nuk kanë lënë derë të hapur për një bashkëpunim të sinqertë me SHBA-në në përgjithësi e me Administratën Trump në veçanti.

Qytetarët e Kosovës duhet ta dinë se me Kurtin kryeministër Kosova do të pësojë në proces.

Prandaj duket të jemi me fat që edhe Kosova po shkon në zgjedhje dhe nga to mund dhe duhet të dalin  ndryshimet e nevojshme.

Kosovës i duhet një qeveri e aftë që të rikthej bashkëpunimin në nivelin e duhur, qoftë me SHBA-në, qoftë me shtetet tjera, sidomos ato të QUINT-it.

Mbi të gjitha Kosova ka nevojë për një qeveri të përgjegjshme e cila në fokus ka interesin e shtetit dhe kombit e jo përpjekjen për ta izoluar vendin.

Një Administratë e SHBA-së me Presidentin Trump  dhe përfaqësuesin e tij Grenell dhe, një Qeveri e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti dhe VV, nuk është kombinim i mirë dhe nuk nënkupton lajme të mira për Kosovën.

Prandaj do u bëja thirrje qytetarëve të Kosovës, të jenë syçelë e mos të bëhen bashkëshkaktarë i ndonjë degradimi të interesit të Kosovës, duke votuar për Kurtin.

Vendi është në rrezik dhe ketë duhet ta shoh secili qytetar i përgjegjshëm karshi vendit të tij”, përfundon ai për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat