Fushata zgjedhore sa shkon e po bëhet më intenzive dhe më e ashpër në aspektin e akuzave dhe kundërakuzave mes partive politike.
Duket se na presin zgjedhje me zhvillime të shumta dinamike.
E në lidhje me fushatat që po bëjnë partitë politike në vend, në një bashkëbisedim me “Bota sot” foli publicisti dhe veprimtari nga Gjermania, Idriz Zeqiraj.
Së pari, ai e vlerësoi si të degraduar fushatën eletorale në Kosovë, kjo pasi ka kohë që ka filluar dhe gara është konsumar dhe devalvuar dukshëm.
“Fushata elektorale në Kosovë, kësaj radhe, ka degraduar tërësisht. Afati kohor i fushatës një-mujor, është zgjatur në tre-mujor, pa lejen e KQZ. Nuk e besoja që KQZ do ta lejonte këtë maskaradë fushatore të rrëmujshme. Duhej ta ndalonte dhe, në rast se dikush e fillonte shpërfillshëm, duhej ndëshkuar, siç e parasheh ligji, me gjoba të majme. E pa shpjegueshme, pse ndodhi kjo çthurje dhe shkelje ligjore?
Gara është konsumuar dhe devalvuar dukshëm. Ecejakët Kosovë-mërgatë, me tepëri shpenzimesh të panevojshme. Revanshi mujshor e rrugaçëror i opozitës PAN-iste, ka shkelur rregulla dhe parime. Dialogu dilemë, jo vetëm e shqiptarëve të Kosovës, por edhe e atyre të përbotshëm. Politikanët e shantazhuar, me dosje voluminoze, ende bëjnë hije e zymti, në jetën politike të Kosovës!”.
Krahas kësaj, Zeqiraj komentoi edhe listat e kandidatëve për deputetë, ku kishte kriitikat e tij për PDK dhe koalicionin AAK-NISMA.
Ndërsa, si “lista të pastra” i vlerësoi ato të LVV-së dhe LDK-së.
“Kosova me një zonë zgjedhore, abuzim i madh, sepse deputeti nuk ka asnjë përgjegjësi ndaj askujt! Prandaj edhe fitojnë kriminelët dhe hajnat. Për një çerek-shekulli eksponentët e SHIK-ut kriminal, vazhdojnë të riciklohen me statusin e deputetit! E tmerrshme për demokracinë, popullin dhe Kosovë! Një deputete paska biseduar disa sekonda me një person të shpallur"non grata" nga DASH amerikan. Dhe, u bë nami! Po në listat e kandidatëve për deputetë të PAN-it, pse janë lejuar të tillët të futen?!! Shihni emrat e 20-shës së parë në listat e kandidatëve për deputetë të PAN-it, por edhe më poshtë listën komplete. Aty i gjeni emra të lakuar gjyqeve dhe burgjeve, përgjatë një çerek shekulli, për krime të rënda vrasëse dhe hajnish. Liria është fituar, duke paguar milionat, por, kurrë pafajësia. Këtë e thotë edhe avokati matrapaz, Ben Emerson, se "liria e filan (x-y) komandantit ka kushtuar 11 milionë euro. Prej tyre, 5 (pesë) milionë i kam marrë unë!" Deri tani dyshonim për këtë çmim enorme. Por, avokati Bemerson e konfirmnoi, kur pranoi se ende pa e përfunduar mbrojtjen e Kadri Veselit, kishte inkasuar në xhiro-llogarinë e tij plot 4 (katër) milionë euro, nga buxheti i lodhur i Kosovës!!!
Ndërsa LDK-ja dhe LVV i ka listat e pastra, kandidatë për deputetë të painkriminuar. Kjo dëshmon për epërsinë, parimore dhe morale, absolute të këtyre dy subjekteve politike, në raport me partitë, skajshëm, të kriminalizuara, përkatësisht, të PDK-së, AAK-së, NISMA, si dhe bishtave të tyre, të koalicionuara, dikur, në PAN”, shtjelloi ai.
Më tej, publicisti potencoi se ka edhe prej atyre që dëshirojnë që pushtetin në Kosovë ta marrin “komandantët e shantazhuar”.
Megjithatë, ai beson se LVV do dalë e para në zgjedhjet parlamentare, derisa nuk hodhi poshtë mundësinë për një koalicion me LDK-në.
“Kosova është në krizë të thellë politike, sepse Rusia, Serbia dhe disa nga miqtë e tyre ndërkombëtarë, natyrshëm, armiq të Kosovës, preferojnë t`i kthejnë në pushtet "komandantët" e shantazhuar, me dosje krimesh të bollshme, sepse ata janë të dëgjueshëm dhe armiku i përdorë për t`ia bërë gjëmën Kosovës, siç aprovuan ndarjen e saj, paraardhësit pushtetarë.
Shanset për të qenë e parë në zgjedhjet e pritshme i ka LVV. Ndoshta nuk e arrin 50 për qindshin, por epërsinë mbi partitë rivale, besoj se do ta arrijë.
Aktualisht, Kosovës i duhet një mazhorancë solide dhe koalicion i partive të pa kriminalizuara. Dhe, këto janë LVV dhe LDK-ja.
Përndryshe, çfarëdo koalicioni tjetër, do të ishte kthim i krimit dhe i kriminelëve në pushtet. Dhe, gjëma për Kosovën do të ishte e parathënë, e pashmangshme”, nënvizoi Idriz Zeqiraj për “Bota sot”.