Zgjedhjet e 9 shkurtit/ Profesori parashikon rezultatin – Këto janë koalicionet e mundshme!

Politika

Zgjedhjet e 9 shkurtit/ Profesori parashikon rezultatin – Këto janë koalicionet e mundshme!

Nga: N. Sh. Më: 30 dhjetor 2024 Në ora: 15:26
Ilustrim

Zgjedhjet e ardhshme në Kosovë kanë krijuar një klimë diskutimi të gjerë për preferencat e partive politike lidhur me koalicionet e mundshme.

Preferencat për koalicion, në politikën tonë, shpesh nuk pasqyrojnë vetëm dëshirat e partive, por edhe kalkulimet strategjike që imponon loja politike dhe rezultati i zgjedhjeve.

Në lidhje me këtë çështje ka folur profesori dhe analisti politik Binak Maxharrraj.

Ai thotë se, bazuar në parashikimet aktuale, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) duket se ka rezervuar një vend të fuqishëm në zgjedhjet e ardhshme.

“Edhe pse mund të mos arrijë të fitojë mbi 50% të votave, ka gjasa të sigurojë rreth 45%, një përqindje që e mban larg nga konkurrenca e PDK-së dhe LDK-së, dy parti që vazhdojnë të përballen me imazhin e tyre të kaluar si “parti hajnesha.””, thotë ai.

Sipas tij, në këtë situatë, loja kryesore politike pritet të zhvillohet për vendin e dytë midis PDK-së dhe LDK-së.

“Në këtë garë, PDK mund të sigurojë rreth 18% të votave, duke e lënë LDK-në pak më poshtë, me rreth 16%. Ndërkohë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) pritet të pozicionohet në vendin e tretë, kryesisht për shkak të qasjes shpesh polarizuese të liderit të saj, Ramush Haradinaj, i cili duket se ndonjëherë e ul seriozitetin politik të partisë me tone të ashpra dhe të panevojshme”, shton ai.

Maxharraj pohon se, në këtë rrethanë, koalicionet e mundshme bëhen një sfidë komplekse.

“LVV, si parti fituese, mund të detyrohet të formojë një qeveri me njërën nga partitë kryesore opozitare, PDK ose LDK. Megjithatë, marrëdhëniet e acaruara mes këtyre tri partive dhe preferencat e papajtueshme mund ta bëjnë të vështirë krijimin e një koalicioni të qëndrueshëm. Nëse ndodh një koalicion i tillë, është e pritshme që ai të jetë i brishtë dhe afatshkurtër”, thotë Maxharraj.

Sipas tij, nëse LVV nuk arrin të krijojë një qeveri të qëndrueshme, Kosova mund të shkojë drejt zgjedhjeve të tjera brenda një viti, një skenar që do të shtonte paqëndrueshmërinë politike dhe do të vinte në provë durimin e qytetarëve.

“Përfundimisht, suksesi i çdo koalicioni varet nga gatishmëria e partive për të tejkaluar mosmarrëveshjet dhe për të vënë interesat e vendit mbi ato personale apo partiake. Në të kundërt, qytetarët do të jenë ata që do të vuajnë pasojat e një politike të papjekur dhe të përçarë”, përfundon profesori Binak Maxharraj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat