Qytetarët e Kosovës që jetojnë jashtë vendit, për herë të parë do ta kenë mundësinë të votojnë më herët se ata që ndodhen brenda vendit.
Mbi 103 mijë bashkatdhetarë nga diaspora do ta kenë mundësinë që të votojnë në njërën nga tri mënyrat e votimit në distancë.
Subjektet politike në Kosovë e kanë mirëpritur regjistrimin e mërgatës për të votuar në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Madje, nga Lidhja Demokratike e Kosovës kanë deklaruar se 40 mijë të regjistruar janë votues të saj, për çka kryetari Lumir Abdixhiku ka dërguar plot 40 mijë falënderime.
Por, si është në të vërtetë vullneti i diasporës për zgjedhjet e 9 shkurtit dhe sa reale janë parashikimet e LDK-së për 40 mije vota.
Në lidhje me këtë, në një prononcim për gazetën “Bota sot” foli Fatmir Bajraj, analist dhe veprimtar i LDK-së në diasporë, i cili tha se LDK-ja i ka marr këto informacione nga (Grupi Politik për mërgatë) dhe se këto janë rezultate të konfirmuara nga terreni.
“Pas përfundimit të afatit të regjistrimit të Mërgatës më 26 dhjetor 2024, për zgjedhjet nacionale të 9 shkurtit 2025, rezulton se numri i aplikuesve ka kaluar mbi 100 mijë, me saktësisht 107.156 qytetarë me të drejtë vote që kanë shfrytëzuar këtë të drejtë kushtetuese deri më 26 dhjetor 2024. Ky trend i rritjes progresive të LDK-së në Mërgatë do të përcillet edhe më bindshëm dhe më fuqishëm në Republikën e Kosovës, një kusht që i jep fund një Qeverie të paaftë dhe të dështuar në të gjitha drejtimet, si në arsim, shëndetësi, siguri, zhvillim ekonomik, anëtarësime, integrime dhe deri te rrezikimi i shtetësisë së Kosovës dhe i partneritetit me aleatët perëndimorë, përfshirë Amerikën si sponsori i lirisë dhe i shtetit tonë.
LDK, përmes GPM (Grupit Politik për Mërgatën), nga informacionet dhe rezultatet e konfirmuara nga terreni, konkretisht nga strukturat e organizuara të Degëve të LDK-së në Mërgatë, ka informuar lidershipin e LDK-së se rreth 45% e të regjistruarve në Mërgatë i takojnë LDK-së. Nga këto të dhëna empirike rezulton se LDK ka dhjetëfishuar potencialin e votës së mërgimtarëve për LDK-në, për dallim nga zgjedhjet e fundit të 14 shkurtit 2021”, ka thënë Bajraj.
Ai tha se, nga burimet autentike në LDK, të akterëve që janë marrë me iluminimin, lobimin dhe menaxhimin e këtij procesi, mund të konkludohet se LDK ia ka dalë mbanë dhe me sukses ka rikthyer fuqishëm praninë e saj në Mërgatë si forcë politike dominante që përfaqëson interesin kombëtar të qytetarëve shumicë të Kosovës.
“Ja arsyet: LDK, si lëvizje dhe atdhe politik i Brezit të Republikës, i atij brezi të viteve të 90-ta, në Mërgatë kishte vepruar fort në projektin e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, duke u orientuar në tre projeksione:
Organizimin e mbijetesës në Kosovën e robëruar nga Serbia,
Organizimin dhe mirëmbajtjen e sistemit paralel në Kosovë, dhe
Sensibilizimin e çështjes së Kosovës në Perëndim.
Ky "shtrat" (LDK) dhe kjo infrastrukturë e "fjetur" e ndërgjegjes kombëtare, për mbi dy dekada, u "zgjua" dhe ri-aktivizua me ardhjen në krye të LDK-së të lidershipit të ri, Dr. Lumir Abdixhiku, pas debaklit në zgjedhjet nacionale të 14 shkurtit 2021. Lidershipi i ri mobilizoi strukturat e LDK-së, konsolidoi radhët dhe reformoi partinë, duke e bërë atë jo vetëm konkuruese, por edhe lidere të skenës politike në vend, fakt që u provua në zgjedhjet vendore të tetorit 2021, që nxorën LDK-në fituese të atyre zgjedhjeve.
Duke analizuar rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2021, LDK iu kthye qytetarëve të vendit, duke ndjerë dhe prekur hallet dhe shqetësimet e tyre nga njëra anë, por nga ana tjetër, duke analizuar së bashku mundësitë dhe alternativat për zgjidhjen e problemeve dhe daljen nga gjendja e rëndë dhe e pa shpresë në Kosovën që po boshatisej dhe zbrazej e braktisej nga qytetarët e saj, përfshirë profesionistët dhe, në veçanti, të rinjtë”, ka shtuar ai.
Konform nevojave të qytetarëve dhe të Republikës, sipas Bajrajt lidershipi i LDK-së filloi hartimin e Programit Politik të LDK-së: Rruga e Re për Kosovën, në Programin Qeverisës të të cilit, Mërgata jonë jo vetëm që merr vëmendjen e duhur, por bëhet edhe pjesëmarrëse e drejtpërdrejtë në këtë program, duke faktorizuar Mërgatën dhe rolin e saj në projektimin e të ardhmes së saj në Atdhe dhe në Mërgatë.
“Në këtë program qeverisës të LDK-së, Mërgata jonë shihet dhe trajtohet si një marrëdhënie simbiotike e një interesi dhe përfitimi për vendin dhe qytetarët jashtë vendit, në Mërgatë. LDK në Programin Politik të saj, dhe me theks në Programin e saj Qeverisës për Kosovën, e sheh Mërgatën si zgjatim të kombit dhe të atdheut, dhe jo vetëm si një potencial të rimishencave dhe "hambar" të votave.
Ky faktorizim i Mërgatës nga LDK-ja në Programin Politik, dhe angazhimi suplementar, konkret dhe serioz i liderit të LDK-së, z. Lumir Abdixhiku, duke formuar enkas edhe GPM, në mënyrë që të merren parasysh brengat dhe shqetësimet e mërgimtarëve, duke qenë sa më afër tyre përmes kontakteve të rregullta, vizitave jashtë dhe pritjeve në selinë qendrore të LDK-së, edhe nga vetë kryetari i LDK-së, Dr. Lumir Abdixhiku, ka bërë për vete Mërgatën, e cila tani përmes këtij regjistrimi dhe votimit nesër, ia kthen me votë besimin dhe mbështetjen.
Ky narracion reflektues i LDK-së kundrejt Mërgatës është i dobishëm jo vetëm për LDK-në, por edhe për Mërgatën dhe vetë shtetin e Kosovës, i cili është zbrazur në periudha të ndryshme dhe sidomos në 4-5 vitet e fundit, ikje këto të katalizuara nga keqeverisja dhe humbja e shpresës për një jetë më të mirë në Kosovë. LDK dhe lideri i saj i ri, z. Lumir Abdixhiku, kandidat për kryeministër, me opozitarizmin modern dhe model, duke mbështetur interesin e vendit dhe politikat nacionale në njërën anë, dhe duke afruar alternativa serioze pushtetit, por pa lënë anash edhe kundërshtimin atëherë kur është cenuar interesi qytetar dhe rrezikuar interesi i vendit, është promovuar në këto 4 vite si alternativa e vetme serioze për qeverisjen e ardhshme të vendit”, shtoi ai.
Bajraj shtoi se LDK, është e vetmja parti politike që i ofron vendit dhe qytetarëve të saj një program qeverisës të detajuar dhe me ekspertizë, me projekte të mëdha infrastrukturore dhe me projeksione të sakta për burimet e mjeteve dhe investimet, për dallim nga të tjerët, të cilët ad-hoc, pa alternativë qeverisëse, pa program dhe vizion të qartë për vendin dhe qytetarët e Kosovës.
“LVV, pas "leximit" të humbjes së mbështetjes në Mërgatë, në panikë insistonte në vazhdimin e afatit ligjor të regjistrimit nga KQZ, dhe atë, jo pse kishte shpresë në ndonjë mbështetje më tepër, por vetëm për ta "nxjerrë" LDK-në si dashakeqe të Mërgatës, në çka askush më nuk beson këtë pushtet abuziv, kriminal dhe jo rrallë herë kundër Kushtetutës dhe pushteteve të ndara, siç është sistemi i Drejtësisë.
Kurti & CO ka prodhuar varfëri, kriza, tensione dhe pasiguri, madje herë pas here, duke "ndjellë" luftë dhe mbjellë panik te qytetarët, me qëllim të tërheqjes së vëmendjes së qytetarëve nga problemet dhe sfidat reale me të cilat ballafaqohen për fajin e tij. Çdo ditë e më tepër, Kurti po humb mbështetjen qytetare, të cilët dita-ditës po mbështesin gjithnjë e më shumë LDK-në dhe Kryeministrin në ardhje, Dr. Lumir Abdixhiku. Qytetarët e Kosovës, brenda dhe jashtë, po mbështesin gjithnjë e më shumë LDK-në, projektuesen dhe realizuesen e lirisë, pavarësisë dhe shtetit të Kosovës, Ati i së cilës është presidenti historik, Dr. Ibrahim Rugova”, përfundoi ai.