A ka Kosova mekanizma për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar? Ja çka thonë njohësit e drejtësisë

Politika

A ka Kosova mekanizma për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar? Ja çka thonë njohësit e drejtësisë

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 31 dhjetor 2024 Në ora: 08:01
Foto ilustrim

Në dhjetor të këtij viti, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Ligji u miratua në seancën e 05.12.2024, me 62 vota për dhe pa praninë e ligjvënësve të partive opozitare.

Përmes shmangies së afateve ligjore, Kuvendi i Kosovës brenda ditës e ka miratuar Ligjin në dy lexime.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, gjatë prezantimit të Projektligjit ka potencuar se Qeveria nuk ka hartuar Projektligj të ri – porse i ka adresuar në mënyrë specifike çështjet, që Gjykata Kushtetuese i ka konsideruar antikushtetuese.

“Çështjet kryesore lidhen me retroaktivitetin e Ligjit. Pastaj, nevojën për qartësi në lidhje me periudhat kohore brenda të cilave Byroja Shtetërore mund të verifikojë pasurinë e fituar kundërligjshëm. Por, gjithashtu përfshin edhe përbërjen e Komisionit mbikëqyrës, në dritën e garantimit dhe respektimit të parimit të ndarjes së pushteteve.” – ka thënë ajo.

Gjersa Ligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme gjendet në Gjykatë Kushtetuese dhe pritet dekretimi apo jo i tij, njohësit e drejtësisë thonë se Kosova ka mekanizma të mjaftueshëm për të luftuar korrupsionin, por duhet vullnet për t’i zbatuar.

Bajraktari: Fati i këtij Ligji varet nga ajo se si do të vendos Gjykata Kushtetuese

Avokati Ardian Bajraktari, thotë se Kosova ka ligje dhe mekanizma të mjaftueshme, por vetëm duhet të zbatohen.

Sipas tij, për këtë gjë e ka theksuar edhe raporti i Progresit nga ana e Komisionit Evropian.

Image
Avokati Ardian Bajraktari

“Ka ligje dhe mekanizma të mjaftueshme, ato duhet të zbatohen. Këtë gjë e ka theksuar edhe raporti i fundit për vendin- raporti i Progresit i Komisionit Evropian, ku Kosovës i rekomandohet të forcojë kapacitetet e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, zbatimi i mëtejshëm i legjislacionit ekzistues kundër korrupsionit, miratimi i Strategjisë dhe planit të veprimit kundër korrupsion 2024-2027 në përputhje me praktikat dhe standardet më të mira evropiane, si dhe të forcohet cilësia e hetimit në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë”, shprehet Bajraktari.

Sipas tij, fati i Ligjit për Byronë Shtetërore të Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme varet nga Gjykata Kushtetuese dhe sipas tij ka pasur mungesë të theksuar të transparencës.

“Në rastet kur kontestohet një akt i Kuvendit i cili kërkon dekretimin nga Presidenti/ja, Gjykata menjëherë pas regjistrimit të kërkesës së parashtruar, e njofton Presidentin/en dhe Kuvendin për efektin suspenziv të kërkesës ndaj hyrjes në fuqi të aktit të kontestuar, derisa Gjykata të nxjerre vendim përfundimtar lidhur me atë çështje, dhe se një akt i tillë mund t’i dërgohet Presidentit/es së Republikës për shpalle në pajtim me modalitetet e vendimit final të Gjykatës Kushtetuese për rastin në fjalë. Pra fati i këtij Ligji varet nga ajo se si do të vendos Gjykata Kushtetuese, vlen të ceket në këtë rast ka pasur mungesë të theksuar të transparencës”, pohon avokati.

Burjani: Kosova ka pasur dhe ka edhe sot mekanizma të luftimit të krimit politik mbi njerëzimin në Kosovë

Ndërsa, sipas juristit Blerim Burjani, në Kosovë askush nuk është i kënaqur me luftimin e korrupsionit.

Ai përmend rastet korruptive.

Image
Blerim Burjani

Askush në Kosovë nuk është i kënaqur me luftimin e korrupsionit. Rreth 20 vjet korrupsion, politika korruptive ku hyjnë punësimi me paranë publike, të familjarëve, partiakëve, tenderomania, emërime korruptive në baza shoqërore, ministrat, zëvendësministra, këshilltarë politikë, punësime në RTK, VALA, KOST, ZRO, KEK, emërime në cilësi ambasadorësh dhe gjithçka tjetër, janë dëmi kapital që i ka shkaktuar ndërtimit normal e serioz të shtetit. Pra, shteti u pa si lodër ku luajnë me të dhe zgjidhin probleme, por nuk avancohet jeta e përbashkët dhe e mira e përgjithshme si edukim normal, jo punësim në universitet partiak, dërgim të politikanëve në Akademi Shkencore, votim për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese në Kuvend me marrëveshje politike me njerëz jo profesional, të gjitha këto gjëra negative nuk ka kush t’i ndal, pra niveli i krimit politik dhe rrjetit kriminal nga liderë politikë në Kosovë askush nuk ka dhënë përgjegjësi”, thekson Burjani.

Kosova ka pasur dhe ka mekanizma për të luftuar krimin politik mbi njerëzimin në Kosovë, thotë Burjani, gjersa shton se për të luftuar korrupsionin duhet vullnet dhe guxim.

“Kosova ka pasur dhe ka edhe sot mekanizma të luftimit të krimit politik mbi njerëzimin në Kosovë, ka Kodin Penal, ka ligj, por s’ka vullnet. Kosova ka pasur Task forcën për luftimin e korrupsionit që nuk e ka kryer punën e tij, s’ka kush ta pastrojë dhe ta ndëshkojë krimin korruptiv në Kosovë. Mungesa e vullnetit politik për të ndalë tragjedinë korruptive dhe dëmin koleteral që i është shkaktuar qytetarit. Ky është tmerri qytetar që i ka ndodhur dhe ka ndryshuar vetëdijen e sjelljes në shoqërinë e Kosovës se pa korrupsion nuk ka zhvillim e punësim e shkollim normal. Për të luftuar korrupsionin vetëm vullnet dhe guxim duhet të ketë, shembulli më i mirë si luftohet korrupsioni është SPAK në Shqipëri, askush mbi ligjin, as presidenti, as kryeministri, as kryetari i Bashkisë, vetëm kështu ndërtohet shteti, Pra, Kosova duhet të fillojë luftën kundër korrupsionit sa më parë, pa ia falë asnjë sekondë më krimit korruptiv shkatërrues që ka larguar rreth 200 mijë jashtë vendit dhe rreziku është më shumë të zgjat ikja në mungesën e luftimit të korrupsionit, ky ndikon në zhvillimin ekonomik, mirëqenies në punësim social dhe shëndetësi”, shton juristi.

Ligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme parasheh të hetimin e të gjithë zyrtarëve publikë në Kosovë që dyshohet sesi kanë fituar pasurinë e tyre. Përveç tyre, verifikimi dhe konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme do bëhet edhe për anëtarët e familjes së tyre dhe palëve të treta, që nënkupton personat te të cilët dyshohet se është bartur pasuria e zyrtarëve publikë.

Më 11.09.2024, Qeveria e Kosovës ka miratuar ndryshimet në Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme – pasi Gjykata Kushtetuese kishte gjetur se disa Nene të këtij Ligji nuk ishin në harmoni me Kushtetutën.

Pas mbledhjes së Qeverisë, në Konferencë për media, Haxhiu pati thënë se tani nuk ka as arsye teknike për ta dërguar sërish këtë Ligj në Kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte vendosur, më 26.06.2024, për të shpallur të pavlefshëm Ligjin për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme – duke gjetur shkelje kushtetuese në disa Pika të këtij Ligji.

Ky Ligj ishte dërguar në Kushtetuese nga Partia Demokratike e Kosovës, më 21.02.2023.

Në anën tjetër, partitë politike në premtimet e tyre elektoriale nuk ndalen aq shumë në këtë sektor, ata kanë hezituar edhe të japin detaje të programit të tyre rreth luftimit të korrupsionit.

Juristi Blerim Burjani nuk pret që qeveria e re të merret me këtë çështje.

Sipas tij, Ligji për Byron e Hetimit nuk ka ndonjë vlerë ligjore.

“Asgjë nuk pritet nga mandati i ardhshëm i qeverisë. Ne kemi Prokurorinë Speciale që filloi guximshëm luftën kundër njerëzve liderëve politikë, ish- ministrave, ministrave aktualë, jo sikur tani që kanë organizuar shumë seanca, por në fund të gjithë dalin të pafajshëm, kjo nënkupton se fajësia bie në prokurorinë e jo diku tjetër, abuzimi me paranë publike dhe e ka shkatërruar shpresën njerëzore. Ligji në Gjykatë Kushtetuese për Byron e Hetimit, nuk ka ndonjë vlerë ligjore, pasi që ka ligje për konfiskim të pasurive që nga viti 2013, por gjendja ka stagnuar dhe është zhvilluar pa ndalë krimi korruptiv. Ligji për Byron është i panevojshëm dhe bie ndesh me strukturën kushtetuese dhe rendin ligjor aktual, pra ka dyfishim të organeve në realitet as këto aktuale nuk zbatohen, pra është një fiksion, iluzion ligjor apo imagjinatë jo aktuale përballë shumë ligjeve, kodeve, pra problemi është zbatimi i Kodit Penal, ligjeve antikorrupsion, e jo të dyfishimi e trefishimi aktual i ligjeve. Pra Kosova ka mekanizma, infrastrukturë ligjore, sanksionuese dhe infrastrukturë tjetër përcjellëse, por s’ka vullnet, guxim, e as aktivitet për të bërë ndëshkimin e krimit korruptiv ku partitë politike janë shndërruar në organizata kriminale apo përfituese në emër të qeverisjes me shtetin dhe për të dhënë shërbime për qytetarët. Realisht pasurimi pa bazë kriminale ka ndodhë dhe po ndodhë por s’ka kush të merret me këtë temë në mënyre serioze”, shton juristi.

Ndryshe, mendon avokati Bajraktari i cili thotë se mund të krijohet klimë e favorshme për zyrtarët publikë të sinjalizojnë, e të raportojnë për rastet e korrupsionit.

“E para të miratohet Strategjia dhe plani i veprimit kundër korrupsion, si dokument orientues dhe shprehje e vullnetit dhe e përkushtimit të Qeverisë për luftimin e korrupsionit, pastaj të punohet në drejtim të forcimit të organeve të zbatimit të ligjit, duke i mbështetë me buxhet, që këto të fundit ta shtojnë efikasitetin e punës dhe rritjen e cilësisë së saj. Po ashtu të krijohet një klimë më e favorshme për zyrtarët publik të sinjalizojnë e të raportojnë për rastet e korrupsionit, e mbi të gjitha organet ligj zbatuese, veçmas gjykatat dhe prokuroritë të mos sulmohen në mënyrë sistematike”, shton avokati Ardian Bajraktari.

Konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme konsiderohet si një ndër shtyllat në luftimin e korrupsionit në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat