2024-ta pa njohje të reja, “zbulohen” arsyet!

Politika

2024-ta pa njohje të reja, “zbulohen” arsyet!

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 31 dhjetor 2024 Në ora: 10:05
Foto ilustrim

Viti 2024 po shënon vitin e katërt që pavarësia e Kosovës nuk është njohur nga ndonjë shtet i botës.

Izraeli ka qenë shteti i fundit që e kishte njohur Kosovën shtet më 05.09.2020 dhe pas tij, nuk ka pasur as raportime për ndonjë njohje të mundshme dhe as nuk është arritur ndonjë e tillë.

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, në një intervistë dhënë për median në Kosovë, në tetor të këtij viti, kishte deklaruar se mungesa e njohjeve nuk varet nga Kosova, por nga shumë konsalacione të tjera.

“Po shikoni edhe njohjet janë pjesë e çështjes së prioriteteve. Është shumë e rëndësishme që të marrim njohjet nga Bashkimi Evropian, por do të ishte naivitet të mendohet se ajo varet vetëm nga Kosova. Ajo nuk varet vetëm nga Kosova, por edhe nga shumë konsalacione të tjera”, ka thënë Gërvalla në emisionin “Politiko”.

Sipas saj, më njohjet nuk ndikojnë në jetën e qytetarëve.

“Jo, jo nuk domethënë që Kosova nuk ka prioritet me marr njohje. I bie që në një periudhë kohore kur je i përqendruar në shtrirje të sovranitetit dhe në qëndrueshmëri të rëndësishëm në favor të Kosovës… Një situatë të tillë kam pritur angazhim të faktorit ndërkombëtar edhe për njohje të reja dhe po të llogaritësh se nga cila strategji fiton qytetari i Kosovës më shumë, atëherë konsideroj se qytetari përfiton më shumë nga sundimi i ligjit në Kosovë sesa njohjet nga dy ose tri vende të largëta, të cilat në fund të fundit nuk ndikojnë në jetën e përditshme”, ka thënë Gërvalla.

Lama: Kosova mund të forcojë rolin e saj ndërkombëtar duke u konsideruar si shtet demokratik dhe funksional

Në anën tjetër, ish-ambasadorja Alma Lama, ka kritika për politikën e jashtme sa i përket njohjeve.

Sipas saj, sanksionet dhe masat e BE-së ndaj Kosovës, nuk ndihmojnë asnjë proces politik.

Image
Alma Lama

“Mendoj se mungesa e njohjeve është e lidhur me politikën e jashtme të Kosovës e cila ka pasur një performancë të dobët. Dëmtimi apo mos koordinimi i raporteve me shtetet partnere, si p.sh. SHBA, kanë ndikuar negativisht në këtë proces. Siç e dimë, kemi pasur deklarata skandaloze dhe sjellje jo diplomatike nga qeveria, deklarata për luftë, dhe sjellje problematike, që janë kritikuar edhe në Këshillin e Sigurimit. Nga ana tjetër sanksionet apo masat e BE-së ndaj Kosovës nuk e ndihmojnë në asnjë proces politik”, shprehet Lama.

Kosova mund ta rris ndikimin si shtet në bashkësinë ndërkombëtare, sipas Lamës, vetëm duke e përforcuar veten si shtet dhe duke përforcuar raportet me partnerët.

“Kosova mund të forcojë rolin e saj ndërkombëtar duke u konsideruar si shtet demokratik dhe funksional, që respekton të drejtat e njeriut dhe minoritetet dhe që zhvillohet ekonomikisht. Pra, nuk duhet të kemi ndonjë iluzion se Kosova mund të rrisë ndikimin si shtet në bashkësinë ndërkombëtare, në ndonjë mënyre tjetër, përveçse duke përforcuar veten si shtet dhe duke përforcuar raportet me partnerët”, shton ish-ambasadorja.

Që nga shpallja e pavarësisë së saj, Kosova është njohur nga 117.

Gati gjysma e shteteve që e kanë njohur Kosovën, e kanë marrë këtë vendim në vitin e shpalljes së pavarësisë, më 2008.

Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosovën nuk e njeh ende Serbia, e cila me Kushtetutë vazhdon ta konsiderojë si pjesë të veten, e as Bosnje dhe Hercegovina.

Ndërsa, vendet e BE që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës janë: Greqia, Rumania, Spanja, Sllovakia dhe Qipro.

Maloku: Politika e jashtme e Kosovës ka kaluar në një krizë të thellë gjatë këtyre katër viteve

Image
Albinot Maloku

Ndërsa, politologu Albinot Maloku, konsideron se pozita ndërkombëtare e Koosvës ka përjetuar një regres të thellë.

Sipas tij, ministrja ka dështuar të paraqes një strategji të qartë dhe një vision të matur për diplomacinë e Kosovës.

“Gjatë katër viteve të fundit, pozita ndërkombëtare e Kosovës ka përjetuar një regres të thellë dhe stagnim të dukshëm, dhe kjo ndodhi nën udhëheqjen e qeverisë aktuale. Mundësia për avancimin e diplomacisë, pozitës ndërkombëtare të Kosovës, kjo nuk ka qenë prioritet i qeverisë, për rrjedhojë ka çuar në një dështim të theksuar për të siguruar njohje të reja ose anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Politika e jashtme e Kosovës ka kaluar në një krizë të thellë gjatë këtyre katër viteve. Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka dështuar të paraqesë një strategji të qartë dhe një vizion të matur për diplomacinë e Kosovës, për më shumë me apo pavetëdije ka kontribuar në një regresë të pafalshëm në arenën ndërkombëtare për Kosovën”, deklaron Maloku

Ai konsideron se ka krizë të thellë diplomatike dhe sipas tij, kjo ka pasoja për Republikën

“Kosova është vënë nën një presion të madh ndërkombëtar për të avancuar në dialog. Pavarësisht mundësive për të luajtur një rol konstruktiv, qeveria ka zgjedhur të mbajë një qëndrim të papërgjegjshëm. Si pasojë, Kosova ka përjetuar masat shtrënguese dhe penalizimet nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke dëmtuar thellë marrëdhëniet me aleatët kryesorë të vendit. Qeveria e Kosovës ka dështuar të ndërmarrë hapa konkretë për të përmirësuar diplomacinë dhe ka lënë vendin në një krizë të thellë diplomatike, me pasoja për Republikën”, shton politologu.

Kujtojmë se, vendi i parë që njohu pavarësinë e Kosovës ishte Kosta Rika, më 17.02.2008, ditën e shpalljes së saj.

Ndërtesa, një ditë pas, më 18.02.2008 erdhën edhe gjashtë njohje të tjera. Vendi i dytë që e njohu Kosovën shtet ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pastaj Franca, Afganistani, Shqipëria, Turqia dhe Mbretëria e Bashkuar.

Ndërsa, shteti i fundit që e ka njohur Kosovën shtet është Izraeli. Kjo njohje ka qenë pjesë e një marrëveshjeje me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike, e nënshkruar në Uashington, më 4 shtator, 2020, në praninë e presidentit të atëhershëm amerikan, Donald Trump.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat