Dialogu Kosovë-Serbi pa dyshim ka qenë një nga temat më të përfolura gjatë vitit 2024.
Mirëpo, në vazhdimësi tash e një kohë flitet për stagnim të bisedimeve dhe dështim të BE-së për t’i shtyrë palët drejt një marrëveshje finale.
Madje, këtë proces e ka vështirësuar edhe më shumë shteti serb me sulmet që i realizoni në veri të Kosovës, me ndihmën e bandave kriminale serbe.
E në lidhje me mbarvajtjen e bisedimeve Kosovë-Serbi gjatë këtyre 12 muajve të fundi, një një prononcim për “Bota sot” ka folur profesori Enver Bytyçi.
Si fillim, profesori konsideroi se gjatë këtij viti, nuk ka pasur dialogu mes dy palëve.
Ai vlerësoi se shteti serb nuk ka dashur të merret me dialog, pasi Vuçiq me këtë qasje ka dashur ta vlerësojë Kosovën si ‘provincë’ të tij.
"Dialog?! Gjatë vitit 2024 unë kam parë dhe kam ndjerë se midis Kosovës dhe Serbisë nuk kishte dialog. Edhe kur mblidheshin në Bruksel në prani të Borrell dhe Lajçak të dy delegacionet kanë bërë monolog. Secili, Kurti me Vuçiq dhe Bislimi me Petkoviç, kanë artikuluar kërkesat e tyre të papraneshme për palën tjetër dhe janë ktheyer në Prishtinë e në Beograd. Madje më shumë kohë është harxhuar në bisedime me palën e Brukselit se në bisedime midis palëve në konflikt.
Gjithçka çka thashë ka ndodhur se pala serbe nuk ka dashur asnjëherë të merret me dialogun, me gjetjen e të zhdukurve të masakruar, me vendosjen e marrëdhënieve normale si midis dy shteteve midis Kosovës dhe Serbisë. Beogradi i ka ik çdo formulimi, në të cilin pranohet liria, pavarësia dhe shtetësia e Kosovës. Në këto kushte Vuçiq ka dashur e deri diku ia ka arritur që të zhvillojë një dialog midis Serbisë dhe në dukje me një provincë të tijën. Kurrë nuk e ndali emërtimin “Kosovo-Metohi”! Edhe në prani të burrave të shteteve europiane dhe këta asnjëherë nuk i thanë se “Kosova është Kosovë”!”.
Përveç kësaj, Bytyçi tha se këtë dialog e shkatërruan edhe emisarët e ngarkuar, pasi në vazhdimësi tregoheshin të anshëm karshi Serbisë.
“Me këtë dua të them se dialogun e shkatërruan diplomatët e ngarkuar për ta përmbyllur atë. Gjithmonë qenë në krah të Aleksandër Vuçiq e të Serbisë. Edhe kur presidenti i Serbisë refuzonte të firmoste ose të bindej për normalizim, ata kritikonin Kurtin. I kishin premtuar kreut të shtetit serb se Kosova do të ishte nën goditje. Se do ta fajësonin Kosovën me akuzën se ia turbullon ujin Serbisë. Dhe kështu, për hatër të Vuçiq e me shpresën se ai do të lëshonte pe e do të orientohej kah Perendimi, vunë masa shtrënguese kundër Kosovës. Serbia nënshkruante marrëveshje e pakte me Rusinë agresore në Ukrainë, Kosova bëhej me faj. Serbia merrte gazin me çmime lehtësuese prej Moskës, Kosovës i kërkohej llogari. Serbia organizoi akte terroriste si në Banjskë dhe Iber Lepenc, Kosova u ndëshkua dhe u kritikua”, nënvizoi ai.
Tutje, profesori përmendi edhe askionet në veri, përmes të cilave u vendos sovranitetit në këtë këtë pjesë të vendit.
Në këtë pikë, ai konsideroi se Kosova dhe udhëheqësit e saj nuk e kishin mbështetjen e mjaftueshmë të ndëkrombëtarëve.
“Viti 2024 nuk ishte vit dialogu, por ishte viti i disa aksioneve politike dhe policore për vendosjen e sovranitetit në veri të vendit. Në mungesë të dialogut dhe të marrëveshjes me Serbinë, qeveria e Kosovës zgjodhi të mos rrijë duarkryq. Ndërtoi një strategji të sajën. Vendosi masa proteksioniste për Serbinë dhe kufizime në qarkullimin e mallrave. Sigurisht që të parandalonte trafikimin dhe grumbullimin e armatimit serb, të cilat u përdorën për ta destabilizuar vendin. Largoi institucionet paralele, për të cilat Angela Merkel kishte kërkuar që në vitin 2015. Mbylli shërbimet postare dhe bankare të Serbisë. Riktheu shërbimet e shtetit për qytetarët serbë, shërbime të cilat merreshin nga Beogradi.
Kosova, pa asnjë përkrahje ndërkombëtare, me këmbnguljen e qeverisë dhe presidentes Osmani nisi procesin e hetimit dhe gjykimit të grupeve terroriste dhe kriminale serbe në vend. Deri diku u panë edhe përpjekje për shtendosjen e marrëdhënieve sociale midis serbëve dhe komuniteteve të tjera, përfshirë shqiptarët në veri të Kosovës. U rritën investimet. Natyrshëm u rrit edhe prania e policisë së Kosovës, në kundërshtim me kërkesat e Beogradit dhe disa diplomatëve p Praerendimorë pro-Serbisë për largimin e policisë së shtetit nga ky territor. Pra, Kosova e zhvilloi dialogun në terren, duke zbatuar njëanshëm marrëveshjet e nënshkruara midis Beogradit e Prishtinës dikur, e të pazbatuara nga të dy palët, pavarësisht tejkalimit të afateve të parashikuara në ato marrëveshje”.
“Kosova duhet të jetë vetë e aftë të përballet me Serbinë”
Megjithatë, Bytyçi potencoi edhe një fakt tjetër, e që lidhet me ndikimin e Ruisë dhe Putinit në çështjen Kosovë-Serbi.
Madje, ai tha se shteti rus e urdhëroi Beogradin të mos përmbyllte konfliktin me Kosovën, për arsyet të cilat i shtjelloi më poshtë.
“Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë është ndikuar edhe nga strategjia e tensionit e Moskës dhe e Vladimir Putin. Ishte Kremlini që kishte urdhëruar Beogradin të mos përmbyllte konfliktin me Kosovën. Këtë e tha vetë presidenti serb, Vuçiq, kur deklaroi se “Perendimi dëshiron ta përmbyllë dialogun me Kosovën, me qëllim që të evitojë paralelizmin e Rusisë në dialogun me Ukrainln për t’i dhënë fund luftës. Që Kosova të përdoret si monedhë këmbimi, me qëllim që Rusia të aneksojë Krimenë dhe zonat limdore të Ukrtainës”! Vuçiq u mburr që nuk ia krijoi këtë lehtësi Bashkimit Europian dhe SHBA-ve. Ndërsa BE e SHBA gjatë vitit 2024 ndëshkuan Kosovën, por aspak Serbinë.
Kjo politikë e favorizimit të aleatit të Rusisë, pra të Serbisë, ka filluar tashmë të shihet qartë si politikë shumë e gabuar e perendimit. Dhe nuk është hera e parë që BE dhe SHBA gabojnë në vlerësimet e tyre për aktorët e faktorët që destabilizojnë Ballkanin. Ata ende nuk duan të kuptojnë se Serbia është bërthama e konfliktit, shkaku i të gjitha grindjeve në Ballkan. Sa kohë të mos e kuptojnë ose të mos duan ta kuptojnë, aq kohë rajoni ynë do të mbetet fuqi baruti. Ballkani nuk është fuqi baruti për shkak të asnjë kombi e populli tjetër në rajon, përveçse të Serbisë dhe serbëve”, theksoi profesori.
Në fund, ai shtoi se dialogu kurrë nuk do të ketë suksese, derisa nuk përfillet shkaku i konfliktit.
Ai vlerësoi se vetëm përpjekjet për t’u shkëputur nga influenca serbe e ruse, do ta lehtësojnë jo vetëm dialogun, por edhe perspektivën e paqes.
“Për këtë arsye nuk do të ketë sukses në dialogun Kosovë-Serbi, sa kohë që nuk njihet shkaku i konfliktit. Se askush në Ballkan tani nuk është i gatshëm të pranojë me sy mbyllur të bëhet viktimë e radhës e Beogradit. Për këto arsye janë të jashtëzakonshme përpjekjet e qeverisë së Kosovës për të rrit aftësinë mbrojtëse dhe për të garantuar sigurinë. Disa thonë se siguria nuk garantohet me ushtri e me polici. Por derisa të vijmë te paqja e vullnetshme, duhen marrë masa për ta imponuar atë. Ndryshe nuk ka paqe. Rritja e fondeve për ushtrinë dhe sigurinë është ndoshta gjëja me e zgjuar. Nëse në veri vendoset plotësisht sovraniteti dhe nëse krijohet një lloj balance në modermizimin dhe aftësimin e ushtrisë e policisë, çka po ndodh në Kosovë, atëherë vendosen balanca.
Vetëm balanca midis popujve dhe kombeve, vetëm përpjekjet për t’u shkëputur nga influenca serbe e ruse, do ta lehtësojnë jo vetëm dialogun, por edhe perspektivën e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Ballkan. Serbia nuk njeh gjuhë tjetër. Ajo ndalon, nëse sheh se nuk mund t’i kpërcejë barrierat që i vihen. Dhe duhet të dimë se nëse Kosova nuk anëtarësohet shpejt në NATO, ka mundës që KFOR-i të largohet një ditë. Kosova duhet të jetë vetë e aftë të përballet me Serbinë. Madje të mos ketë shpresë as te Shqipëria si organizëm shtetëror!”- përmbylli Enver Bytyçi për “Bota sot”.