Gjatë vitit 2024 situata politike në Kosovë u përshkua nga sfida të shumta që kryesisht kishin të bënin me politikën e jashtme dhe raportet me Serbinë.
Sulmet në veri ndikuan që të mos ketë asnjë përballje ndërmjet kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Pati vetëm bisedime teknike ndërmjet kryenegociatorëve me ndërmjetësimin e BE-së.
Ngërçi në dialogun me Serbinë, Kosovës po i kushton edhe me një stagnim sa i përket avancimit dhe integrimit në mekanizmat ndërkombëtar.
Kështu, vendi ynë po përballet me disa sfida të rëndësishme, që lidhen me integrimin në institucionet ndërkombëtare dhe për më tepër vazhdon të jetë nën sanksionet e Bashkimit Evropian.
Përveç liberalizimit të vizave që nisi të zbatohej më 1 janar të vitit 2024, Kosova nuk është se pati ndonjë të mirë tjetër, vitin që po e lëmë pas.
Për më tepër, BE-ja edhe gjatë vitit 2024 u tregua e anshme, duke ndëshkuar Kosovën e duke vazhduar ta “përkëdhelte” Serbinë.
Pati shpresa që me udhëheqjen e re të BE-së të ndryshojë kjo qasje, por që deri tash një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
Nga ana tjetër, duhet të kujtojmë se formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe vazhdon të jetë kërkesa kryesore e BE-së për Kosovën.
Dialogu me Serbinë, duket se do të jetë një nga sfidat më të mëdha politike të Kosovës edhe për vitin 2025.
Në vitin 2025, Kosova do të duhet të vazhdojë kërkesën për “balancimin” e presionit ndërkombëtar për të arritur një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Pa një njohje të plotë nga Serbia dhe disa shtete të tjera, procesi i integrimit mbetet i ngadalshëm.
Andaj për të arritur deri te kjo, vendit tonë i duhet që ta ruajë dhe forcojë miqësinë me aleatët ndërkombëtarë.
Kosova aktualisht ndodhet në periudhë zgjedhore, gjersa parafushata e partive politike për zgjedhjet që do të mbahen më 9 shkurt, ka nisur shumë herët.
Për vendin tonë do të jetë mjaft sfiduese ruajtja e stabilitetit politik dhe formimi i koalicionit pas-zgjedhor qeverisës.
Në të kaluarën (por edhe së fundi), ishim dëshmitarë të mosmarrëveshjeve brenda koalicioneve, që shpesh kanë ndikuar negativisht në arritjen e politikave të qëndrueshme dhe në ekzekutimin e projekteve të rëndësishme, votimit të ligjeve me rëndësi jetike për qytetarët etj.
Gjithçka do të varet nga rezultati zgjedhor pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje synon të arrij përsëri një fitore mbi 50% në zgjedhje. Kurse, partitë opozitare vazhdojnë të shpresojnë për një rezultat në favor të tyre.