“Milan Radoiҫiq nuk rrezikon vetëm Kosovën!” - Hidhen dyshime mbi bazën e tij dhe grupit kriminal serb

Politika

“Milan Radoiҫiq nuk rrezikon vetëm Kosovën!” - Hidhen dyshime mbi bazën e tij dhe grupit kriminal serb

Havë Orana Xhukolli Nga Havë Orana Xhukolli Më 31 dhjetor 2024 Në ora: 20:20
Milan Radoiҫiq

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, ka ngritur shqetësimin për vazhdimin e aktiviteteve kriminale të grupit të udhëhequr nga Milan Radoiçiq, duke theksuar se ky grup përbën një kërcënim të vazhdueshëm për sigurinë e Kosovës dhe të gjithë Ballkanit Perëndimor.

“Është theksuar edhe më herët jo vetëm nga kryeministri Kurti, por edhe nga unë, gjithashtu edhe nga drejtuesit e tjerë të dikastereve të sigurisë nga ministri i Punëve të Brendshme, Drejtori i Policisë, rreziku që paraqet fakti që grupi i Radoiçiqit dhe elementët ekstremist dhe terrorist përreth tij mbeten të lirë brenda territorit të Republikës së Serbisë, edhe më keq mbështeten nga strukturat e Republikës së Serbisë për të operuar dhe për të funksionuar pikërisht brenda territorit të Serbisë”, ka deklaruar ministri.

Duke u bazuar në këtë deklarim të ministrit Maqedonci, a është momenti që ndërkombëtarët të shtojnë presionin te Serbia për dorëzimin e Radoiçiqit? Sa është në rrezik siguria derisa kryekrimineli serb është ende i lirë?

Gecaj: Siguria në Kosovë dhe rajon mbetet në rrezik për aq kohë sa Milan Radoiçiq është i lirë

Lidhur me këtë ҫështje, ka folur eksperti i sigurisë, Hysen Gecaj.

Ai thekson se, deklarata e Ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, reflekton shqetësime të bazuara mbi aktivitetet destabilizuese që Milan Radoiçiq dhe grupi i tij kriminal kanë demonstruar në të kaluarën.

“Ky grup jo vetëm që kërcënon sigurinë e Kosovës, por edhe përbën një rrezik më të gjerë për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, duke pasur parasysh përfshirjen e tij në veprime kriminale, rrjete të organizuara dhe nxitje tensionesh ndëretnike”, vlerëson Gecaj.

Image
Hysen Gecaj

I pyetur se a është momenti për presion ndërkombëtar ndaj Serbisë, ai thotë se ky është një moment kritik që kërkon një reagim të vendosur nga komuniteti ndërkombëtar.

“Ndërkombëtarët, veçanërisht BE-ja dhe SHBA-ja, duhet të ushtrojnë presion të drejtpërdrejtë mbi Serbinë për të dorëzuar Milan Radoiçiqin, duke e cilësuar atë si një faktor destabilizues. Mosveprimi i Serbisë në këtë drejtim minon përpjekjet për paqe dhe dialog dhe, në të njëjtën kohë, e vendos në pikëpyetje përkushtimin e saj ndaj marrëveshjeve ndërkombëtare dhe stabilitetit rajonal”, thotë ai.

Ndërkaq, se sa është në rrezik siguria ndaj kryekriminelit Radoiҫiq, eksperti thotë se, siguria në Kosovë dhe rajon mbetet në rrezik për aq kohë sa Milan Radoiçiq është i lirë dhe i aftë të organizojë aktivitete të paligjshme.

“Ky kërcënim nuk është vetëm ndaj institucioneve të Kosovës, por edhe ndaj qytetarëve, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike. Veprimet e Radoiçiqit dhe grupit të tij janë një pengesë serioze për krijimin e një klime besimi ndërmjet komuniteteve dhe për përpjekjet për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Një përgjigje e koordinuar ndërkombëtare do të ishte një hap i rëndësishëm për të ndalur aktivitetet e tij dhe për të dërguar një mesazh të qartë se veprimet kriminale nuk tolerohen. Në të njëjtën kohë, institucionet e Kosovës duhet të jenë të gatshme për të përballuar çdo përpjekje destabilizuese në terren, duke ruajtur rendin dhe sigurinë”, vlerëson Gecaj për ‘Bota sot’.

Makolli: Grupi i Radoiҫiҫit, e ka bazen dhe komanden të vendosur në Kopaonik, në kufi me Kosovën

Po ashtu, për këtë ҫështje ka folur edhe Vesel Makolli, njohës i politikës dhe njëherësh sekretar i Aleancës Kosova e Re.

Sipas tij, regjimi serb qysh nga shembja e ngrehinës shtetërore artificiale të quajtur Jugosllavi, ka organizuar dhe i ka armatosur me armatim më të sofistikuar, shumë grupe paramilitare, të cilat i ka përdorur në luftërat që i ka nxitur në Kroaci, Bosnjë dhe së fundit në Kosovë.

“Serbia kurrë nuk do të pajtohet me realitetin e krijuar në Kosovë. Ajo nëpërmes planeve të saja të luftës speciale dhe të shërbimeve të fshehta do të veproj kundër pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës. Politika shoveniste serbe ëndërron që në të ardhmen të shfryëzojë çdo ndryshim eventual të konstelacionit të fuqive botërore, dhe çdo lëshim sado të vogël të qeverisë sonë apo të diplomacisë sonë, për ta destabilizuar situatën në veri të vendit tonë, rrjedhimisht edhe në regjion, me qëllim të minimit të arriturave tona dhe me synim të rrezikshëm, zhbërjen e shtetit të Kosovës”, vlerëson Makolli.

Image
Vesel Makolli

Ai thotë se, në kontekst të kësaj, është edhe grupi kriminal paramilitar i udhëhequr nga Milan Radoiçiq, i cili është i lidhur dhe i dirigjuar drejtpërdrejt nga qeveria serbe, gjegjësisht nga kryetari serb Vuçiq.

“Grupi i Radoiҫiqit, e ka bazën dhe komandën të vendosur në Kopaonik, në kufi me Kosovën, nga ku pret komanda nga kreu i politikës serbe për t'i filluar realizimin e planeve të parapërgatitura për ta cenuar sovranitetin e shtetit të Kosovës. Nuni i pavarësisë së Kosovës, SHBA dhe mbrojtësi i sovranitetit tonë NATO, i kanë të gjitha informatat për planet djallëzore serbe ndaj Kosovës, dhe janë duke punuar për arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse me njohje reciproke në qendër, e cila do ta zgjidhte përgjithmonë problemin shekullor shqiptaro-serb dhe do të sillte paqe në këtë pjesë të trazuar të Evropës”, thotë Makolli për ‘Bota sot’.

Ai vlerëson se Qeveria e Kosovës, duhet të jetë në koordinim të plotë me SHBA dhe aleatët, dhe të veprojë me përkushtim për t'i realizuar obligimet e marra me marrëveshje ndërkombëtare, për t'ia mundësuar faktorit ndërkombëtarë (BE dhe SHBA-së), presionin e nevojshëm mbi palën serbe për shpërndarjen e grupit paramilitar serb dhe për sjellen para drejtësisë të kriminelit Milan Radoiçiq.

“Kjo kishte me qenë si uverturë e marrëveshjes gjithëpërfshirëse me njohje reciproke”, thotë ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat