Kosova është duke përmbyllur vitin 2024, kurse bashkë me vitin e ri 2025 do të vijnë edhe zgjedhjet e reja parlamentare.
Në festë, partitë politike nuk kanë nguruar të zhvillojnë fushatën e tyre, përmes takimeve e thirrjeve të ndryshme, ndërsa në fundvit është prezantuar edhe puna e qeverisë gjatë vitit 2024, por edhe gjatë mandatit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për televizionin publik, e ka cilësuar rritjen ekonomike si temë më të rëndësishme për qytetarët.
Ai thotë se kanë pasur rritje impresive ekonomike në katër vite si dhe të hyra rekord tatimor.
“Besoj që rritja ekonomike e cila është bërë shpërndarje sociale, është çështje e cila prek më së shumti familje dhe në të njëjtën kohë ndikon drejtpërsëdrejti tek kategoritë të cilat i kanë nevojat më të mëdha, gratë, fëmijët, pensionistët por edhe studentët. Kemi pasur rritje impresive ekonomike në këto katër vite mesatarja ka qenë gjashtë për qind e bruto produktit vendor. Dhe në të njëjtën kohë kemi të hyra rekord tatimore që jam jashtëzakonisht i lumtur për shkak se tregon besimin e qytetarëve në institucione dhe njëkohësisht edhe rritjen e ekonomisë tonë nëpërmjet lulëzimit të sektorit privat. Sivjet është viti ku e kemi kaluar tre miliardë euro të hyra në buxhetin e republikës së Kosovës dhe këtu është interesant që janë 40 për qind më shumë se sa në vitin e parë të qeverisjes», ka thënë Kurti.
Sipas tij, rritjet e kanë ndihmuar edhe sektorin privat.
“Pra vështirë të gjendet një qeveri tjetër, ndoshta edhe diku tjetër ku viti i katërt i qeverisjes i ka 40 për qind në buxhetin e shtetit më shumë të hyra se sa viti i parë, ndërkohë që jemi 60 për qind më shumë se sa viti i parë para-pandemik 2019 dhe 75 për qind më shumë se viti pandemik 2020 me të cilën megjithatë s’do të duhej të krahasoheshin. Dhe këtë rritje, këto të hyra përveç që e ndihmuam sektorin privat me subvencionim të kamatave në kredi investive sidomos për makineritë prodhuese gjithashtu e shpërndamë me shtesat për fëmijë me pensione të rritura, me mbi dhjetë milionë euro përmbi dhjetë mijë bursa për student dhe gjithashtu me mbështetje për nënat lehona. Besoj që kjo është kryesorja për mirëqenien e qytetarëve”, është shprehur Kurti.
Një përgjigje të ngjashme e ka dhënë për gazetën «Bota sot» edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha.
Sipas Bashës, Lëvizja Vetëvendosje ka arritur ta ulë papunësinë dhe t’i ndihmojë bizneset.
“Papunësia është ulur nga 28% në 10%, pra po mbyllim mandatin me 80 mijë vende pune shtesë. Ekonomia ka pasur rritje mesatarisht mbi 6% në vit, nga më të lartat në Evropë. Ka pasur masa të shumta që kanë ndihmuar bizneset, dhe për pasojë kemi dyfishim të profilit tek bizneset, si dhe rritje të qarkullimit mbi 8 miliardë më shumë. Kemi pasur investime në sport e kulturë, përfshi Lojërat Mesdhetare 2030”, shprehet Basha.
Ai gjithashtu thotë se qeveria ka përkrahur bujkun, kanë bërë ligjin e pagave dhe rritje të pagave në sektorin publik.
“Kemi pasur një trajtim të veçantë të sektorit të sigurisë, ku kemi dyfishim të ushtarëve, katërfishimit të buxhetit, si dhe investime serioze në polici. Kemi qene qeveria me përkrahjen më të madhe për bujkun, dhe njëkohësisht kemi bërë ligjin e pagave dhe rritje të pagave në sektorin publik. Këto janë disa nga sukseset e shumta”, përfundon deputeti i VV-së.