Skenar për “njollosjen” e qeverisë në kohë fushate?! Ftesa e Prokurorisë për Kurtin, mes të drejtës ligjore dhe “lojës” politike

Politika

Skenar për “njollosjen” e qeverisë në kohë fushate?! Ftesa e Prokurorisë për Kurtin, mes të drejtës ligjore dhe “lojës” politike

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 1 janar 2025 Në ora: 10:13
Albin Kurti

Në Kosovë vazhdon të jetë një temë e nxehtë debati lidhur me thirrjen e Kryeministrit, Albin Kurti, nga Prokuroria Speciale, ku ai është i ftuar të dëshmojë si dëshmitar.

Megjithatë, Kurti nuk e ka refuzuar këtë ftesë, por ka propozuar që dëshmia të realizohet në ambientet e Kryeministrisë.

Ai ka theksuar se nuk ka asnjë arsye për të shkuar në ndërtesën e Prokurorisë Speciale, pasi, sipas tij, plani i tyre është që të krijojnë një imazh të Kryeministrit si person të pafajshëm duke e paraqitur atë duke hyrë në një ndërtesë të lidhur me raste korrupsioni.

“Unë nuk po dëshiroj që ata të vijnë, por po ju them që nuk shkoj, sepse e kam shumë të qartë qëllimin e tyre. Ata po synojnë të krijojnë një xhirim të shkurtër ose një fotografi të Kryeministrit më të pastër në Ballkan që hyn në ndërtesën e Prokurorisë Speciale për një rast korrupsioni”, ka deklaruar Kurti.

Ai gjithashtu ka shtuar se opsionet për realizimin e dëshmisë janë dërguar nga këshilltarja e tij juridike.

Burjani: Kurti duhet ta paraqes dëshminë e tij

Në lidhje me këtë, juristi Blerim Burjani në një përgjigje për “Bota sot”, thotë se Kurti duhet ta paraqesë dëshminë e tij, sepse në të kundërtën mund të akzivizohet "shoqërimi me dhunë", dhe mund ta arrestojnë organet e rendit.

Image
Blerim Burjani

“Tash do të aktivizohet procedura e shoqërimit me dhunë. Pra, do të ketë arrestim, asnjë zyrtar i lartë publik nuk ka imunitet për mosrespektim të ligjeve në fuqi, do të ishte më mirë që Kurti të paraqitet në prokurori me vullnet të lirë, sepse mund të shkaktojë vepër tjetër penale për mos bindje ndaj procedurës, pra ma mirë sa më parë të paraqet dëshminë e vet për rastin e dyshimeve.

Mos respektimi i rendit dhe ligjit është e pa pranueshëm, kjo s’është asgjë dhe nuk ka lidhje me politikën por me procedurën dëshumese.

Dalja e Prokurorisë në konferencë është paralajmërim i fundit për Kurtin, tash mund të ndodhë arresti ku të gjendet mund të kapet nga organet e rendit”, thotë ai.

Ahmeti: Rastet janë skenarë për t'i shërbyer atyre që i kanë emëruar

Image
Hidajet Ahmeti

Kurse, analisti politik Hidajet Ahmeti thekson se qeveria e Kurtit në vazhdimësi është ballafaquar me njerëz të kapur e të thirrur në "pavarësi" institucionale e "profesionalizëm", me qëllimin e vetëm për t’ia zbehur imazhin kësaj qeverie.

Pavarësia e pushteteve është garanci kushtetuese e ligjore, e cila është brenda frymës liberale. Por, rasti në fjalë lidhet shumë me të kaluarën, ku gjykatësit e prokurorët emëroheshin nga politika, rrjedhimisht instrumenatlizoheshin nga politika. Qeveria Kurti gjatë gjithë mandatit është ballafaquar me njerëz të kapur e të thirrur në "pavarësi" institucionale e "profesionalizëm", ku në forma të ndryshme është sabotuar e neglizhuar për ta zbehur imazhin e qeverisë e posaçërisht kryeministrit Kurti”, thotë ai.

Sipas Ahmetit, e gjitha kjo po bëhet në kohë fushate, që ta njollosin këtë qeveri dhe Kurtin, dhe me të gjitha veprimet e tyre po japin përfundimin se rastet janë skenarë për t'i shërbyer atyre që i kanë emëruar

“Tash kur dihet se nuk ka asnjë aktakuzë nga institucionet e drejtësisë ndaj megaskandaleve të politikanëve në të kaluarën dhe të thirresh në pavarësi e profesionalizëm është jashtë çdo logjike. E tash në kohë fushate të mundohesh të njollosësh në qeveri përmes lojërave të turpshme tregon për instrumentalizimin e një pjese bukur të madhe të prokurorëve e gjykatëve. Në aspektin kushtetues e ligjor mund të flasim për pavarësi institucionale, por nëse i shikojmë rastet në aspektin kritik nxjerrim konkludim se rastet janë skenare për t'i shërbyer atyre që i kanë emëruar”, përmbyll ai për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat