Ka kaluar më shumë se 1 vit, që nga koha kur Bashkimi Evropian vendosi masa sanksionuese ndaj Kosovës.
I gjithë viti 2024 ishte “sanksionues” për Kosovën, ku BE nuk ndërmori hapa konkret për largimin e tyre.
Në Bashkimin Evropian vazhdojnë të thonë se masat ndëshkuese ndaj Kosovës, të vendosura në vitin 2023, janë të përkohshme dhe se ato mund të hiqen, varësisht veprimeve në terren. Për heqjen e masave, sipas zyrtarëve në Komisionin Evropian, është i nevojshëm pajtimi i të gjitha shteteve anëtare.
Fati i rekomandimit që ka bërë përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, për heqjen e masave ndaj Kosovës mbetet i paqartë edhe pse për këtë po bisedohet vazhdimisht në grupet punuese të BE-së, ku marrin pjesë vendet anëtare, por pa marrë ndonjë vendim konkret.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në kuadër të një turneu të saj, pak javë më parë tha se duhet të punohet edhe më shumë që Bashkimi Evropian të heqë masat ndëshkuese që ka vendosur ndaj Kosovës.
“Është shumë e rëndësishme të punojmë së bashku, dhe ne kemi mirëpritur hapjen e kufirit dhe avancimin e përfaqësimit të Kosovës në CEFTA dhe pas kësaj duhet të punojmë për hapa të mëtejshëm në mënyrë që të arrijmë në një pikë ku mund të hiqen masat. Edhe kjodo të ndihmojë të binden shtetet anëtare, pasi siç e dini të gjitha shtetet anëtare duhet të jenë dakord për çdo hap. Ne të dyja jemi të përkushtuara të gjejmë hapat e nevojshëm për të arritur këto qëllime. Për mua është e rëndësishme që ta shohim Kosovën si partneren tonë dhe ta bëjmë të mundur rrugën e Kosovës drejt BE-së”, tha von der Leyen.
Ndërkaq, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se është koha e fundit që të largohen masat ndëshkuese të BE-së, duke përsëritur qëndrimin e saj se këto masa janë të padrejta.
"Është koha e fundit që masat e padrejta ndaj Kosovës të largohen përfundimisht. Përveç të padrejta, këto masa po dëmtojnë qytetarët dhe kanë dëmtuar procesin e dialogut duke e bërë atë tërësisht të pabalancuar, pabarabartë dhe të pakredibilitet".
Edhe kryeministri Kurti, në vazhdimësi ka kërkuar nga diplomatët evropianë që BE-ja të heqë " masat e padrejta" ndaj Kosovës.
Mirëpo, sa ka shpresë që të hiqen këto masa gjatë fillim vitit 2025?
Batusha: Janë shtetet individuale ato që po e bllokojnë heqjen e sanksioneve
E në lidhje me këtë, se kur mund të hiqen këto masa sanksionuese, për “Bota sot” foli deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Agon Batusha.
Si fillim, ai u shpreh se nuk ka arsye që të qëndrojnë ende këto masa.
Deputeti theksoi se bllokimi i heqjes së sanksioneve ka ardhur si pasojë që duhet unanimitet në vendimarrje, megjithatë është optimist se këto do hiqen në vitin 2025.
“Nuk ka arsye të mbahen më. Edhe vetë BE-ja e di këtë dhe për këtë udhëheqësit e saj kanë kërkuar heqjen e masave. Janë shtetet individuale ato që po e bllokojnë heqjen, madje numri i tyre është shumë i vogël, por për arsye të vendimmarrjes me unanimet që kërkohet në këto raste, një shtet mund të bllokoj procesin.
Besoj që në vitin 2025 do të kemi lajme të mira për heqjen e masave dhe proceset tjera integruese”, deklaroi Batusha për “Bota sot”.
Ukshini: Pesë argumente se këto masa janë të paqëndrueshme
Kurse, Sylë Ukshini, ish-shef i misionit diplomatik në Tiranë dhe njohës i rrethanave politike, tha se këto masa janë të padrejta dhe përbuzëse ndaj qytetarëve të Kosovës.
Ai në një bashkëbisedim me “Bota sot” tregoi 5 argumentet se pse sanksionet janë të paqëndrueshme dhe si të tilla nuk duhet të qëndrojnë.
“Mendoj se mbajtja në fuqi e masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës, nëse për këtë është fajtore edhe Qeveria e Kosovës, më duket e padrejtë dhe një qëndrim krejt asimetrik dhe përbuzës ndaj qytetarëve të Kosovës, të cilët BE-ja për më shumë se dy dekada I diskriminoi edhe për çështje e liberalizimit të vizave.
Janë pesë argumente se këto masa janë të paqëndrueshme:
E para, është agresioni ushtarak dhe terrorist i Serbisë kundër Kosovës në shtator 2023 (rasti Banjska). Ishte hera e parë që nga përfundimi i luftës në qershor të vitit 1999 që Serbia krejt hapur ndërmerr një fushatë ushtarake sipas skenarit rus në Krime dhe Ukrainën Lindore.
E dyta, në kohën kur ishte arritur Marrëveshja/Aneksi i Brukselit (masr 20123) vendosja e këtyre masave ndaj Kosovës është dekurajuese, sepse ato e mbysin frymën e dialogut dhe mundësinë prë implementimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel.
E treta, vendosja e masave vetëm ndaj Kosovës shpërfaq një qasje asimetrike të BE-së ndaj Kosovës për aq kohë që Beogradi ka një gjuhë armiqësore, madje tepër agresive e raciste ndaj shqiptarëve. Në të njëjtën kohë, kjo qasje e BE-së e josh Beogradin për të vazhduar me politikën agresive.
E katërta, si ka mundësi që BE të jetë unike dhe kohezive për vendosjen e masave ndëshkuese, por jo edhe për njohjen e Kosovës dhe si ka mundësi që kur bëhet fjalë për njohjen e Kosovës në përputhje me opionin juridik të GJND-së pesë vende të BE-së të kenë qëndrim më të afërtë e Moskën, Beogradin Teheranin sesa me Brukselin. Ne mënyrë paradoksale politika Ruse ndoshta, jo me dashje, është financuar nga BE dhe disa vende të NATO.
E pesta, njohja e pasaportave ilegale të Serbisë për territorin e Kosovës, ku qytetet e Kosovës paraqiten si pjesë e territorit të Serbisë, është cenimi më I rëndë që Brukseli I ka bërë sovranitetit të shtetit të Kosovës. Është pak befasuese si ky problem kaq madhor ka kaluar në heshtje nga të gjitha palët në Kosovës. Kjo çfarë ka bërë BE është e njëjtë sikur të njiheshin pasaporta për territorin e Ukrainës. Nuk ka shtet me dy valuta, nuk ka shtet me dy pale simbole shtetërore, nuk ka shtet me dy pasaporta të ndryshme”, theksoi ai.
Po ashtu, Ukshini foli edhe për mospajtimet që janë brenda BE-së për heqjen e këtyre masave, e që të cilat sipas tij po kontribuojnë për fuqizimin e politikave serbe.
“Për mendimin tim, kjo qasje e BE-së ndaj Kosovës, me apo pa qëllim, i kontribuon platformës politike serbe për ndërtimin e dualitetit në Kosovë: sipas kësaj qasje serbët marrin pjesë edhe në struktura vendimmarrëse të Kosovës si dhe njëkohësisht te mbajnë edhe institucionet paralele te Serbisë që të mbajnë targat, pasaportat e Serbisë dhe kjo vlen edhe për mësuesit qe janë paguar nga Ministria e Arsimit te Kosovës dhe nga Ministria e Arsimit te Serbisë, dëgjojnë pjesërisht atë se çfarë thonë Ministria e Arsimit te Kosovës por zbatojnë dhe dëgjojnë atë se çka thotë Ministria e Arsimit te Serbisë gjë e cila vlen edhe për deputetët e Parlamentit të Kosovës.
Meqë këto masa nuk u hoqën në fund të vitit 2024, por ato u thelluan edhe me lobimin përkrah Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës (KiE), nuk mendoj se do të jetë shumë e lehtë heqja e këtyre masave, pasi Beogradi do të jetë në gjendje të inskenojë turbullira dhe incidente kundër autoriteteve shtetërore të Kosovës, në mënyrë që të provokojë reagime të autoriteteve tona shtetërore dhe kështu ta mbajë situatën të tensionuar në vendbanimet me shumicë serbe”, shpjegoi ish-ambasadori.
Tutje, ai përmendi edhe qasjen jo të drejtë ndaj Serbisë, e cila po tolerohet nga BE, pavarësisht provokimeve dhe sulmeve ndaj Kosovës.
Kurse, vlerëson se SHBA ka pasur qëndrime më të ashpra ndaj shtetit serb.
“Sipas burimeve diplomatike të BE-së, në diskutimet e muajit nëntor për këtë temë, shumica e shteteve anëtare kanë qenë në favor të heqjes së masave, askush nuk ka qenë në mënyrë të prerë kundër heqjes së tyre, por ka pasur dallime rreth asaj se si dhe kur do të bëhet një gjë e tillë.
Ndërkohë, Serbia nuk ka bërë asgjë për të sjellë para drejtësisë përgjegjësit për sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit në shtator të vitit 2023, ku terrorist serbë vranë rreshterin shqiptar Afrim Bunjaku.
E keqja është se edhe Lista Serbe, e cila sulmon shtetin e Kosovës, por paguhet me taksat e tatimpaguesve shqiptarë, asnjëherë nuk është distancuar nga dhuna dhe nga sulmi terrorist i nënkryetarit të këtij subjekti politik, Millan Radoiçiq, një eksponent i mafias, krimit dhe nëntokës serbe dhe i lidhur me kreun shtetëror në Beograd.
Në këtë mes, për fat të mirë vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për dallim nga qëndrimi i vagullte i BE-së, kanë kërkuar që përgjegjësit për sulmin të përballen me drejtësinë”.
Në fund, ai u shpreh pesimist sa i përket mundësisë për heqjen e masave në fillim të vitit 2025.
Ish-ambasadori ritheksoi rolin e rëndësishëm që ka koordinimi dhe bashkëpunimi me aleatët.
“Nëse nisemi nga fakti se edhe në Raportin e fundit të Progresit për Kosovën, në Komisioni Evropian ka konstatuar se Kosova ka vazhduar të ndërmarrë veprime të njëanshme në veri të cilat ndikojnë në rritjen e tensioneve, ekziston pak shpresë se këto masa mund të hiqen. Përkundrazi, unë pres që presioni ndaj Kosovës për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe sidomos për Asociacionin do të shtohet dhe do të jetë intensiv.
Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, ka ndërmarrë ka ndaluar përdorimin e dinarit serb, ka mbyllur disa degë të postës serbe, si dhe institucione paralele dhe ka shprehur synimin që të hapë për qarkullim të trafikut urën mbi lumin Ibër, për çfarë është kritikuar nga BE, por edhe nga SHBA, po se rrezikon trazira dhe destabilitet. Pa diskutim këto veprime kanë qenë të drejta dhe të domosdoshme, por më e mira për vendin dhe pozicionin e Kosovës në kontekstin ndërkombëtar është që këto veprime të mos i kontribuojnë narrativës së viktimizimit të serbëve lokalë. Kjo nënkupton që këto veprime, duhet të mos interpretohet si një lloj triumfalizmi por si nevojë për rend dhe ligj dhe të jenë në sinkroni me partnerët tanë dhe veçanërisht me amerikanët.
Duhet ta pranojmë, për shtetin e Kosovës përkrahja dhe koordinimi me amerikanët është jetik dhe strategjik, sepse Ëashigtoni është dhe mbetet adresa më e rëndësishme politike dhe diplomatike për shtetin e Kosovës, për procesin e njohjeve, integrimin në organizatat ndërkombëtare dhe për integrimin e plotë të Kosovës në sistemin ndërkombëtar”, përmbylli Sylë Ukshini për “Bota sot”.