Të dielën që e lëmë pas ka vdekur Isni Qallapeku, vëllai i Ilir Qallapekut, ish-truprojës së ndjerë të Hashim Thaçit.
Qallapeku është gjetur i vdekur brenda shtëpisë së tij në Klinë.
Rastin e hetimit të vdekjes në Klinë e bëri të ditur Policia e Kosovës të hënën në raportin 24-orësh.
Vëllai i Isniut, Iliri, i cili kishte shërbyer për vite me radhë si truprojë e ish-kryeministrit e ish-presidentit Hashim Thaçi, vdiq më 6 nëntor të këtij viti.
Ilir Qallapeku vdiq pas një sulmi në zemër në një spital në Shkup, kishin familjarët e tij.
Ish- agjenti i SHIK-ut, Naim Miftari, thotë se ky është rasti i dytë tragjik brenda familjes Qallapeku.
Ai konsideron se Iliri ka vdekur në rrethana misterioze.
"Së pari ngushëllime familjes atdhetare Qallapekitani për vdekjen e djalit të tyre Isni Qallapekut, të cilin e kanë gjetur pa shenja jete në shtëpinë e tij në Klinë. Ky është rasti i dytë tragjik në familje brenda disa muajve, pasi vëllai i tij tjetër Ilirit, ish- truprojë e Hashim Thaçit, i cili kishte vdekur në rrethanat misterioze para disa muajve.
Me rastin e fundit të vdekjes së Isniut, nuk i di rrethanat, por vdekja e Ilirit si ish- truprojë e Hashim Thaçit është shumë e dyshimtë, kjo për shkak se disa ditë para se të vdiste ai, kishte pasur një takim me dy persona tjerë dhe kishte shprehur shumë dyshim dhe frikë dhe kishte parandjenjë se mund të helmohej nga nëntoka e SHIK-ut, nga klani i Hashim Thaçit. Ai aty ka folur për një helum që qenka sjellë kinse nga Gjermania, helum i blerë nga rusët, helum që vret njerëz, por nuk lë gjurmë. Edhe për vdekjen e Ilirit, familja e tij e kishte shpallur si një vdekje jo të natyrshme, por si vrasje”, deklaron Miftari.
Ai konsideron se është interesante që edhe përcjellësi personal tjetër i Hashim Thaçit, Xhavit Raketa ka vdekur në mënyrë të papritur.
Sipas tij, po pastrohet klani i familjes Thaçi nga dëshmitarët që dinë gjëra jo të mira.
“Është interesant se edhe Xhavit Raketa, përcjellësi tjetër personal i Hashim Thaçit dhe familjes së tij, i cili ishte i implikuar në biznes e shumë shitblerje e uzorpime të familjes Thaçi nga Broja, sidomos në biznese me Ganiun, vëllain e madh të Hashim Thaçit, që ishin partner edhe para luftës, vdiq në mënyrë të papritur para disa muajve. Siç duket po pastrohet Klani i Familjes Thaçi nga dëshmitarët e akterët që dinë gjëra jo të mira për këtë klan, që lidhet në shumë raste direkte edhe me bashkëpunimet e tyre, me sigurimet sekrete serbe dhe franceze para luftës, gjatë dhe pas luftës. Vetëm njeriu i vdekur nuk flet, nuk ka rrezik të bëhet dëshmitar i mundshëm për krime dhe konspiracione të thella. Fatkeqësisht për këto raste tragjike do të mendoja se janë raste tragjike të rastësishme, por për rastin e Ilirit nuk besoj fare se është vdekje e rastësishme dhe e natyrshme, vlen të theksoj që Ilir ka qenë gjatë luftës, luftëtar i UÇK-së në njësi speciale “Tigrat e zi” në Drenicë”, përfundon ish- agjenti.