Partitë politike veçse kanë nisur punën e tyre për zgjedhjet 2025. Ato po mbajnë tubime e takime të shumta me qytetarë nëpër vende të ndryshme.
Më 11 janar pritet zyrtarisht të nis fushata e partive politike për zgjedhjet që do të mbahen më 9 shkurt.
Deputetja Drita Millaku, e cila së fundmi ka ndërruar partinë, duke aderuar nga LVV nga LDK, ka thënë se LDK po ka mbështetje të fuqishme nga populli, duke shtuar se kjo është një shenjë e qartë se LDK po rikthehet.
“Duke pasur parasysh punën e madhe në terren dhe takimet e vazhdueshme me qytetarët e Republikës sonë, të cilët dita ditës po na ofrojnë mbështetje dhe kurajo për zgjedhjet e ardhshme, jam e bindur se Lidhja Demokratike e Kosovës do të rikthehet fuqishëm si forca më e madhe politike në vend. Kjo mbështetje që po na jepet nga populli është një shenjë e qartë e dëshirës për ndryshim dhe për një qeverisje më të përgjegjshme dhe më të orientuar nga interesat e qytetarëve".
Ajo, thotë se Lëvizja Vetëvendosje do ta përjetojë rënien më të madhe, kurse LDK-ja do ta përjetojë rritjen më të madhe, duke shtuar se LDK është e gatshme të marrë përgjegjësinë e udhëheqjes dhe t’i kthejë shpresën dhe besimin qytetarëve të Kosovës.
“Në dy gjëra jam e sigurt:
E para është se Lëvizja Vetëvendosje do ta përjetojë rënien më të madhe të shprehur në përqindje që nuk ka ndodhur në asnjë parti tjetër deri më sot. Ky është një fenomen që vjen si pasojë e keq-qeverisjes dhe dështimeve të shumta që kanë shoqëruar këtë qeveri, e cila nuk ka arritur të mbajë premtimet dhe të adresojë shqetësimet e qytetarëve.
E dyta është se Lidhja Demokratike e Kosovës do të përjetojë rritjen më të madhe të shprehur në përqindje, një rritje që nuk ka ndodhur më parë për asnjë parti politike. Ky është një sinjal i qartë i gatishmërisë së qytetarëve për të mbështetur një forcë politike që është angazhuar për të realizuar agenda përmirësimi dhe zhvillimi të qëndrueshëm për vendin. LDK, si parti shtetformuese dhe pro-perëndimore, është e gatshme të marrë përgjegjësinë e udhëheqjes dhe t’i kthejë shpresën dhe besimin qytetarëve të Kosovës”, thotë ajo në një intervistë të dhënë për “Bota sot”.