Certifikimi i Listës Serbe dhe ankesat e Lëvizjes Vetëvendosje, analistët japin këndvështrimet e tyre mbi këtë çështje

Politika

Certifikimi i Listës Serbe dhe ankesat e Lëvizjes Vetëvendosje, analistët japin këndvështrimet e tyre mbi këtë çështje

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 2 janar 2025 Në ora: 20:31
Ilustrim

Lëvizja Vetëvendosje ka nisur të enjten një ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), duke kundërshtuar certifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet e 9 shkurtit. Përmes një postimi në Facebook, kjo parti ka thënë se Komisioni Qendror Zgjedhor në mënyrë të pashembullt dhe në kundërshtim me Ligjin për Zgjedhjet, ia ka mundësuar këtij subjekti politik pjesëmarrjen në zgjedhje.

“Nxjerrja e vendimit në emër të KQZ-së, por pa miratim të KQZ-së është sulmi i radhës ndaj rendit tonë ligjor për shkak të Listës Serbe. Secili vendim i KQZ-së duhet t'i nënshtrohet votimit nga anëtarët e KQZ-së. Ky vendim nuk është i KQZ-së, sepse nuk është votuar. Është i paligjshëm, sepse bie ndesh me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme. Ndërsa Lista Serbe nuk është certifikuar në përputhje me Ligjin, por është kontrabanduar kundërligjshëm. Lista Serbe ka qenë dhe mbetet partia e kryeterroristit Radojçiq. Ajo dikur përdorej nga Radojçiqi kundër shtetit të Kosovës, kurse tani po shërben si struktura që mbron dhe amniston terrorizmin”, thuhet në deklarimin e Vetëvendosjes.

Mirëpo, si komentohet kjo kërkesë duke qenë se Gjykata Supreme tashmë ka hedhur poshtë ankesën e PZAP-së? A ka ende rrugë juridike që Lista Serbe të mos ҫertifikohet për zgjedhjet e 9 shkurtit?

Lidhur me këtë ҫështje kane folur për ‘Bota sot’ njohës të ҫështjeve politike.

Qarri: Ankesa në fakt, duhet të mbështetet masovikisht nga qytetarët dhe përkrahet pa asnjë rezervë edhe nga subjektet e tjera politike shqiptare

Image
Gani Qarri

Së pari, për këtë temë foli analisti politik dhe publicisti, Gani Qarri.

Ai në bashkëbisedimin me “Bota sot” tha se ‘e ashtuquajtura "Listë Serbe" në fakt është krah politik i grupimeve terroriste të Milan Radoiçiqit, listë agjenturore e Vuçiqit dhe Serbisë hegjemoniste, një grupim konspirativ, me mision të dyshimtë, që ndihet e vepron si subjekt i Serbisë, në Kosovë dhe nuk e njeh, as pranon shtetin e Kosovës, ndaj dhe kishte plot arsye që në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), të mbajtur me datën 23 dhjetor, nuk është certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet e 9 shkurtit të vitit 2025, të cilat nuk mbahen në shtetin serb, pjesë e të cilit ndihet ky grupim i dyshimtë konspirativ serb, por mbahen në Republikën e Kosovës’.

“Duke njohur ambiciet e sëmura të Serbisë, për gllabërimin e territoreve të Kosovës, përmes subjektit agjenturor serb, të ashtuquajturës "listë serbe" të krijuar nga dyshja misterioze Thaçi & Vuçiq, tendencë konspirative që mund të qojë deri në luftëra të hapura për territore dhe do të krijonte precedent të rrezikshëm me domino efekt, për gjithë pjesën tjetër të Ballkanit Perëndimor, përveç moscertifikimit të këtij segmenti të dyshimtë agjenturor serb, pjesëtarët e dyshuar të të cilës, për aktet e kryera kriminale dhe pjesëmarrjen në aktet terroriste, janë në kërkim dhe hetohen nga Policia e Kosovës, për shkeljen e rendit kushtetues e juridik, si dhe rrezikimin e integritetit territorial të Republikës së Kosovës, duke e quajtur vendin tonë edhe me termat fyese të Aleksandër Vuçiqit, qysh nga koha e okupacionit serb, do duhej të pezullohej automatikisht dhe në mënyrë unanime edhe vendimi për 10 vende të rezervuara deputetësh të Kuvendit të Kosovës, për një minoritet të pa integruar dhe segment konspirativ, që nga krijimi punon vetëm për Serbinë dhe ndarjen e Kosovës, ekspozohet hapur kundër shtetit të Kosovës dhe deklarohet publikisht se nuk "njeh" shtetin në të cilin edhe vet si segment konspirativ serb, vepron”, thotë Qarri.

Gjithashtu, ai u shpreh se, ‘për një grupim të tillë anti-Kosovë, jo vetëm që nuk janë shterur rrugët juridike rreth kësaj çështjeje dhe ende ka shansa reale që e ashtuquajtura "listë serbe" të mos certifikohet për zgjedhjet e 9 shkurtit, por edhe mbetet mister i pakuptueshëm, se si guxon cilado qoftë nga gjykatat e Kosovës, qoftë ajo edhe "Gjykata Supreme", në çfarë ligjesh dhe kushtetutshmërinë e cilit shtet, Serbisë apo atë të Kosovës, bazohet kur legjitimon pjesëmarrjen e një subjekti agjenturor serb, të krijuar nga dyshja e musketarëve misterioz Thaçi& Vuçiq për qëllimet e tyre të errëta politike, të cilat, u pa se do të rezultonin me ndarjen e Kosovës dhe faljen e pjesëve më jetike të vendit tonë pa të cilat vazhdimësia e shtetit të Kosovës, do të ndërpritej aty dhe në momentin që ato mund t’i kalonin Serbisë hegjemoniste, si Ujmani dhe Trepça’.

“Shto kësaj faktin, se për herë të parë, pas më tepër se dy dekadash, Albin Kurti ka arritur ta shtrijë sovranitetin dhe vendos shtetin e së drejtës edhe në veri të Kosovës, që për dy dekada dominohej nga bandat kriminale e terroriste serbe në krye të të cilave gjendej kryeterroristi Milan Radojçiq , nënkryetari zyrtar ( e kryetari faktik) i të ashtuquajturës "listë serbe", i cili i priu agresionit territorial me 24 shtator të vitit 2023, në Banjë të Zveçanit duke vra edhe policin në detyrë, tani hero i Kosovës Afrim Bunjaku, por që edhe pjesëtarët e tjerë, të të cilës, janë gjetur të përfshirë në të gjitha rastet kriminale dhe ato terroriste të ndodhura në dy-tre vitet e fundit, në përpjekje për ndarjen e veriut të vendit tonë dhe aneksimin nga Serbia, pjesë që fatkeqësisht nga kryekriminelët e "listës serbe" Millan Radojçiq, Zvonko Veselinoviq etj, në kooketim me ish pushtetarët e kriminalizuar ishte kthyer në oazë të korrupsionit e krimit të organizuar, ku zhvillohej lirshëm tregtia e zezë dhe kontrabanda e gjithëfarllojshme, unë besoj fort, se ka mijëra fakte dhe arsye, që jo vetëm LVV por të gjitha partitë shqiptare, do duhej të bashkoheshin dhe përjashtonin në mënyrë unanime, të ashtuquajturën "listë serbe" nga pjesëmarrja në zgjedhjet e 9 shkurtit në shtetin e pavarur të Kosovës, derisa subjekti agjenturor i Serbisë hegjemoniste e ashtuquajtura "listë serbe" deklarohet si subjekt i Serbisë dhe nuk e njeh për shtet të vetin Kosovën”, vlerëson Qarri për ‘Bota sot’.

Ndër të tjera, analisti shtoi se, përderisa një subjekt i tëhuajsuar konspirativ, si e ashtuquajtura "listë serbe" nuk e njeh shtetin e Kosovës, dhe për shtet të vetin e deklaron Serbinë e për president Aleksandër Vuçiqin, por nuk njeh presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti, as shtetin e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), apo partia në pushtet, me plot të drejtë ka nisur të enjten ankesën në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), për ta kundërshtuar certifikimin e Listës Serbe – për zgjedhjet e 9 shkurtit.

“Ankesa në fakt, duhet të mbështetet masovikisht nga qytetarët dhe përkrahet pa asnjë rezervë edhe nga subjektet e tjera politike shqiptare, përndryshe, ato segmente dhe parti politike, që nuk e mbështesin përjashtimin e "listës serbe" nga lista e subjekteve zgjedhore dhe pjesëmarrja në zgjedhje e Republikës së Kosovës, të këtij subjekti kaq të dyshimtë e misterioz të sponsorizuar nga Serbia, duhet të bojkotohen nga votuesit e Kosovës, sepse nuk kanë të drejtë të kërkojnë votën e qytetarëve shqiptar të Kosovës dhe duhet të regjistrohen për pjesëmarrje në zgjedhjet e Serbisë, njëjtë siç vepron subjekti agjenturor i Serbisë, e ashtuquajtura "listë serbe", në Kosovë”, përfundoi Gani Qarri.

Shkodra: Populli serb, komuniteti serb që jeton në Kosovë, do ta dënojë Listën Serbe, ashtu siҫ e meriton

Image
Magbule Shkodra

Po ashtu, për këtë ҫështje, mirëpo me një qëndrim më ndryshe, foli analistja politike, Magbule Shkodra.

Ajo ka përmendur kronologjinë e ngjarjeve rreth kërkesës për mos certifikim të Listës Serbe.

“Kronologjia se ҫfarë ka ndodhur me Listën Serbe, është atëherë që kjo listë nuk u votua në KQZ që të ҫertifikohe, përkundër faktit se komisioni përbrenda KQZ-së kishte rekomanduar certifikimin e kësaj liste për zgjedhjet e 9 shkurtit. Më tutje, kjo ankesë nga PZAP, rekomanduan që Lista Serbe të ҫertifikohet, pasi nuk ka bazë ligjore që ajo të pengohet për t’u ҫertifikuar. Lëvizja vetëvendosje bëri një ankesë në Gjykaten Supreme dhe kolegji i Gjykatës Supreme hodhi poshte ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje, duke lënë në fuqi, atë që PZAP-ja kishte thënë se Lista Serbe duhet të ҫertifikohet”, vlerëson ajo.

Analistja Shkodra në një prononcim për “Bota sot” potencoi se, kemi arritur në situatën që po bëhen komente koti, për deklarime politike sepse na e dimë se ҫfarë orientimi dhe si është e influencuar Lista Serbe nga qeveria e Vuҫiqit.

“Por ne duhet të sillemi si shtet serioz, dhe vendimet tona t’i bazojmë në ligje, në rregullore të cilat janë në fuqi. Dhe, konform këtyre ligjeve dhe rregullore, duhet të merren edhe vendimet.  Në bazë të këtyre ligjeve, Lista Serbe duhet të ҫertifikohet. Prandaj nuk kemi pse të zgjasim bisedën nëse duhet apo jo. Unë besoj që populli serb, komuniteti serb që jeton në Kosovë, do ta dënojë Listen Serbe, ashtu siҫ e meriton pasi ajo nuk ka mbrojtur interesat e tyre, por ka shërbyer si instrument i Qeverisë së Vuҫiqit dhe grupeve kriminale që kanë vepruar atje”, thekson ajo.

Sipas saj, janë shteruar të gjitha rrugët dhe Lista Serbe do të jetë pjesë e zgjedhjeve dhe nuk ka arsye që të bëhet kjo temë edhe më tutje.

“Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje, në njëfarë mënyre po mundohet që të tregohet tani patriote, kinse nuk do ta lejojë Listen Serbe për shkak të deklaratave politike. Deklaratat politike janë diҫka tjetër, por diҫka tjetër janë ligjet dhe rregullat”, nënvizoi ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat