Memli Krasniqit i vjen kundërpërgjigjja: Ja pse nuk do të ketë koalicion Vetëvendosje-PDK

Politika

Memli Krasniqit i vjen kundërpërgjigjja: Ja pse nuk do të ketë koalicion Vetëvendosje-PDK

Nga: P. R. Më: 3 janar 2025 Në ora: 07:48
Memli Krasniqi dhe Albin Kurti

Sipas kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi, kjo parti do të dalë padyshim fituese në zgjedhjet nacionale të 9 shkurtit.

“Partia Demokratike e Kosovës e ka kandidatin më të mirë për kryeministër në garë, po ashtu e ka edhe listën zgjedhore më të mirë që përfaqëson secilin qytetarë të Kosovës. Ne kemi edhe organizimin strukturor më të mirë. Ne kemi qenë të gatshëm për zgjedhje edhe në pranverë, por që nuk u mbajtën. Të gjitha elementet për të qenë fitues të kësaj gare ne i kemi dhe kjo është inkurajuese se po punojmë çdo ditë që të jemi pranë qytetarëve... Dallimi ynë është që ne ju ofrojmë qytetarëve, ndërsa kryeministri ju kërkon. Ju ka kërkuar 500 mijë vota, ndërsa ne besim. S’munden me qenë realiste por megjithatë kjo është garë elektorale dhe deri me datën 9 shkurt kemi me dëgju gjithçka, por jo nga PDK-ja”, ka thënë Krasniqi, duke shtuar se PDK-ja është kategorike kundër një bashkëpunimi me Lëvizjen Vetëvendosje.

Por se PDK nuk asnjë shpresë që të dalë fituese e thotë analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Faton Mehmeti.

Image
Faton Mehmeti

“PDK s’ka asnjë gjasë të dal e para. VV do të ketë më shumë vota sa LDK dhe PDK bashkë, e besoj se këtë e di edhe vet Memli. Deklarata e tij se PDK do të dal e para është më tepër propagandë për të mobilizuar turmën, edhe pse PDK nuk shkon kurrë më shumë se 22-23 %, çka e le atë shumë larg të qenurit e para”, shprehet Mehmeti.

Ai shprehet i bindur se Lëvizja Vetëvendosje nuk do të ketë fare nevojë për PDK-në për një koalicion të mundshëm pas zgjedhor.

“Sa për koalicionin, mos të këtë fare merak, pasi VV s’do të ketë nevojë për koalicion, kështu që Memli të jetë i qartë në krye të opozitës edhe për katër vjet. Ishte po ky Memli që në 2021 deklaronte se kurrë VV nuk merr 50%, është po i njëjti që kurrë nuk ia qëllon në deklarata. Nuk ka koalicion PDK-VV, s’ka nevojë për një gjë të tillë”, deklaron Mehmeti,

“Edhe nëse VV nuk merr 50% të votave, më shumë ka shanse të ketë koalicion me LDK-në se me PDK-në, por unë mendoj se me asnjërën s’do të ndodh”, përfundon për “Bota sot”, analisti Faton Mehmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat