Bisedimet teknike në mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, kanë filluar në vitin 2011. Ideja ka qenë që të diskutohen çështjet teknike që do ta bënin më të lehtë jetën e përditshme për qytetarët e të dyja shteteve.
Sidoqoftë, edhe pse në fillim u paralajmërua që Kosova do të bisedojë me Serbinë vetëm për çështje teknike –të cilat janë udhëhequr nga ekipet teknike të të dyja shteteve – në fund të vitit 2012, krahas bisedimeve teknike, filluar edhe bisedimet në nivelin politik për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Të gjendur në këto bisedime normalisht që u nënshkruan disa marrëveshje, mirëpo nuk u zbatuan të gjitha, kjo sepse Serbia nuk ishte dhe vazhdon të mos jetë e gatshme për normalizim të raporteve me Kosovën.
E për shkak të zgjatjes së dialogut, si dhe veprime të vazhdueshme destabilizuese ka reaguar Knut Abraham, deputeti i Bundestagut gjerman.
Ai është shprehur goxha kritik ndaj procesit të dialogut që po zhvillohet mes Kosovës dhe Serbisë për më shumë se 11-vjet.
Abraham ka propozuar që të ndërpritet procesi aktual i dialogut Kosovë-Serbi, nën ndërmjetësimin e BE-së, dhe në vend të tij, Unioni të fillojë dy procese bisedimesh – një me Kosovën dhe një tjetër me Serbinë – ndaras nga njëri-tjetri.
“Ky dialog i ri duhet të përfshijë rrugën e integrimit të secilit vend në BE. Procesi duhet të bazohet në merita dhe qëllimi përfundimtar duhet të arrihet brenda disa viteve të ardhshme”, tha Abraham.
Në këtë intervistë, ai foli edhe për Asociacionin, për të cilin deklaroi se zyrtarët shtetërorë nuk mund ta kryejnë këtë punë. Sipas tij, Asociacioni “duhet të themelohet nga komuniteti serb në Kosovë”.
Ndër të tjera, deputeti gjerman ka dënuar sulmin në kanalin kryesor të ujit në “Ibër-Lepenc”, duke e drejtuar gishtin kah Serbia dhe Rusia, si fajtore potenciale.
Mirëpo sa i dobishëm mund të jetë një proces i tillë i ndarë?
Haziri: Proces i dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë është i tejzgjatur
Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik, Nexhat Haziri.
Ai tha se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është tejzgjatur dhe nuk ka një strategji për rezultate konkrete.
Tutje analisti përmend kohën kur kanë filluar bisedimet mes dy shteteve dhe pas 11 vite nuk kemi një marrëveshje finale.
“Është shumë e vërtetë që ky proces i dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë, është i tejzgjatur dhe që 11 vite e që tashmë thuajse është një process i ngrirë dhe thuajse pa një strategji nga ndërmjetsuesi që në këtë rast është BE-ja se si ky proces të bëhet më dinamik dhe më rezultativ. Kujtojmë që ky proces kishte filluar si një mekanizëm për t’o normalizuar marrëdhëniet në mes Kosovës dhe Serbisë, por tani kur jemi 11 vite pas ne shohim se më shumë ka prodhuar tensione në mes dy vendeve fqinje se sa që ka normalizuar marrdhëniet në mes tyre.
Përkundër disa marrëveshjeve të arritura të cilat në masë të madhe nuk janë zbatuar e nuk po zbatohen nga palët e involvuara në këtë proces, e veçmas nga Serbia, që jo rrallë herë është parë si e favorizuar në këtë proces nga ndërmjetësuesit e BE-së. Andaj kur t 'shohim këtë situatë jo të favorshme dhe me potencial për t’u përshkallëzuar tensionet në mes të dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë, edhe pas 11 viteve dialog”, u shpreh ai.
Më tej, analisti flet për kërkesën e Abraham, e që sipas tij do të ishte një dinamikë e re në proces dhe do të sjellte më shumë rezultate.
“Kërkesa e deputetit të budestagut gjerman, Knut Abraham, për një formatizim të këtij procesi që Brukseli të fillojë dy procese bisedimesh – një me Kosovën dhe një tjetër me Serbinë – ndaras nga njëri-tjetri, do të ishte një dinamikë e re në këtë proces dhe besoj në më shumë rezultatet konkrete, sidomos kur BE, si formë presioni ndaj palëve do ta përdorte edhe mekanizimin e anëtarësimit në BE, por edhe mbështetjen financiare nga vet Unioni për Kosovën dhe Serbinë. Andaj shpresoj se lidershipi i ri në BE, do ta ketë parasysh nevojën e formatizimit dhe afatizimin e procesit të dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë që mos të vazhdohet me dinamikën e e njëjtë që nuk do të prodhojë asgjë pozitive përpos që t’i mbajë palët nën tension dhe me provokime ndaj njëra-tjetrës”, foli Haziri për “Bota sot”.
Kelmendi: UE dhe SHBA kërkohet të rrisin presionin ndaj Serbisë
Ndërsa profesori Muhamet Kelmendi në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që ndërkombëtarët kanë dështuar në dialogun Kosovë-Serbi.
Sipas tij, në këtë process vetëm Serbia ka fituar duke vazhduar me veprimet e saj destabilizuese ndaj Kosovës.
“Dialogu Kosovë-Serbi për shkak të UE-se dhe të SHBA-ve, në këtë legjislaturë, ka dështuar.
Nuk u arritë asnjë sukses.
Pozita e Serbisë u forcua. Serbia bëri krime dhe akte terroriste në Kosovë dhe nuk u dënua.
U nënshkrua Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksmarrëveshja e Ohrit e vitit 2023 dhe nuk u zbatua.
Në këtë gjendje dhe me këtë politikë nuk ka rëndësi se si zhvillohet dialogu, kundruall mjetet në dialogim.
UE dhe SHBA kërkohet të rrisin presionin ndaj Serbisë dhe të ndërrojnë politikën e deritashme, sidomos lidhur me Asociacionin.
Nuk ka rëndësi forma dhe mënyra e dialogimit. Ka rëndësi qëllimi dhe mjetet që përdoren në dialogim dhe në zgjidhje të çështjes”, foli ai.
Në fund, profesori përmend edhe kohën e viteve 1998/99 kur Serbia nuk ka pranuar qëndrimet përfundimtare në Rambujë.
Sipas tij, vetëm arma ushtarake dhe forca detyrojmë Serbinë në zgjidhjen e raportëve Kosovë-Serbi.
“As në vitin 1998/99 nuk ka pranuar Serbia qëndrimet përfundimtare në Rambujë. Ishte arma e NATO-se që sjelli largimin e forcave serbomëdha nga Kosova.
Edhe tash arritët qëllimi kur ka përcaktim të qartë politik dhe kur prapa i qëndron forca e dhunës.
Këtë gjuhë e njeh Serbia.
Kurre dhe në asnjë kohë nuk ka qenë gjuha e paqes që ka zgjidhur problemet me Serbinë.
Vetëm arma ushtarake dhe forca detyrojmë Serbinë në zgjidhjen e raportëve Kosovë-Serbi.
Tjetër rrugë nuk ka”, përfundoi Kelmendi për “Bota sot”.