Paralajmërimi i fuqishëm që ambasadori francez bëri ndaj Serbisë/ Analisti zbërthen deklaratën, zbulon planin e dyfishtë të Vuçiqit!

Politika

Paralajmërimi i fuqishëm që ambasadori francez bëri ndaj Serbisë/ Analisti zbërthen deklaratën, zbulon planin e dyfishtë të Vuçiqit!

Nga: M.Haziri Më: 3 janar 2025 Në ora: 18:16
Ambasadori francez në Serbi, Pierre Koshar

Ambasadori francez në Serbi, Pierre Koshar, ka deklaruar se presin që Serbia të jetë e gatshme për normalizimin e raporteve me Kosovën, proces ky që po konsiderohet se ka ngecur.

Koshar tha se çdo muaj është i rëndësishëm tani e tutje, duke përfshirë edhe dialogun Kosovë – Serbi.

“Do të thosha se tani e tutje çdo javë, çdo muaj është i rëndësishëm dhe shpresojmë se Serbia do të jetë e gatshme kur bëhet fjalë për reforma të rëndësishme në fushën e ekonomisë, sundimit të ligjit dhe normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën”, theksoi Koshar.

E në lidhje me këtë deklaratë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik, Eduard Gashi.

Ai thotë se kjo deklaratë tregon pritshmëritë që Franca ka për Serbinë në lidhje me dialogun me Kosovën.

Sipas analistit, përveç Serbisë fokusim të vazhdueshëm duhet të tregoj edhe Kosova në përmbushjen e detyrimeve të saj në koordinim me ndërkombëtarët.

“Deklarata e ambasadorit francez në Serbi, Pierre Koshar, nënvizon pritshmëritë e Francës që Serbia të angazhohet më seriozisht në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën. Kjo sugjeron se Serbia mund të mos jetë duke treguar gatishmërinë e duhur për dialog konstruktiv, duke e bërë të nevojshëm intensifikimin e presionit ndërkombëtar ndaj saj për të zbatuar marrëveshjet ekzistuese.

Nga ana tjetër, Kosova duhet të fokusohet në përmbushjen e detyrimeve të saj dhe në koordinimin me partnerët ndërkombëtarë për të avancuar procesin e normalizimit. Një qasje e tillë e balancuar do të kontribuonte në stabilitetin rajonal dhe në përparimin drejt integrimeve evropiane për të dyja vendet”, u shpreh ai.

Më tej, Gashi thotë që kjo deklaratë vë në pah që Serbia nuk ka qenë e gatshme për dialog dhe jo Kosova.

Image
Eduard Gashi.

Duke shtuar që Serbia duhet të konsiderohet si faktori kryesor i mosrealizimit të progresit.

“Po, deklarata e ambasadorit francez në Serbi vë qartësisht në pah se pengesa kryesore për dialogun nuk është Kosova, por Serbia. Për më shumë se një dekadë, Serbia ka ndjekur një strategji të dyfishtë duke “luajtur me kohën” dhe duke “ngrënë me dy lugë”. Kjo strategji përfshin përfitimin nga ndihma ekonomike dhe politike e Bashkimit Evropian, ndërkohë që vazhdon të mbështetet te Rusia për mbështetje strategjike dhe për forcimin e narrativave pansllaviste.

Serbia ka refuzuar të angazhohet sinqerisht në procesin e dialogut, shpesh duke bllokuar zbatimin e marrëveshjeve dhe duke mbështetur retorikën destabilizuese në rajon. Qasja e saj jo vetëm që pengon normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, por përbën një kërcënim për stabilitetin dhe bashkëpunimin më të gjerë rajonal.

Në këtë kontekst, Serbia duhet të konsiderohet si faktori kryesor i mosrealizimit të progresit. Përderisa Kosova ka zbatuar shumicën e obligimeve të saj dhe ka treguar gatishmëri për dialog, Serbia vazhdon të shmangë përgjegjësinë dhe të përdorë status quon si një mjet politik. Prandaj, është e qartë se presioni ndërkombëtar duhet të fokusohet në adresimin e sjelljes obstruktive të Serbisë, ndërsa Kosova të mbështetet në përmbushjen e angazhimeve të saj teknike dhe në koordinimin me partnerët ndërkombëtarë”, shpjegon analisti.

Ndërsa i pyetur nëse duhet të i shtohet presion Serbisë për të qenë më bashkëpunuese në dialog, ai thotë që duhet një gjë e tillë.

Sipas tij, një strategji e suksesshme duhet të përfshijë ndikimin për t’i shkëputur serbët e Kosovës nga varësia dhe ndikimi politik i Serbisë.

“Po, presioni ndaj Serbisë duhet të vazhdojë dhe madje të intensifikohet. Serbia ka treguar qartë se nuk është e interesuar për një zgjidhje të qëndrueshme, por për mbajtjen e status quo-së, duke përdorur serbët e Kosovës si një mjet politik për të krijuar tensione dhe për të minuar autoritetin e Kosovës. Kjo qasje jo vetëm që tregon mungesë sinqeriteti në dialog, por gjithashtu dëmton rëndë perspektivën e paqes dhe stabilitetit në rajon.

Një strategji e suksesshme duhet të përfshijë ndikimin për t’i shkëputur serbët e Kosovës nga varësia dhe ndikimi politik i Serbisë. Serbët e Kosovës kanë shtetin e tyre – Kosovën – që u garanton të drejtat dhe liritë e tyre në përputhje me standardet ndërkombëtare. Për sa kohë që Serbia i përdor ata si instrument politik për të krijuar pengesa, ajo dëshmon hapur qëllimet e saj destabilizuese.

Presioni ndërkombëtar duhet të synojë jo vetëm detyrimin e Serbisë për të përmbushur marrëveshjet, por edhe për të ndaluar ndërhyrjet e saj në punët e brendshme të Kosovës. Një proces i tillë do të ndihmonte në integrimin e komunitetit serb brenda Kosovës, duke i dhënë atij një rol më të pavarur nga Serbia dhe konstruktiv në ndërtimin e paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm”, përfundoi Gashi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat