Nazif Ramabaja zbulon arsyet: Bedri Krasniqi të tregojë kush e porositi vrasjen e Tahir Zemajt, kam faktet për...

Politika

Nazif Ramabaja zbulon arsyet: Bedri Krasniqi të tregojë kush e porositi vrasjen e Tahir Zemajt, kam faktet për...

Nga: P.R Më: 4 janar 2025 Në ora: 08:06
Tahir Zemaj së bashku me djalin e tij, Enisin dhe kushëririn, Hasanin

Sot janë bërë 22 vite që kur në një atentat mbeti i vrarë, kolonel Tahir Zemaj. Ishte  pikërisht 4 janari i vitit 2003, kur në hyrje të Pejës u vra me breshëri plumbash koloneli Tahir Zemaj së bashku me djalin e tij, Enisin dhe kushëririn, Hasanin.

Edhe pse kanë kaluar 22 vite që nga kjo vrasje makabre, drejtësia në Kosovë ende nuk ka arritur që të nxjerrë para drejtësisë autorët. Madje, deri më tani nuk dihet edhe se deri ku kanë shkuar hetimet për vrasjen e Tahir Zemajt.

Gazeta “Bota sot” përmes emailit ka kontaktuar Prokurorinë e Pejës që kishte marrë përsipër hetimin e kësaj vrasjeje, por ata nuk kanë kthyer ndonjë përgjigje.

Por, për vrasjen e kolonel Tahir Zemajt, për “Bota sot” ka folur bashkëveprimtari dhe bashkëpunëtori i ngushtë njëherit kryeshef shtabi i ZORRD dhe zëvendës i Tahir Zemajt, Nazif Ramabaja.

Ai thotë se njeriu kryesor që duhet të flas për vrasjen e Tahir Zemajt, me djalin Enisin dhe kushëririn, Hasanin, është Bedri Krasniqi.

“Tash e 22 vjet nuk dihet se kush ishin vrasësit e Kolonel Tahir Zemajt, djalit të tij Enisit dhe kushëririt të tij Hasanit. Bedri Krasniqi është vrasësi me pagesë i Isuf Haklajt dhe Sebahate Tolajt, polices që pak kohë më parë kishte raportuar përmes tv-së se është afër ta zbulonte vrasjen e kolonel Tahir Zemajt, kurse Bedri Krasniqi sot është në burg dhe sigurisht se do të duhej të tregonte kush e shtyu ta vras Tahirin me djalë dhe kushëri. Këto lojëra i luajti mafia dhe bandat e Kosovës paslufte, duke u thirr ne interesa personale dhe klanore të partive dhe të individëve të caktuar”, shprehet Ramabaja.

Ramabaja thotë se ka pak shpresa që Gjykata Speciale ta zbardh vrasjen e bashkëpunëtorit të tij, Tahir Zemajt.

“Sa i përket vrasjes se Kolonel Tahir Zemajt dhe zbardhjes se rastit nga Gjykata Speciale, jam skeptik dhe nuk pres që kjo të ndodhë në të ardhmen e afërt, për faktin se është jashtë mandatit kohor dhe juridiksionit të saj për të cilën është formuar kjo gjykatë, por dëshira dhe vullneti për zbardhjen e atentatit ndaj komandantit të njësive operative, fillimisht Brigadës 134 dhe përgjegjës të brigadave 131, 133 dhe Mërgimi, urdhërdhënësit dhe dorasit duhet herët a vonë ta marrin dënimin e merituar nga kjo gjykatë nëpërmes proceseve të cilat po kalon, sepse ka raste incidente në mandatin kohor të kësaj gjykate ku është përfshirë përgatitja e atentatit në ZORRD gusht 1998”, shton Major Ramabaja.

“Nëse koloneli Tahir Zemaj nuk është fizikisht në mesin tonë si viktimë për të dëshmuar të vërtetën e hidhur, janë dy librat e tija ”Kështu foli Tahir Zemaj” të cilat janë një thesar për zbardhjen e këtij rasti, ndërsa ka protagonistë të gjallë të cilët e dëshmojnë kudo që ipet nevoja dhe bëjnë çmos për të ardhur deri te e vërteta e kësaj vrasje makabre”, shpjegon Ramabaja.

Por, kush qëndron pas vrasjes së kolonel, Tahir Zemajt?

“Pas vrasjes se Kolonel Tahir Zemajt qëndrojnë ata të cilët, s’ja deshën e as s´ja dojnë të mirën Kosovës dhe janë të mbuluar me petkun e tradhtisë si vazhdimësi e vrasjeve te figurave patriotike dhe kombëtare, duke filluar me helmimin e Ismail Qemajlit më 1919 në Perugia të Italisë, Luigj Gurakuqit në Bari të Italisë me 1925, Hasan Prishtinës ne Selanik të Greqisë më 1933 dorasit ishin shqiptar te cilët kryen urdhrat e padroneve te tyre”, thekson Ramabaja, i cili jep edhe arsyet pse mund të jetë vrarë kolonel Zemaj.

“Motivi i vrasjes se Kolonelit dhe komandantit Tahir Zemajt mund të jetë i ndryshëm, por një e di se kishte autoritet të lartë në popull, kjo u dëshmua edhe gjatë fushatës për zgjedhje nacionale të vitit 2001, ku ishte përkrah presidentit Rugova nëpër stadiume futbolli ku mbaheshin tubimet elektorale, brohoritja Rugova, Rugova, Rugova ishte e zakontë, por qe nuk mungonte brohoritja për Tahir Zemaj, Tahir Zemaj, Tahir Zemaj”.

“Si motiv tjetër ishte rrezikimi i pozitës, sepse siç dihej presidenti Rugova ishte në procedurë e sipër për ta caktuar Këshilltar për Siguri dhe kjo s’ju konvenonte disave e posaçërisht atyre të cilët kishin pas fërkime gjatë luftës dhe veprimtarisë së tij, pra kolonelit në Rrafshin e Dukagjinit, e për të cilat kam njohuri sepse isha protagonist i gati të gjitha ngjarjeve dhe takimeve që kishim me disa përfaqësues të SHP të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës siç ishte përfaqësuesi politik i saj Hashim Thaçi-Gjarpri, por edhe me Ramush Haradinajn-Smajlin”, shprehet për “Bota sot”, major Nazif Ramabaja.

Më tej, ai thotë se posedon fakte, që sipas tij njerëzit e drejtorisë politike dhe informative të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së kanë dhënë urdhra për vrasje të eprorëve ushtarak.

“Unë posedoj fakte të pa kontestueshme se persona nga drejtoria politike dhe ajo informative e SHP  të UÇK-se kishin dhënë urdhër për likuidimin e eprorëve të lartë ushtarak të cilët vepronin në ZORRD. Pos kësaj kishin caktuar edhe personat se kush duhej ta kryente atentatin dhe pse duhet të vritej personi i caktuar (Eprori i lartë me urdhër të ish SHP famëkeq, ndërsa si arsye kryesore apo motivi ishte se X apo Y personi është i rreshtuar në vijën institucionale dhe është përkrahës i Presidentit historik, arkitektit të pavarësisë dhe komandantit suprem të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës , Dr. Ibrahim Rugovës të cilin ne e njohëm për komandant suprem tonin”, thotë Ramabaja për “Bota sot”.

Siç thotë Ramabaja, të gjithat dokumentet zyrtare të cilat i kanë përpiluar gjatë luftës në ZORRD dhe pas figurojnë me titullin: REPUBLIKA E KOSOVËS, Ministria e Mbrojtjes, Njësitë Operative të UÇK-së.

“Është e njohur dhe ditur se kanë histori të keqe, bile edhe kishin zëvendës ministra në qeveri të cilët ishin në drejtorinë e informimit ne SHP të UÇK-së, të cilit kishin urdhëruar për tu vrarë eprorë të caktuar dhe pas luftës ishin në forume të larta partiake. Të gjithë ata të cilët nuk pajtohen me këtë konstatim timin dhe qojnë pluhur, mund t’më detyrojnë t’i bëjë publike këto që thashë, por që do të jetë tejet e hidhur dhe me siguri dikush do të prangoset për të dalur para drejtësisë dhe përgjigjur për të bëmat e tyre, gjatë dhe pas luftës e kjo do të ndodhë gjithsesi tani apo më vonë. Drejtësia vonon por nuk harron”, përfundon major, Nazif Ramabaja.

Bedri Krasniqi me vendim të tri shkallëve të gjykatës është i dënuar për vrasjen e dy policëve, Sebahate Tolaj dhe Jusuf Haklajt. Ai ishte i dënuar me 27 vjet burg, për vrasjen e dy policëve që po e hetonin vrasjen e Tahir Zemajt.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat