Viti që e kemi lënë pas është mbyllur me situatë të brishtë të sigurisë në katër komunat veriore të Kosovës.
Sulmi terrorist në kanalin kryesor të Iber-Lepencit më 29 nëntor në Varage të Zubin Potokut, për institucionet qe alarm për sigurinë në këtë zonë.
Ish-komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati ka thënë se në vitin 2025 mund të ketë sulme në katër komunat veriore. E ato sipas tij mund të ndodhin në festat e komunitetit serb.
“Faktikisht unë nuk pres që serbët të rrijnë të qetë, posaçërisht institucionet e sigurisë duhet të kenë parasysh dhe duhet ta kenë vëmendjen sidomos në datën 7 e cila është festë e serbëve, dhe ata mund të bëjnë ndonjë ekses apo ndonjë sulm terrorist dhe t’ua lënë shqiptarëve kinse shqiptarët i kanë sulmuar dhe me datë 9 fillon fushata parazgjedhore në Republikën e Kosovës dhe deri më 9 shkurt kur janë zgjedhjet, policia, inteligjenca dhe në përgjithësi institucionet e sigurisë duhet të jenë të vëmendshme dhe vigjilente sepse serbët nuk do të rrijnë rehat” , u shpreh Kastrati.
Edhe eksperti i sigurisë, Drizan Shala, konsideron se data 7 janar dhe fillimi i para fushatës mund të paraqesin rreziqe.
“Situata në veriun e Kosovës është komplekse dhe shpesh e ndërlidhur me tensionet politike dhe etnike mes komuniteteve lokale, si dhe me ndikimet nga jashtë, veçanërisht nga Serbia. Data si 7 janari (kur serbët ortodoksë festojnë Krishtlindjet) dhe fillimi i fushatës parazgjedhore mund të paraqesin rreziqe për shkak të mundësive për tensione të shtuar. Raportimet për sulme apo përshkallëzime të mundshme duhet të merren seriozisht, sidomos në një rajon që ka histori të pasigurisë dhe konflikteve”, deklaron Shala në një prononcim për gazetën “Bota sot”.
Ai përmend masat për të parandaluar sulmet.
“Masa parandaluese si: 1. **Forcimi i sigurisë** - Angazhimi i Policisë së Kosovës dhe i KFOR-it për të mbikëqyrur zonat e ndjeshme. 2. **Rritja e bashkëpunimit ndërkombëtar** Koordinimi me BE-në, SHBA-në dhe aktorët tjerë ndërkombëtarë për të qetësuar situatën. 3. **Monitorimi i narrativave** - Identifikimi i propagandës që mund të nxisë tensione dhe ndalimi i saj nëpërmjet kanaleve diplomatike dhe ligjore. 4. **Dialog me komunitetin lokal**”, thekson eksperti.
Është jetike që institucionet e Kosovës të reagojnë me profesionalizëm, thotë Shala, gjersa shton se duhet analizuar çdo raportim i besueshëm për rrezik.
“Përpjekje për të siguruar qytetarët e komuniteteve në veri se të drejtat dhe siguria e tyre janë të garantuara. Është jetike që institucionet e Kosovës të reagojnë me profesionalizëm dhe maturi, duke shmangur çdo përshkallëzim të panevojshëm. Njëkohësisht, çdo raportim i besueshëm për rrezik duhet të analizohet me kujdes dhe masat të ndërmerren në bazë të informacioneve konkrete”, përfundon Shala.
Kujtojmë se pas sulmit terrorist në Iber-Lepenc, Policia e Kosovës rriti numrin e zyrtarëve policor, duke shtuar kështu edhe patrullimet përgjatë kufizimit me Serbinë por edhe në zonat kritike të infrastrukturës së shtetit.
Krejt kjo për të parandaluar çdo sulm të mundshëm, meqë vet kryeministri Albin Kurti paralajmëroi se para dhe pas Vitit të Ri mund të ketë sulme të reja nga grupet kriminale serbe në katër komunat veriore.