Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, shteti serb nuk i ka ndalur lobimet dhe propagandat në shtetet e ndryshme të botës.
Qeveria e Beogradit në vazhdimësi ka lobuar te shtete të ndryshme për çnjohjen ose mos njohje të pavarësisë së Kosovës.
Ditët e fundit, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se pret që në periudhën e ardhshme, “dy shtete të mëdha, më të mëdha se Serbia, do ta tërheqin njohjen e Kosovës.
“Së shpejti do të ketë tërheqje tjera të njohjes së Kosovës. Dy shtete të mëdha, shumë më të mëdha se i joni, do ta tërheqin njohjen e Kosovës së shpejti”, u shpreh presidenti serb Vuçiq në një television serb.
Ai, megjithatë, nuk i përmendi me emra këto shtete që ai pretendon se do të tërheqin njohjen e pavarësisë së Republikës së Kosovës.
Ndër të tjera, ai tha se pret ndryshime të mëdha për shumë çështje me inaugurimin e presidentit të zgjedhur amerikan, Donal Trump. Ai pret të ketë ndryshime edhe në raport me Kosovën, teksa shtoi se “Prishtina po u frikësohet këtyre ndryshimeve”.
Ndër të tjera, ai pretendoi se deri më tani, Kosovën e kanë çnjohur 28 shtete.
Mirëpo, duket se Vuçiq ka “harruar” faktin se pikërisht sa ishte në pushtet Trump, Kosova mori njohjen e madhe nga Izraeli.
Krahas këtij deklarimi të Vuçiqit, “Bota sot” kontaktoi me MPJD në lidhje se sa qëndrojnë këto paralajmërime për tërheqje të njohjeve, mirëpo që nuk morëm përgjigje.
Bejta: Këto deklarata, Vuçiq i ka për konsum të brendshëm
E për këtë çështje në një prononcim për “Bota sot” foli deputeti nga radhët Listës ‘Guxo’, Nasuf Bejta.
Sipas tij, kjo deklaratë e presidentit serb lidhet me zhvillimet e brendshme në Beograd, e ku përmes saj tenton ta largojë vëmendjen nga situata në të cilën ndodhet ai.
“Unë personalisht mendoj se këto deklarata, Vuçiq i ka për konsum të brendshëm për shkak të gjendjes kaotike që mbretëron pas atyre protestave që ndodhën kohë më parë nga studentët me përkrahje gjithëpopullore.
Kjo fjali i ka mbetur atij të paraqesë “suksesin” që e ka ndërmend dhe që e pret për shtetin e Dardanisë(Kosovën)”, nënvizoi ai.
Madje, Bejta potencoi se nuk ka shqiptar që pret deklarata të mira nga udhëheqësit serbë.
Në këtë pikë, ai paralajmëroi se në një të ardhme të afërt ka mundësi të krijohen dy shtete nga Serbia.
“Konsideroj gjithnjë sipas mendimit tim personal se sipas rrethanave ka mundësi që nga Serbia të krijohen edhe të paktën dy shtete në një të ardhme jo shumë të largët: Vojvodina dhe Sanxhaku
Përndryshe, nuk besoj që ka shqiptar në Dardani që pret ndonjë deklaratë të mirë nga udhëheqësit e Serbisë, përveç ndonjë naivi që për inate e xhelozie në këtë kohë fushate mund të rrëshqas nga mendimi real.
Për fatin e keq të Serbisë, si duket dalja në skenë e një Sharl Degolli është ende larg….!”, përfundoi Nasuf Bejta për “Bota sot”.
Zogaj: Pse u dashka që ato dy vende t’ia tregojnë Vuçiqit se çfarë do të bëjnë kundër Kosovës!
Kurse, publicisti Skënder Zogaj potencoi se shqiptarët duhet ta dijnë se çkado që thotë Vuçiqi është “rren”.
Ai në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” kritikoi ashpër presidentin serb për gënjeshtrat e tij, siç është kjo e fundit për çnjohje të Kosovës.
“Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq është një një kriminel ordiner i strukturave të organizuara të regjimit të Millosheviqit, i cili gjithë karrierën e tij e ka të ndërtuar me rrena e mashtrime një varrmihës i popullit të vet, prandaj, është absurde që nga një këso gjakpirësi të pritet të jetë nddyshe nga kjo që po tregohet!
Kosova dhe shqiptarët duhet ta kuptojnë se gjithhçka që thotë dhe që bënë, është rrenë, është mashtrim, është fëlliqësirë...”.
Krahas kësaj, publicisti theksoi se propaganda është arma kryesore e serbëve ndaj Kosovës dhe sovranitetit të saj.
“Sikurse të gjitha deklaratat e mëhershme të këtij rrenegati e kanë qëllim të vetëm propagandën, që është arma kryesore e fitoreve historike serbe, si në të kaluarën edhe tash, kundrejtë Kosovës, e cila, ka humbur shumë kohë dhe po vazhdon ta faktorizojë, duke u marrë me lehjet e këtij ndotësi sllavo ortodoks. Kosova ka bërë gabime nuk është treguar me efikase në realizimin e obligimet që i ka pranuar në fillin e bisedimeve, për t'ia lënë këtij çetnilu "këmbët e arushës" në qafë!” – shpjegoi ai.
Në fund, Zogaj shtoi se vetë fakti që Vuçiq flet për qëllimet e shteteve të tjera, është akt eklatant propagandistik.
Sipas tij, asnjë shtet serioz nuk i tregon një shteti si Serbia, për çështjet dhe vendimet e veta të brendshme.
“Neglizhimi i marrëveshjeve e ka faktorizuar Vuçiqin tek miqtë pro-rusë, dhe e ka rëndu dyshimin ndaj Kosovës! Gjendjen e hezitimeve që është evidente, po përpiqet ta shfrytëzoj me deklarata si kjo për gjoja tërheqjen e njohjeve të Kosovës nga dy shtete! Vet fakti që një president flet për qëllimet e shteteve të tjera, është akt eklatant propagandistik, sepse, asnjë shtet serioz nuk i tregon shtetit më joserioz të Ballkanit për çështjet dhe vendimet e veta të brendshme! Pse u dashka që ato dy vende t'ia tregojnë Vuçiqit se çfarë do të bëjnë kundër Kosovës!
Por, kjo ndodh sepse është tipike e politikës serbe, që ndërkombëtarët nuk është se nuk e gjykojnë, por sa i përket Kosovës nuk ka nevojë të shqetësohet, por duhet të punojë më shumë në sfedën diplomatike dhe të bashkërendoj veprimet me partnerët ndërkombëtar!” – përmbylli Skënder Zogaj për “Bota sot”.