Profesori dhe eksperti amerikan në shkenca politike, Alon Ben Meir në një prononcim për “Bota sot” foli në lidhje me paralajmërimet e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, për çnjohjen e Kosovës nga dy shtete të mëdha.
Së pari, tha se nuk duhet të merret e mirëqenë kjo gjë e thënë nga presidenti serb.
Ai rikujtoi se si edhe në të kaluarën kishte bërë një gjë të tillë, që për të cilën ishte demantuar nga ministria e Jashtme e Kosovës.
“Deklarata e fundit e presidentit të Serbisë Vuçiq që pretendon se 28 vende tashmë e kanë ç'njohur Kosovën dhe se ai pret që dy vende të tjera të mëdha po planifikojnë të bëjnë të njëjtën gjë nuk duhet të merret si e mirëqenë, pasi pretendime të tilla janë kundërshtuar më parë. Në janar të vitit 2023, për shembull, Vuçiq pretendoi se nëntë vende e kishin tërhequr njohjen e Kosovës—Somalia, Burkina Faso, Gaboni, Esëatini, Libia, Guinea, Antigua dhe Barbuda, Saint Lucia dhe Maldivet—gjë që ishte plotësisht e demantuar nga Ministria e Jashtme e Kosovës, duke deklaruar se nuk kishin asnjë njoftim për tërheqjen e njohjes. Duhet theksuar se Maldivet hodhën poshtë pretendimin e Vuçiqit dhe e cilësuan atë si të rremë.
Ministria e Jashtme e Kosovës pretendon se 117 vende e kanë njohur atë, ndërsa Serbia pretendon se 106 vende nuk e njohin atë. Sigurisht, numri i vendeve që e kanë njohur Kosovën mbetet i diskutueshëm për shkak të pretendimeve kontradiktore”, u shpreh eksperti amerikan.
Kurse, më tej Ben Meir tregoi edhe arsyet se pse presidenti serb po bën pretendime të tilla, duke thënë se po e shfrytëzon faktin se shtetet si Kina dhe Rusia nuk e njohin Kosovën.
“Vuçiq ka disa arsye për të bërë këto pretendime. Së pari, ai kërkon të rrisë mbështetjen e tij publike, veçanërisht në mesin e atyre që kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës. Së dyti, ai beson se do t'i japë atij disa avantazhe në negociatat e lehtësuara nga BE-ja dhe SHBA-ja, të dizajnuara për normalizimin e marrëdhënieve Serbi-Kosovë. Së fundi, ai dëshiron të krijojë dyshime për statusin ndërkombëtar të Kosovës. Është e rëndësishme të theksohet se Vuçiq po i bën këto pretendime për të forcuar pozicionin e tij se Kosova është territor serb dhe po përfiton nga fakti se disa vende të mëdha si Kina dhe Rusia nuk e kanë njohur Kosovën, për të minimizuar rëndësinë që mbi 100 vende e kanë njohur Kosovën”, shpjegoi ai.
Ndër të tjera, eksperti amerikan tha se kjo propagandë në fushën e diplomacisë pasqyron luftën e vazhdueshme për statusin e Kosovësn.
“Së fundi, duhet theksuar se pretendimet e Vuçiqit nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur dhe pasqyrojnë luftën e vazhdueshme për statusin e Kosovës. Sado që mundohet të përpjeket Vuçiqi në këtë drejtim, nuk do të japë ndonjë fryt domethënës, pasi trajektorja është e favorshme për Kosovën”, përfundoi Alon Ben Meir për “Bota sot”.