E kërkoi ministrja e Drejtësisë, njohësit e drejtësisë tregojnë nëse është i mundur mekanizmi mbikëqyrës për Gjykatë Speciale

Politika

E kërkoi ministrja e Drejtësisë, njohësit e drejtësisë tregojnë nëse është i mundur mekanizmi mbikëqyrës për Gjykatë Speciale

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 5 janar 2025 Në ora: 07:59
Albulena Haxhiu

Viti 2025 shënon 10 vjetorin e themelimit të Gjykatës Speciale, ndërsa edhe pas gjithë këtyre viteve vazhdon të diskutohet themelimi i saj.

Këtë herë është vetë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila ka folur rreth kësaj Gjykate.

Haxhiu e konsideron të paprecedent faktin se Gjykata Speciale nuk i jep llogari asnjë institucioni në Kosovë. Ajo thotë se patjetër vendi ynë duhet ta krijojë një mekanizëm mbikëqyrës ndërkombëtarë apo vendor për Dhomat e Specializuara, veçanërisht në aspektin e të drejtave të personave të akuzuar.

E para e drejtësisë në vend, thotë se për gjithçka që ka ndodhur në Hagë i kanë adresuar në kuadër të takimeve me krerët e këtij institucioni të drejtësisë. Por, siç shprehet ajo përveç kësaj nuk kanë asnjë kompetencë tjetër.

“Kemi diskutuar brenda nesh si institucione në raport me kërkesat që të ketë një organizëm, një mekanizëm që mbikëqyrë punën e Gjykatës Speciale. Nuk është që ka pasur pajtime se kush do të jetë mekanizmi, si do të krijohet mekanizmi, a do të jetë ndërkombëtar apo vendor. Kjo është në kuadër të kompetencave të Kuvendit të Republikës së Kosovës…Edhe përkundër faktit që kemi diskutuar, jemi takuar shumë shpesh, ka mendime të ndryshme, prandaj derisa nuk kemi një mendim të përbashkuar ose unifikues mendoj se duhet ta diskutojmë sërish. Është e rëndësishme që të ketë një mekanizëm që mbikëqyrë të paktën të drejtat e personave që po akuzohen, anshmërinë e gjykatës dhe rrethanat e tjera dhe rrethanat tjera që lidhen me punën e gjykatës. Mendoj se institucionet, të cilat nuk kanë mbikëqyrje nga askush, mendoj se është shumë problem, Është e paprecedent mënyra se si është themeluar, është e paprecedent mënyra se si nuk i jep llogari askujt. Prandaj, natyrisht që duhet Kuvendi i Republikës së Kosovës ta gjejë, megjithatë mund të mos jetë propozimi më i mirë i mundshëm, por të paktën ta kem një mekanizëm që e ka përsipër këtë“, ka theksuar ajo.

Lidhur me formimin e një mekanizmi që përmend ministrja e Drejtësisë dhe kush do të duhej ta formonte këtë, kanë folur për “Bota sot” njohësit e drejtësisë.

Bajraktari: Gjykata Speciale, funksionin si një “ishull” brenda sistemit tonë të drejtësisë

Image
Ardian Bajraktari

Avokati Ardian Bajraktari, thotë se ekziston ligji i veçantë për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, por ai është i mangët.

Sipas tij, ligji është i mangët ngase nuk materializon dhe nuk e konkretizon tutje dispozitën kushtetuese.

“Fillimisht duhet theksuar se Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, apo siç njihet ndryshe Gjykata Speciale, funksionin si një "ishull" brenda sistemit tonë të drejtësisë, ngase nuk i jep llogari askujt. Në lidhje me këtë, paragrafi 10 i Amendamentit 24, përkatësisht i nenit 162 të Kushtetutës, sa i përket çështjes së mbikëqyrjes dhe administrimit të Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar thekson se kjo bëhet në pajtim me ligjin e veçantë. Kurse Ligji Nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar si ligj i veçantë, lidhur me çështjen e mbikëqyrjes nuk ka asnjë dispozitë, çka nënkupton se i njëjti është i mangët, ngase nuk e materializon dhe nuk e konkretizon tutje dispozitën kushtetuese, ndonëse si e tillë është shumë e qartë. Andaj çështja e rregullimit të mbikëqyrjes së kësaj gjykate është shumë e nevojshme dhe e domosdoshme, dhe mund të bëhet përmes ndryshimit të Ligji, konkretisht Kapitullit VII i cili rregullon ndërveprimin me gjykatat dhe subjektet e Kosovës”, shprehet avokati.

Ai konsideron se ndryshimet janë të mundshme.

“Ndryshimet e këtij ligji janë të mundshme, ngase nuk kërkohen ndonjë procedurë, e as numër votash që ndryshon nga ligjet e rëndomta, mjafton vullneti dhe përkushtimi i spektrit politik në Kuvend, si dhe duhet bërë me një proces shterrues diskutimesh me të gjithë akterët relevant”, shton Bajraktari.

Themelimi i Gjykatës Speciale ishte nën qeverisjen e PDK-së dhe LDK-së, nga Kuvendi i Kosovës me 82 vota për, pesë kundër dhe një abstenim.

Ideja për themelimin e një Tribunali Ndërkombëtar për Kosovën që më vonë u quajt Gjykata e veçantë apo speciale, fillimisht ishte prezantuar se ka rrjedhë në bazë të hetimeve të iniciuara nga Këshilli i Evropës që si bazë kishin dyshimet e supozuara të zviceranit Dick Marti, mbi trafikimin e organeve të serbëve nga pjesëtarët e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Burjani: Me rëndësi është që kjo gjykatë ta përfundojë mandatin sa më parë dhe të kryejë punën për çka është themeluar

Image
Blerim Burjani

Ndërsa, juristi Blerim Burjani, thotë se nuk mund të formohet një mekanizëm ndërkombëtar, pasi sipas tij, ata e respektojnë gjyqësorin e pavarur dhe ligjin.

“Ndërkombëtarë nuk munden, se ata e respektojnë gjyqësorin e pavarur dhe ligjin që është themeluar kjo gjykatë, dhe mbështesin plotësisht procedurat dhe rregullat e punës së saj, pra të gjitha mekanizmat janë paraparë me marrëveshjen për themelimin e kësaj gjykate, vendorët dhe ndërkombëtarët duhet të mos përzihen më në këtë gjykatë. Ky do të jetë qëndrimi ndërkombëtar, përveç punës monitoruese apo rritjes së transparencës asgjë më shumë s’mund të bëhet. Të gjitha të drejtat janë paraparë me aktet ligjore për punën e kësaj gjykate, kjo gjykatë ka një ombudsperson, dhomë të gjykatës kushtetuese, pra s’ka çka tjetër as më shumë, as më pak”, nënvizon Burjani.

Ai thotë se deklarata e ministres është politike dhe se kjo temë ka përfunduar moti.

Sipas Burjanit, Gjykata duhet ta përfundojë mandatin sa më parë dhe ta kryejë punën për çka është themeluar.

“Kjo çfarë thotë ministrja është politik, Kuvendi përveç ligjit që ka aprovuar për këtë gjykatë nuk mund të themelojë asnjë mekanizëm të asnjë lloj veprimi, pasi që dihet se gjykata dhe kuvendi janë dy institucione të ndryshme dhe duhet të respektojnë njëra- tjetrën. Pra kjo temë ka përfunduar moti, tash me rëndësi është që kjo gjykatë ta përfundojë mandatin sa më parë dhe të kryejë punën për çka është themeluar”, përfundon Burjani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat